Bashkia ristrukturon rrugën “Don Bosko”
Me një fond prej 249 667 740 lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, ka nisur rikonstruksioni i infrastrukturës në Bllokun 51, që kufizohet nga rrugët “Don Bosko”, “Jordan Misja” dhe një segment i Unazës. Projekti është pjesë e punës së vazhdueshme të Bashkisë së Tiranës, që synon ndryshimin e cilësisë së jetës brenda blloqeve të banimit. Gjatë përurimit të nisjes së punimeve ka qenë i pranishëm edhe kryebashkiaku Edi Rama, i cili është shprehur se ky bllok karakterizohet kryesisht nga banesa private 2 deri në trekatëshe, si dhe pallate parafabrikate, të ndërtuara para viteve ‘90. “Përtej politikës së politikanëve, përtej tymnajës dhe sherrnajës që ushqejnë ata që për interesat e pushtetit, janë gati t’i lënë njerëzit dhe qytetet pa punë, pa shpresë, qëndron nevoja dhe vetëdija se politika është për qytetarët dhe bëhet me qytetarët. Kjo politikë e re na ka sjellë këtu, për këtë investim, në një komunitet periferik ku njerëzit, falë transformimit të infrastrukturës dhe të hapësirave publike, do të ndihen kryeqytetas jo vetëm kur dalin në rrugë kryesore, por edhe kur kthehen në shtëpitë e tyre, do të kenë një vlerë të re, sigurisht më të madhe, sepse në këto 35 hektarë do të lindë një tjetër bërthamë e integruar në kryeqytetin e së ardhmes”,- shprehet Rama. Aktualisht, në këtë zonë janë ndërtuar objekte pa leje dhe garazhe, duke cenuar ndjeshëm kushtet urbanistike dhe qarkullimin rrugor. Punimet do të shtrihen që nga infrastruktura rrugore, me shtrimin dhe zgjerimin e rrugëve dhe trotuareve me elemente dekorative e deri në rikualifikimin urban të disa shesheve mes pallateve. E gjithë kjo ndërhyrje do të shoqërohet me një shtim të sipërfaqeve të gjelbra, si dhe me një mbjellje të konsiderueshme pemësh e shkurresh dekorative. Pjesë e rëndësishme e projektit do të jetë edhe krijimi i hapësirave për parkim, sinjalistika, horizontale dhe vertikale. Në projekt është parashikuar ndërtimi i një rrjeti të ri kanalizimesh. Një ndryshim radikal do të bëhet në sistemin e rrjetit elektrik dhe ndriçimit rrugor.
7 Shkurt 2009