Ligji i dosjeve dhe zgjedhjet dominojnë takimin Berisha-Klinton
SHBA- Kryeministri Berisha është takuar dje, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, ndërsa mësohet se në qendër të bisedimeve të këtij takimi kanë qenë zgjedhjet e qershorit dhe ligji i shumëpërfolur i dosjeve. Kryeministri Berisha i ka bërë të ditur zonjës Klinton se zgjedhjet e qershorit do të jenë të drejta, të lira dhe demokratike. “Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë demokratike. Ndërsa sa për ligjin e lustracionit mund të them se ai nuk do të përdoret kundër kundërshtarëve politikë”, - është shprehur Berisha. Ndër të tjera, Berisha e ka bërë me dijeni sekretaren amerikane të Shtetit se Shqipëria është e gatshme për të dërguar trupa shtesë drejt Afganistanit. Edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk ka mbetur pa u diskutuar gjatë këtij takimi. Kryeministri është takuar edhe me zyrtarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, me të cilin ka dalë edhe në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku janë vlerësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve. Pyetjes nëse Shqipëria do të pranonte të burgosur të tjerë nga burgu famëkeq i Guantanamos pas mbylljes së tij, Berisha iu përgjigj: “Pozicioni i Shqipërisë është ky: ne edhe një vit më parë kemi qenë për mbylljen e burgut, kontributi që dhamë ishte modest, por jemi të kënaqur që e dhamë. Përshëndesim vendimin e Presidentit Obama për mbylljen e këtij burgu”. Dy ditë më pare, Berisha po ashtu ka takuar në hollin e Mëngjesit të Lutjeve senatorin Xhozef Bajden dhe spikeren e Dhomës së Kongresit, Nensi Pelozi. Po aty, Berisha ka takuar dhe senatorin Xhon Mekein. Në ceremoninë e Mëngjesit të Lutjeve mbajti përshëndetjen kryesore Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama. Në fjalimin e tij frymëzues, që ngjalli emocion te pjesëmarrësit, Presidenti Obama u ndal te rëndësia e madhe që ka paqja, dialogu, vëllazëria, për bashkëpunimin e shoqërive njerëzore, kombeve dhe popujve në botë. Presidenti Obama theksoi rëndësinë e madhe të këtyre vlerave, për më tepër në kohë të tilla, kur kriza ekonomike ka prekur shumë vende të botës dhe për kapërcimin e së cilës kërkohet durim, vullnet, bashkëpunim dhe mirëkuptim. Mëngjesi i Lutjeve është një takim vjetor që mbahet në Uashington të enjten e parë të muajit shkurt të çdo viti dhe është shndërruar tashmë në traditë të promovimit, vlerave njerëzore, paqes, dashurisë dhe miqësisë në botë.
7 Shkurt 2009