E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten penalizimet për abuzimin me rrezatimet



Emanuela Sako

Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një projektligj ku parashikon masën penalizuese për të gjithë abuzuesit me rrezatimet jonizuese dhe kategoritë që cilësohen si pjesë e punës me rrezatimet jonizuese. Pjesë e atyre subjekteve apo personave që do të preken nga ligji në rastet e abuzimeve janë të gjithë ata që zotërojnë, transferojnë, marrin, përdorin, fabrikojnë ose instalojnë pajisje jonizuese. Kësaj liste u shtohen edhe ata persona që kryejnë kërkime radiologjike, punime minerare, bluarje, ekstraktim, pasurim, shitje, transferim, import-eksport, dhënie me qira dhe ruajtje të lëndëve radioaktive. Të gjitha subjektet duhet të tregohen të kujdesshme gjatë kryerjes së punës dhe të mos arrijnë deri në atë fazë sa problemet me rrezatimet të prekin qytetarët.
Në disa raste prekja nga rrezatimet mund të merret edhe nëpërmjet ushqimeve apo produkteve të tjera të ndotura me lëndë radioaktive. Një pakujdesi e tillë do të shkaktonte një katastrofë për popullsinë.
Tarifa
Rritet gjoba për të gjithë abuzuesit me rrezatimin jonizues nëpërmjet aparaturave të parregullta, moszbatimit të kushteve të mirëmbajtjes së lëndëve, rrezatimit të tepruar gjatë përpunimit të lëndëve etj. Ligji i ri i Ministrisë së Shëndetësisë “Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues” parashikon që të gjithë shkelësit e ligjit do të penalizohen me gjobë deri në 300 mijë lekë, apo deri në heqje të licencës së ushtrimit të punës. Abuzime të tilla vërehen rëndom në sektorin e shëndetësisë, të cilat janë pjesë e aparaturave që përdoren për kryerjen e vizitave, si EKO, radioskopi, rezonancë etj. Tejkalimi i masës së përdorimit dhe pakujdesia e mjekut përbën një shkelje të ligjit për rrezatimin jonizues. Njëkohësisht shkakton një problem serioz te pacientët, të cilët mund të rrezikohen nga sëmundje të pashërueshme, siç janë tumoret.
Masa
Rrezatimet jonizuese po gjejnë gjithnjë e më shumë përhapje dhe rreziqet ndaj shëndetit janë shumë të rënda. Për këtë arsye, ligji i ri “Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues”, hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me specialistë të Fizikës Bërthamore, parashikon ndëshkime shumë të rënda ndaj shkelësve të këtij ligjit. Problemet më të mëdha që shkaktojnë rrezatimet jonizuese tek qytetarët janë sëmundjet kancerogjene. Ndërsa në disa raste, kur një pacient vuan nga një sëmundje e rëndë dhe asaj i shtohet ndikimi nga rrezatimi, pacienti mund të shkojë drejt vdekjes nga përkeqësimi i gjendjes shëndetësore. Për këtë arsye, MSH-ja ka vendosur t’u vendosë subjekteve përkatëse dhe mjekëve disa kufij për përdorimin e rrezeve.

Pediatri, mungojnë filmat për kryerjen e EKO-s
Spitali Pediatrik i Tiranës prej disa kohësh vuan nga mungesa e filmave për kryerjen e vizitës nëpërmjet aparaturës së EKO-s. Situata është paraqitur e vështirë dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje nga Drejtoria e QSUT-së. Ndërsa prindërit presin në radhë me fëmijët në krahë për kryerjen e vizitës, duke pritur një përgjigje nga mjeku nëse do të bëhen vizita, apo jo. Burime nga Spitali i Pediatrisë bëjnë të ditur se mungesa e filmave është një problem serioz, që pezullon dhjetëra vizita në ditë, por mungesat në këtë spital janë edhe më të mëdha. Edhe pse tenderat janë kryer, mungesat në medikamente vazhdojnë të jenë prezente. Prindërit shprehen se për kurimin e fëmijëve të tyre janë të detyruar të blejnë të gjitha medikamentet vetë. Sipas tyre, mjeku shërben vetëm për kryerjen e vizitës dhe përcaktimin e diagnozës. Atyre iu është thënë se farmacia e spitalit nuk ofron një pjesë të madhe të barnave, prandaj duhet t’i blejnë së bashku me shiringat. Edhe pse Drejtoria e QSUT-së deklaroi se tashmë kriza e mungesave mund të quhet e kapërcyer, pacientët pohojnë të kundërtën e kësaj deklarate.

Djali 13-vjeçar me një veshkë do të operohet të enjten

Ministria e Shëndetësisë i përgjigjet kërkesës së bërë nga familjarët për t’i shpëtuar jetën djaloshit shkodran, i cili kishte lindur me një veshkë jashtë funksioni. Djaloshi shkodran, i cili ka lindur me një veshkë, do t’i nënshtrohet operacionit të transplantimit brenda javës së ardhshme. Ministria e Shëndetësisë i përgjigjet apelit të prindërve të Sadam Dekovit për t’i shpëtuar jetën fëmijës së tyre. Ministria ka siguruar fondet dhe operacioni do të kryhet të enjten e javës së ardhshme. Kjo falë një marrëveshjeje që Ministria e Shëndetësisë ka me Spitalin amerikan që vepron në Tiranë. Zyra e shtypit e kësaj ministrie konfirmoi se gjithçka tashmë është gati përsa u përket fondeve dhe ekipit mjekësor që do të kryejë operacionin për t’i shpëtuar jetën 13-vjeçarit. Sadam Dekovi, nga fshati Shtoj i ri i Shkodrës, ndodhet i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë që nga tetori i vitit të kaluar. Ai ka lindur me një veshkë, e cila është totalisht jashtë funksionit.

7 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›