E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme përshëndesin vendimin e Parlamentit për paga më të mira për gjyqtarët dhe prokurorët

12-04-2013 / Gazeta 55

Kuvendi miratoi në seancën e radhës me 125 vota disa ndryshime në ligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, që parashikon rritjen e pagave të gjyqtarëve.
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, në një prononcim mediat pas miratimit të ligjit për statusin e gjyqtarë, i cili parashikon paga më të mira, vlerësoi se tashmë gjyqtarët do të kenë mundësi ti rezistojnë devijancave e dhe ndërhyrjeve të mundshme. 
“U miratua me konsensus ligji për përmirësimin e statusit të gjyqtarëve. Është një ditë e mirë dhe mesazh i qartë që i japim sistemit të drejtësisë. Me miratimin e këtij ligji gjyqtarët nuk do kenë vetëm një pagë mbi 1 milion lekë, por edhe përmirësim të statusit. Një pagë më e mirë për gjyqtarët do thotë një rezistencë më shumë për devijancat që mund të kenë si dhe konsolidim të sistemit të drejtësisë”, theksoi Halimi, i cili nënvizoi se PS kërkoi sërish kohë për të reflektuar në lidhje me propozimet e mazhorancës për Kodin e Procedurës Civile Kushtetutes dhe Kodin Civil.  
Ndërkaq këshilli i Lartë i Drejtësisë përshëndeti miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën e sotme plenare të rritjen e pagave për të gjithë gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe apelit në vend. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh bindjen se ky hap do të ndikojë pozitivisht në forcimin e integritetit moral dhe profesional te gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës. Gjithashtu, KLD çmon se me miratimin e këtij ligji, Kuvendi dëshmoi që është pa rezerva në mbështetje të pushtetit gjyqësor shqiptar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e KLD-së.
Po ashtu edhe prokuroria e Përgjithshme deklaroi se e vlerëson pozitivisht rritjen e pagës të prokurorëve dhe të punonjësve të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, miratuar ditën e sotme  në Kuvendin e Shqipërisë.
Në një deklaratë për median, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, e cilëson nismën e ligjvënësve një arritje të rëndësishme për përmirësimin e mëtejshëm të politikës penale në vendin tonë, si edhe një mundësi më të madhe për forcimin e integritetit moral dhe profesional të prokurorëve të të gjithë niveleve dhe oficerëve të policisë gjyqësore. Gjithashtu, për Kryeprokurorin Llalla, rritja e pagave për sistemin e drejtësisë është një  mbështetje më e madhe që pushteti legjislativ i ofron pushtetit gjyqësor për luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›