E Diel, 1 Nëntor 2026

Julia Dhamo, femra që vendos meshkujt në garë

Intervista/ Julia Dhamo tregon pasionin e saj të "çmendur" për garat me makina e motorë. Vështirësitë gjatë viteve dhe paragjykimet që ka hasur si e vetmja femër garuese në Shqipëri


Ajo ka shkelur atje ku nuk kaluar njeri më parë. Është përplasur dhe ngritur sërish, por asnjëherë nuk është dorëzuar përpara pasionit të saj për garat me makina e motorë. Dhe jo gara do si do, që zhvillohen në dritë të diellit dhe në rrugë të niveluara, po gara në rrugë pa rrugë, në male e kodra.


Julia Dhamo është një femër e guximshme dhe nuk mund të thotë njeri ndryshe. 6 vite më parë, ajo do të krijonte një shoqatë ku do të ftonte aty ata që ndanin të njëjtin pasion më të, të lëvronin sporte ekstreme. Edhe pse vitet kanë kaluar, Juli është gjithmonë e më shumë në formë.


Është e vetmja femër shqiptare që garon mes meshkujve, duke mos njohur tabu. Ndërsa tregon për pushimet e saj, që nuk janë pushime nga ato klasiket, në shezllon duke marrë rreze, pushimet për të janë gjithmonë duke u strapacuar në male dhe duke fluturuar më parashutë në ajër. Kur përfundon ky "relaks", Julias i duhen nja dy ditë të mira të marrë vetën.


Për të mbajtur gjallë këtë pasion, 6 vite më parë ajo organizoi garën e parë, në atë kohë askush nuk do ta besonte që kjo "dashuri" do të zgjaste kaq shumë, aq më tepër për ata skeptikë që nuk besonin tek një femër. Por nuk ndodhi kështu, sot për të gjashtin vit radhazi starton gara e "Rally Albania".


Në të marrin pjesë 35 garues me makina dhe 90 më motorë. Gara do të zhvillohet në zonat malore në veri e në jug dhe do të zgjasë 6 ditë. Shumica e pjesëmarrëseve janë të huaj, por nuk mungojnë as shqiptarët. Start-i i garës është sot në datën 6 Qershor 2010, ora 11:00 në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".


Janë garues nga 12 shtete: Itali, Greqi, Spanjë, Gjermani, Çeki, Sllovaki, Slloveni, Austri, Bullgari, Poloni, Zvicër, Shqipëri. 260 Garues dhe asistencë teknike. Kjo është e dyta garë në Ballkan për nga madhësia e pjesëmarrja. Kanë ardhur për të marrë pjesë në të kampion 5 herë Paris-Dakar motocross, ekip me makinë 4 herë 4 Paris Dakar, kampion i Europës për motocross në 2009.

Julia, i sati vit është ky që zhvillohet Rally Albania, gara me makina e motorë?


Kjo garë bëhet një herë në vit, dhe ky është viti i 6 që zhvillohet. Është një garë që zhvillohet në rrugë të këqija, në rrugë pa rrugë, dhe realizohet kryesisht nëpër fshatra. Domethënë kalohet nga një fshat në fshatin tjetër, kryesisht në zonat malore, aty ku ka shumë pak popullsi. Bëhet vetëm me fuoristrada e motorë. Automjetet duhet të jenë të specializuar për këtë lloj rruge.


Është zgjedhur intenerari që do përshkruhet?


Kjo do bëhet në mënyrë të fshehtë. Jemi ne organizatorët që bëjmë intenerarin dhe më pas ia japim ditën që vijnë garuesit, i japim një libër që quhet road book dhe ku tregon rrugën me anë të shenjave të konvencionale, gjithmonë sipas standardeve të garave në botë. I ngjan shumë garës "Paris Dakar", që zhvillohet në këtë formë, pak a shumë. Asnjëri nuk e di rrugën.


Ka shumë navigacion që do të thotë që një garues nuk duhet të jetë vetëm shofer i mirë por, duhet edhe ta kuptojë rrugën, të ketë intuitë, duhet ta studiojë sipas asaj që ne i japim.


I zgjidhni ju personat garues, apo ata vijnë vetë?


Këtë garë ne e shpallim në fillim të vitit, në janar dhe marrin pjesë shumë veta, nga këta përzgjidhen ata që plotësojnë kushtet për këtë lloj gare.


Dhe cilat janë këto kushte?


E para, duhet të ketë patentë. Duhet të ketë secili mjetin e vet të modifikuar sipas terrenit. Mjeti duhet të ketë kushtet e sigurisë, përvç personit që duhet të ketë disa kushte sigurie. Pas aplikimit bëhet kontrolli teknik i makinës nga ana jonë.


Ju keni një staf profesionistësh që merret me këtë punë?


Në fakt, këtë garë e nisëm si amator dhe avash-avash po kthehet në një garë profesionistësh, meqë kemi një pjesëmarrje shumë ta madhe garuesish edhe nga jashtë.

Kur fillon?


Me datën 5 kemi kontrollin teknik të makinave, në datën 6 të dielën në orën 11, kemi startin te "Pallati i Kongreseve", ku do jetë i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha. Nisja bëhet një e nga një, secili ka kohën individuale. Shuma e kohëve më të vogla do shpalli fituesin.


Janë 6 ditë garë dhe 6 etapa, domethënë çdo ditë është një etapë, ai që bënë kohën më të vogël tek një etape dhe në qoftë se shumë e gjithë etapave është më e vogël në krahasim më të tjerët, atëherë shpallesh fitues. Janë disa kategori, këto varen nga kubikët e makinave dhe të motorëve, dhe ka fitues për çdo kategori dhe fitues të përgjithshëm.


Po personat që marrin pjesë në garë, duke parë që do jetë 6 ditë udhëtim, ku flenë, hanë...?


Për Tiranën ne kemi pronotuar hotele, kemi siguruar ushqimin që t'u plotësohen kushtet garuesve. Po ashtu edhe nëpër rrethe.


Ju jeni organizatorja e kësaj gare gjatë këtyre viteve?


Po.


Ka qëllim tjetër përvçse argëtues?


Ishte një pasion që ne e kishim vetë dhe më pas mblodhëm dhe njerëzit që kishin të njëjtin pasion. Tashmë, ka dy vjet që ka shumë të huaj pjesëmarrës. E para është një mundësi që të gjithë ata që vijnë nga jashtë të njohin Shqipërinë dhe janë shumë të kënaqur nga organizimi, sepse sa vjen dhe gjërat bëhen më mirë. Terrenin është shumë i përshtatshëm për gara, përvç pjesës argëtuese, sportive është dhe një njohje e terrenit nga ta.


Nga shqiptarët tregohet interes?


Shqiptarët nuk kanë shumë, me thënë të drejtën, sepse ky është një sport i shtrenjtë përvç argëtimit.


Ku konsiston shtrenjtësia?


Po që të bësh një makinë apo një motor për garë, kushton. Gjatë garës makinat dhe motorët dëmtohen, paguhet buxhet vetëm për këtë gjë, secili paguan vetë gjithçka. Shoqata siguron vetëm organizimin, për kushtet e sigurisë, në qoftë se dikush dëmtohet ne kemi staf mjekësor të specializuar e kemi marrë nga Italia.


Kemi sistemin e kontrollit të rrugës që e bëjmë me një grup bullgar. Sigurojmë jetën, me anë të shoqërive të sigurimit që janë në Shqipëri. Sigurojmë hotelet, ushqimin.

Gjatë këtyre viteve ka pasur vështirësi, aksidente, plagosje?


Çdo garë ka aksidente, ky është një trip që ne po ecim. Kjo është një garë që ka dy lloj rrugësh që quhen djazom dhe speciale. Djazom është pjesa e garës që ka kalon nga një qytet në tjetrin dhe respektohen rregullat e qarkullimit rrugor. Pastaj, pjesa speciale që është gara e vërtetë, është gara që bëhet nëpër vende që ka shumë pak njerëz dhe që mund të garohet, aty është një garë shpejtësie.


Dhe prandaj ka dy emra.


Ka pasur garues që janë plagosur ose më tepër se kaq?


Ka pasur, po, ka pasur plagosje të lehta, nuk kemi pasur vdekje. Parvjet kemi pasur një operacion. Në përgjithësi kemi kaluar mirë.


Cilat janë kategoritë e njerëzve që marrin pjesë?


Kategoritë janë nga të gjitha llojet. Janë studentë që kanë marrë patentën. Janë punonjës të shtetit, privatë, biznese private që kanë nga një përfaqësues. Në fund të fundit, janë njerëz që e kanë pasion këtë gjë.


Ka pasur VIP-a konkurrentë?


Ka pasur më përpara, por sa vjen kjo garë bëhet më e fortë dhe më profesionale aq më pak ka. Garuesit janë bërë VIP-a më vete se kanë garuar jashtë çmimeve. Për shembull, kohët e fundit ishte Rally në Kroaci, ku fituam çmimin e parë për makinë dhe çmimin e dytë për motor. Kështu që, pavarësisht se nuk janë të njohur nga mediat këtu, janë në të njohur në atë botën e tyre.


Ka femra pjesëmarrëse?


Ka. Janë dy austriake që marrin pjesë me makinë.


Ju jeni organizatore dhe pjesëmarrëse në garë prej 6 vjetësh. Ka filluar si pasion personal apo... ?


Jo vetëm që ka filluar si pasion personal, po këtë e mban pasioni. Fakti që nuk ka dalë dikush tjetër që mund të bëjë një garë të tillë, kjo fletë shumë.


E para nuk është fitimprurëse dhe me këtë ke vazhdimisht jetën në rrezik. Përpara se ne t'u japim rrugën garuesve shkojmë e shohim vetë. Ka rrugë që nuk ka kaluar makina që para 20-vjetësh, domethënë janë rrugë pa rrugë.

Dikush mund të thoshte, "nuk ke punë tjetër që bën këtë gjë"?


Unë kam dhe punë të tjera, sigurisht. Janë punë të tjerat që më kanë mbajtur këtu. Kam qenë garuese vetë, dhe isha e vetmja femër mes meshkujve. E bëra për dy arsye, e para për qejf dhe e dyta për të afruar njerëz dhe sidomos femrat.


I keni afruar këto të fundit?


Shumë pak, femrat shqiptare janë të vështira për t'u afruar. Duhet të kesh vullnet dhe forcë se ndryshe nuk mund t'ia dalësh. Pastaj duhet të marrësh parasysh që ti rrezikon jetën. Unë i kuptoj shumë ata që thonë se ju jeni të çmendur, dhe unë i kuptoj njerëzit që kanë një punë të përditshme.


Unë e di që jam pak e çmendur në këtë kuptim dhe kjo më bën me interesante se të tjerët. Megjithatë, po të mos ishin disa njerëz të çmendur, nuk mund të ecin gjërat përpara.


Kur kanë qenë kontaktet e para me këtë fushë, me ketë garë?


Po fillimisht kemi qenë një grup njerëzish, tre-katër veta dhe shkuam për të parë "Paris Dakar". Dhe kishim disa fuoritrada tonat, njihnim disa persona që kishin dhe ata makina fuoristrada dhe menduam pse mos të bëjmë edhe ne ndonjë garë, për qejf fillimisht, për hobin e të bërit garë.


Fillimisht i kemi filluar aventurat me parashutizëm, duke shkuar nëpër male për të fluturuar me parashutë. Por kishim mundësi për të blerë furostrada dhe për të bërë këto lloj pushimesh, dhe argëtimi jonë kanë qenë parashutizmi që është edhe ai sport i rrezikshëm.


Por, duke parë këto gara me makinë nëpër botë, menduam pse mos ta bëjmë dhe në një gjë të tillë, përderisa deri më tani nuk e ka bërë askush. Pasi pamë dy-tre herë këto gara, duke studiuar rregulloret dhe duke e përshtatur me kushtet e Shqipërisë, dhe në këtë mënyrë krijuam një shoqatë dhe si shoqatë filluan dhe erdhën njerëz, arritëm dhe bëmë garën e parë që ishte shumë e shkurtër, dhe kishte më shumë dëshirë nga njerëzit për të na ndihmuar.


Dhe çudia më e madhe është se sa më shumë zgjerohet si garë, aq më pak mundësi financiare ka për ta mbajtur. Ne nuk financohemi nga njeri, të gjitha garuesit, paguajnë një kuotë, ku janë të përfshira fjetja, ushqimi, gara, kontrata e sigurimit, mjekësia, kontrolli i rrugëve.


Si e ndien veten që ke gjithë këto vite që je e vetmja femër, mes meshkujsh?


Sa kalojnë vitet dhe sa më e madhe bëhet gara, aq më të shumtë janë njerëzit, që ndërhyjnë për ta prishur këtë gjë.


Edhe vetë nuk e bëjnë dot dhe ty duan të prishin.
Ju udhëtoni nëpër fshatra, si është reagimi i njerëzve që të shohim me djemtë në garë?
Mua më kanë vënë shumë emra.


Megjithatë, prania e një femre gjithmonë i zbut gjërat për shumë situata, për shembull në takime me njerëz të ndryshëm, apo në situata kur kalojmë dhe i prishim gardhin për shembull, shkoj unë që jam femër flas, gjithmonë prania e një femre është zbutëse.


Ju vetë e keni parë ndonjëherë vetën në vështirësi, jeni aksidentuar ndonjëherë?


Unë jo, kam një strategji timen të ecurit në garë. Unë eci avash, nuk bëj gomë apo defekte të tjera dhe arrij shumë mirë në kohë, pastaj gjithë çunat që garojnë nga që duan të ecin shpejt bëjnë nga tre-katër goma, por kjo është humbje kohe.


Keni qenë çdo vit pjesë e garës?


Kam dy vjet që nuk marr pjesë, po sigurisht që bëjmë dhe gara të tjera të vogla. Gjithmonë fitoj mes femrave që janë shumë pak ose nuk janë fare, ndërsa me meshkujt një herë, maksimumi ka qenë kur unë kam qenë e shtatë dhe në garë kanë qenë 35 veta. Ajo që e vërteton më tepër faktin që kjo garë është pasion, është ajo që ne edhe çmimin e parë nuk e kemi në lekë dhe në vlerë monetare. Çmimi i parë është vetëm një kupë.


Nga ju vjen kjo energji?


Unë jam pak rebele si natyrë, nuk e di nga më ka buruar kjo gjë, nuk është se kam nga familja një të tillë.


Jeni e kënaqur që bëni këtë gjë?


Jam shumë e kënaqur, mezi e pres datën e garave, megjithëse kam shuam vështirësi që ta realizoj, por dhe e di që nuk do ketë asgjë që të më ndalojë. E kam bërë këtë garë edhe kur nuk kam pasur kokërr leku. Përderisa kam bërë djalin kundër këtij mentaliteti pa u martuar, nuk më ndal gjë tjetër. Djali im është 6 vjç, është edhe ai një fans i madh i garave.


Me siguri, gjatë këtyre viteve, gjatë garave tuaja ka pasur histori, humbje në rrugë pa rrugë. Na tregoni një të tillë?


Na kanë ndodhur shumë. Ka pasur që kanë humbur garues nëpër male, dhe ka qenë e vështirë për t'i gjetur, pavarësish se kanë pasur sistemin e kontrollit. Për shembull, një italian e gjetëm në një fshat që ishte vetëm një shtëpi në maj të malit dhe kur shkuam pas 3 orësh, ai na tha; kush iu tha juve të vinit të më merrnit. Pasi atij i kishin shtruar një tavolinë, raki, bukë dhe gjërat e bëra vetë.


As të zotët e shtëpisë nuk dinin italisht dhe as ky nuk dinte shqip, por tavolinën ia kishin shtruar. Ai më tha mua: "a mund të ketë paqe me të madhe se kaq", aty nuk kishte as televizor, asgjë. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në gara në qershor, janë rikthyer në gusht për të bërë pushime në Shqipëri.


Pushimet tuaja janë pushime relaksi apo strapacim?


Pushimet e mia janë duke u strapacuar nëpër klube. Unë nga pushimet vij gjithmonë e lodhur dhe kur kthehem fle nja dy ditë të mira sa marr veten.


Ku fillon dhe mbaron frika juaj në këtë fushë?


Tani sikur ka filluar të më zëri frika, pasi kam përgjegjësi dhe për djalin.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›