E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten pensionet suplementare për policët dhe ushtarakët



Qeveria shqiptare ka vendosur dje rritjen e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, bëhen të paaftë plotësisht, pensionet suplementare familjare dhe pensionet suplementare familjare të ushtarakëve, që, për shkak të detyrës, humbasin jetën, të caktuara në mbështetje të Ligjit nr. 8087, datë 13.3.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, të ndryshuar, dhe pensionet familjare, të caktuara në mbështetje të Ligjit nr. 8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 30.6.2008, përfshirë edhe këtë datë, të rriten në masën 5 për qind.
Kategoritë
Sipas këtij vendimi, pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, pensionet suplementare të pleqërisë, pensionet suplementare të invaliditetit, pensionet suplementare të invaliditetit të punonjësve të Policisë së Shtetit, që, për shkak të detyrës, bëhen të paaftë plotësisht, pensionet suplementare familjare dhe pensionet suplementare familjare të punonjësve të Policisë së Shtetit, që, për shkak të detyrës, humbasin jetën, të caktuara në mbështetje të Ligjit nr. 8661, datë 18.9.2000, “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, të rriten në masën 5 për qind. Gjithashtu do të përfitojnë trajtim të veçantë financiar pilotët fluturues, në pension, në masën 5 për qind, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të Forcave Detare, në pension, në masën 5 për qind, punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të rritet në masën 5 për qind.
Vendimi
Pas rritjes që është vendosur dje për pensionet suplementare, një pension maksimal për vjetërsi në shërbim arrin në vlerën e 18 mijë e 165 lekëve, një pension maksimal suplementar prej rreth 9 mijë lekësh në muaj, gjithashtu është siguruar një trajtim i veçantë për ish-minatorët me 6400 lekë në muaj, ndërsa për ish-punonjësit e industrisë ushtarake rreth 10 mijë e 800 lekë në muaj.

Kategoritë që përfitojnë rritjen prej 5 përqindësh

13330 ushtarakë të FA-së

240 pilotë fluturues

125 detarë nëndetësesh

3660 ish-ushtarë të Ministrisë së Rendit, SHISH-it dhe Policisë së Shtetit

4500 minatorë

8500 punonjës të industrisë ushtarake

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›