E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: “Qeveria po bën emërime politike në ambasada”



Partia Socialiste ka reaguar sërish në lidhje me mungesën e emërimeve të ambasadorëve shqiptarë në disa ambasada në shtete të ndryshme. Në emër të PS-së, anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme, Kastriot Islami, ka akuzuar qeverinë se në disa ambasada ka bërë emërime politike duke shkelur hapur ligjin për shërbimin me jashtë. Sipas Islamit, shkelja e këtij ligji dhe emërimi i personave që nuk kanë karrierë diplomatike tregon qartë përpjekjen e qeverisë për të emëruar në selitë diplomatike shqiptare persona politikë. Kjo, sipas tij, bëhet vetëm pak muaj nga zgjedhjet parlamentare. “Vetëm tre muaj para përfundimit të mandatit shihet qartë që ligji i shërbimeve me jashtë është thyer disa herë. Ka një vakuum në një numër të madh ambasadash”, - ka deklaruar deputeti Islami gjatë një konference për gazetarët. PS-ja thekson se vakuumi i krijuar në një numër të madh ambasadash vjen si rezultat i marrëdhënies konfliktuale mes pushtetit ekzekutiv dhe presidentit të vendit, konflikt që, sipas Islamit, ka bërë që politika e ndjekur të paralizojë ambasadat. Gjithashtu Islami kërkoi nga Presidenti Topi një analizë të plotë të situatës për të evidentuar shkeljet e shërbimit të jashtëm jo vetëm në emërimet në ambasada, por në të gjithë sistemin e funksionimit të përfaqësive tona në botë.

7 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›