“Bashkëpunim përballë fenomeneve që kërcënojnë sigurinë globale”
Presidenti Bujar Nishani në sesionin përmbyllës të Samitit Euroaziatik
Në mbyllje të sesionit të 16-të Samitit Euroaziatik për Ekonominë, që u mbajt në Stamboll, nga datat 9-11 prill 2013, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani apeloi për më shumë bashkëpunim mes vendeve për t’i bërë ballë fenomeneve që kërcënojnë sigurinë globale, të cilat janë krimi i organizuar, varfëria, terrorizmi, prodhimi i armëve të shkatërrimit në masë.
Në sesionin kushtuar Presidentëve, pjesëmarrës në këtë samit, Kreu i Shtetit shqiptar e vuri theksin tek rëndësia dhe përgjegjësia që ka çdo vend në përballimin e sfidave të përbashkëta globale. “Shumica e shteteve, duke marrë shembuj nga praktika, së pari negociojnë, së dyti përdorin sanksione ekonomike, dhe përdorin gjuhën e armëve si mjet të fundit. Pa zotërimin e kapaciteteve në këto tre elementë, nuk është e mundur të dominosh politikën botërore”, theksoi ai.
Sipas presidentit Nishani shumë analistë bien dakord se, nga qendrat e fuqisë ekonomike, ushtarake dhe politike, që ekzistojnë sot, asnjëra nuk do të jetë më e aftë për të marrë kontrollin e botës më mirë se Bashkimi Europian.
“Ata janë të mendimit se, nëse gjen kohezionin politik, Bashkimi Evropian do të kishte burimet e nevojshme njerëzore, fuqinë ekonomike, teknologjinë dhe fuqinë potenciale ushtarake, për t’u bërë fuqi mbizotëruese e shekullit të 21-të. Me një popullsi prej 500 milion banorë, rreth 7.3 për qind e popullsisë botërore, Bashkimi Evropian gjeneroi më 2011 një GDP 17.8 trilion USD, ose afërsisht 20 për qind të GDP globale”, vlerësoi ai.
Ndër të tjera, presidenti Nishani vlerësoi se kërcënimet e tanishme globale, si, krimi i organizuar, varfëria e terrorizmi janë të ndërlidhura dhe përbëjnë një kërcënim universal. “Siguria, zhvillimi dhe të drejtat e njeriut janë të ndërlidhura. Veçanërisht bëhet më i rëndësishëm multi-lateralizmi përballë kërcënimeve globale si: terrorizmi dhe armët e shkatërrimit në masë. Përballë rreziqeve asimetrike me efekte globale, edhe shtete shumë të fuqishme ndjehen të pa imunizuara dhe madje të cenueshme. Një situatë e tillë ka sjellë vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve, që dikur nuk mund të imagjinohej dhe ka rritur peshën relative të rëndësisë dhe përgjegjësisë për çdo vend, pavarësisht madhësisë së tij”, nënvizoi ai.