E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, rriten pensionet e fshatit dhe të qytetit

Qeveria rrit edhe ndihmën e kompensimit ekonomik për pensionistët. Tabela me vlerat e rritjes, sa ishte dhe sa do të bëhet pensioni

Habjon Hasani
Qeveria ka vendosur ngritjen e vlerës së pensionit minimal në qytet dhe në fshat, si dhe vlerën e kompensimit për shtresën e pensionistëve. Ky vendim prek rreth 527 mijë familje shqiptare. Pensionet në fshat u rritën në masën 15 për qind dhe në qytet në masën 10 për qind. Qeveria, pas studimeve të bëra për 520 mijë pensionistë në vend, do të vendosë që për pensionin minimal në fshat, për rreth 170 mijë pensionistë, pension i cili është bërë 5200 lekë, u rrit me 15 për qind, për të kompensuar inflacionin dhe realizuar rritjen e tyre. Për pensionistët e qytetit, ku pensioni minimal është në vlerën 1100 lekë, qeveria do të vendosë një rritje prej 10 përqindësh. Pas rritjes që është kryer së fundi pensioni i plotë minimal i pleqërisë në qytet nuk mund të jetë më pak se 9 mijë e 515 lekë në muaj, ndërsa pensioni maksimal në qytet nuk mund të jetë më shumë se 19 mijë e 30 lekë në muaj. Edhe pas kësaj rritjeje, pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni, do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta nga qeveria, si 15 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike.
Rritja në fshat
Në të njëjtën kohë, pas rritjes prej 15 përqindësh të pensionit në fshat, pensionet minimale të fshatit nuk mund të jenë më të ulëta se 5 mijë e 200 lekë në muaj. Ky pension bëhet tashmë sa 55 për qind e pensionit të qytetit. Ndërsa personat që kanë paguar kontribute si të vetëpunësuar në bujqësi përfitojnë një pension prej 6 mijë e 910 lekësh, ose sa 72.6 për qind e pensionit të qytetit, pasi synimi është barazimi i pensioneve të fshatit dhe qytetit deri në vitin 2012. Përveç pensionit, të gjithë pensionistët që banojnë në fshat do të marrin edhe një kompensim për çmimin e energjisë elektrike prej 200 lekësh. Të gjithë pensionistët që marrin pension fshati dhe banojnë në qytete, përveç pensionit mujor, do të përfitojnë kompensim edhe për liberalizimin e çmimit të ushqimeve në vlerën 494 lekë në muaj, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike.
Efektet
Nga rritja e pensioneve, e parashikuar në këtë vendim, do të përfitojë një numër prej 527 mijë pensionistësh, nga të cilët 158 mijë prej tyre janë pensionistë që përfitojnë pensione fshati. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi llogariten në shumën e 2 miliardë e 264 milionë lekëve dhe do të përballohen nga fondet e kontingjencës të planifikuara për buxhetin e shtetit për vitin 2008. Ky vendim u paralajmërua rreth dy javë më parë nga kryeministri gjatë një mbledhjeje rutinë të Grupit Parlamentar të PD-së. “Qeveria do të vendosë që për pensionin minimal në fshat, për rreth 170 mijë pensionistë, pension i cili është tashmë rreth 63 mijë lekë, të ketë një rritje prej 15 përqindësh. Për pensionistët e qytetit, ku pensioni minimal është në vlerën 11000 lekë, qeveria do të vendosë një rritje prej 10 përqindësh dhe bën që shqiptarët të kenë pension minimal jo 100 dollarë, siç e patëm premtuar ne, por 100 euro nga data 1 korrik”, - u shpreh Berisha. Por kryeministri paralajmëroi dhe rritje të rrogave për arsimtarët dhe mjekët, vendim ky që pritet të dalë së shpejti. “Për rreth 44 mijë arsimtarë këtë vit do të ketë një rritje prej 14 përqindësh të rrogës së tyre dhe pjesa tjetër e rritjes do të jetë vitin tjetër, duke garantuar kështu dyfishimin, brenda mandatit tonë, të rrogave për të gjithë mësuesit e Shqipërisë”, - paralajmëroi dy javë më parë Berisha, duke shtuar se nëse në fillim të mandatit të tij mësuesi merrte 20 mijë lekë, në mbyllje do të marrë 40 mijë lekë.

PENSIONET E QYTETIT

Pensioni minimal: ishte 7800 lekë, bëhet 9515 lekë

Pensioni maksimal: ishte 17 127 lekë, bëhet 19 030 lekë

Kompensimi: 15 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike.

PENSIONI I FSHATIT

Pensioni minimal: ishte 4480 lekë, bëhet 5200 lekë

Pensioni maksimal: 7500 lekë, bëhet 8615 lekë

Kompensimi: kompensim edhe për liberalizimin e çmimit të ushqimeve në vlerën 494 lekë në muaj, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›