E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten kreditë e këqia, bankat shtrëngojnë dhënien e kredive

Gjatë muajve të parë të këtij viti niveli i kredive të këqia është rritur ndjeshëm dhe ka arritur në nivelin e 23.6%. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave përgjatë muajit shkurt kreditë me probleme janë rritur me 0.4% ndërkohë që në janar totali i tyre ka qenë 23.2 %.

Rritja e nivelit të kredive të këqia është një sinjal se ekonomia e vendit tonë po kalon një ngërç pasi bizneset nuk kanë mundësi që të shlyejnë huatë e marra. Ndërkohë që nga ana tjetër bankat gjithmonë e më shumë po shtrëngojnë dhënien e kredive duke krijuar mungesë likuiditeti në vend.

Banka e Shqipërisë përgjatë vitit që lamë pas ka ulur disa herë normë e interesit për të nxitur kredidhënien por një gjë e tillë nuk është reflektuar plotësisht në dhënien e kredive.

Aktualisht norma e interesit është 3.75 % e cila vlerësohet si norma më e ulët historike. Shumë biznese deklarojnë se një prej shkaqeve që ata nuk arrijnë të shlyejnë kreditë e marra vjen edhe si pasojë e mos shlyerjes së borxheve nga qeveria.

Shumë institucione ndërkomëtare e kanë ngritur shpesh si problem nivelin e kredive të këqia dhe kanë kërkuar marrjen e masave prej institucioneve shqiptare. Pikërisht për këtë Banka e Shqipërisë ka përgatitur një paketë me masa fiskale e cila ka si synim të ul nivelin e kredive me probleme dhe të nxisë kreditimin e ekonomisë në vend.

Kjo paketë është mirëpritur si prej bizneseve dhe bankave të nivelit të dytë në vend ndërkohë që pritet të kaloj për miratim në kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›