E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subashi zgjidhet nënkryetare e KQZ-së, Ristani premton përmbushjen e standardeve në zgjedhje



Në mbledhjen e tij të parë, Komisioni Qendror Zgjedhor zgjodhi me votim të fshehtë nënkryetaren e KQZ-së, Dëshira Subashi. Subashi mori 5 vota pro, kundrejt dy votave që mori kandidatura tjetër për këtë post, Artan Lazaj. Pas votimit, Subashi garantoi se do të zbatojë Kodin Zgjedhor dhe nuk do ta përdorë postin e saj për qëllime politike. Ndërsa kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se KQZ-ja është e gatshme të fillojë sa më parë përgatitjen e procesit të ardhshëm zgjedhor në përputhje me standardet e parashikuara në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë i konstituuar, është i gatshëm të fillojë përgatitjet për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë ashtu sikundër e parashikon Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor. Kur na ndajnë më pak se pesë muaj nga data e zgjedhjeve, të ndodhur në limitet kohore të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor për disa procedura, më lejoni të shpreh besimin se do të mundemi të kthejmë faktorin kohë në favorin tonë”, - është shprehur Ristani. Ai u shpreh se puna e parë e KQZ-së është implementimi i sistemit të ri zgjedhor, proporcional rajonal, ndryshe nga proceset e tjera zgjedhore. “Nga ky moment, vëmendja jonë do të fokusohet në përballimin jo vetëm të volumit të punës që duhet të kryhet, në sensin administrativ, për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, por dhe implementimin për herë të parë të sistemit proporcional dhe detyrave të reja që na përcakton Kodi Zgjedhor”, - është shprehur Ristani, ndërsa theksoi se vullneti politik është i rëndësishëm në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Do të dëshiroja të vija në dukje edhe një herë faktin se përtej të gjitha përpjekjeve të institucionit tonë, për të realizuar këtë detyrë, është e domosdoshme të kemi dhe vullnetin e duhur politik. Subjektet politikë janë faktorë dhe aktorë mjaft të rëndësishëm në procesin zgjedhor, pra rrjedhimisht fryma dhe klima e besimit reciprok mbeten parametra thelbësorë për realizimin e çdo procesi zgjedhor konform të gjitha standardeve”, - është shprehur Ristani. Ai e konsideroi ndihmë për procesin zgjedhor pajisjen sa më parë të shtetasve me karta identiteti. Ristani gjithashtu vlerësoi dhe parashikimin në kod për vendosjen e kamerave në vendet e numërimit të votave. “Detyrimi ligjor, risi e këtij kodi, vendosja e kamerave në vendet e numërmit të votave dhe pajisja e shtetasve me dokumente të pakontestueshme identifikimi, mundësojnë një shkallë të lartë transparence si asnjëherë më parë në procese zgjedhore.
Nisur nga ky kontekst, ftoj të gjitha palët, që duke lënë mënjanë paragjykimet dhe qëndrimet skeptike subjektive, të bëjmë maksimumin tonë për përfundimin me sukses të këtij procesi zgjedhor”, - është shprehur Ristani.

7 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›