Flamuri shpjegon Kodin e Vdekjes dhe do gjana të tjera
Korrespondenti i “Antenës” mori rrugën për nga bar Kalaja, aty ku e ka ngritur përkohësisht selinë e re Flamuri, që nga dita kur selia e PD u gdhi me qefin në kokë për arsye riparimi.
Kishte shume pyetje të mbetura pezull, të cilave s’po u gjente dot përgjigje, por mbi të gjitha i kishte mbetur një gjë e pasqaruar fare nga këto fjalimet përçartëse të kryeministrit, ajo çështja e Kodit të Vdekjes dhe që ai e përmendte njëherë në dy ditë që pas tragjedisë së Gërdecit.
- Do jetë ndonjë gjë me zarar kjo puna e Kodit të Vdekjes, se kot nuk i mëshon kaq fort ai burri. Mor mixhë, a s’më thua, ç’është kjo shkelja e Kodit të të vdekurit që thotë ai burri, se s’po e marr vesh? Mos është e marrë prej kanunit, se unë, meqë s’jam prej veriu, s’e njoh dhe mirë.
- Po pse more, ku e dëgjove shkeljen e Kodit të Vdekjes që të paska mbetur kaq merak?
- Si mor ku e dëgjova? Ai burri e përmend shpesh. Edi Rama ka shkelur Kodin e Vdekjes. Ilir Meta ka përdhosur Kodin e Vdekjes. Mediet kanë njollosur Kodin e Vdekjes. Dhe tani herën e fundit doli që dhe kjo Ina Rama paska shkelur Kodin e Vdekjes me rastin e 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit. U bë si Kodi i Da Vinçit me plot të panjohura mor burrë, na shushatët fare.
- Pse ashtu ka thënë ë?! Po me Ina Ramën ç’pati, se gratë dhe kanuni i mbron? Mos e ka pasur fjalën, ngaqë ajo vishet me lajle-lule në 1-vjetorin e vdekjes së 26 vetëve dhe në këtë mënyrë ka prishur zinë?
- Jo mor burrë, ai tha që nëna s’lejon të tallen me kujtimin e djalit të vdekur, babai s’do që të tallesh me kujtimin e të birit, e bëri fare horror fjalimin.
- Mirë ka thënë. Ashtu është. Krim është të tallesh me të vdekurin…
- Po, po të jetë kështu, e para është tallur Liri Berisha me Kodin e Vdekjes që iu çonte krehra dhe kompjuterë atyre fëmijëve që kishin humbur duart e s’kishin me se t’i mbanin.
- Lëre atë muhabet mixhë, se janë punë të thella këto, s’janë për ty, kot që kërkon t’i dish. ǒtë hyn ty në punë Kodi i Vdekjes mor mburrë se me çmende?
- Po jo mo thashë kot se mos e ka Kodi i Vdekjes që dhe ai që të ka vrarë të dalë pa pikë turpi e të bëjë karshillëk, mos e keni si zakon.
- E di unë për kë e ke fjalën, e ke për Fatmir Mediun që qe në krah të atij burrit atë ditë që lidhën marrëveshjen. Po zakoni ynë e do që ai, sa kohë është nën besën e atij burrit, s’i hyn gjemb në këmbë nga asnjë lloj hasmi. Pastaj mos harro, se ai burri është në anën e viktimave, jo vetëm se është I dhembshur nga shpirti, po ka pasur familjarët e tij në atë shpërthim. Ai ka humbur baxhanakun atje, ndaj s’është vetëm agresor, siç mendon ti, por edhe viktimë. Ai ka pritur ngushëllime atë ditë.
- D.m.th., ti mendon, mixhë, se ai ka hak që thotë më kanë shkelur Kodin e Vdekjes, se me demek është dhe viktimë? Mirë, o mixhë, po kjo puna e padisë së Fatmir Mediut për prokurorinë si është, se s’ma nxë rradakja fare?
- Lëre, lëre, ajo është tjetër mesele. Ishalla s’i bie më pas ai burri, se na mori në qafë.
- Po pse, ç’ka?
- Ka plasur nëpër burgje. Të gjithë të burgosurit do të bëjnë padi kundër prokurorëve. Zani Çaushi me Nehat Kullën i kanë bërë gati që tani. “Pse, - thonë, - ne nga 5-6 vetë kemi vrarë dhe dënohemi për jetë, ai që vrau 26 njëherësh del i pafajshëm?” Dhe s’ke ç’u thua. Lëre, lëre, se me ka prishur goxha punë me këtë sulmin e fundit ndaj prokurorisë ky burri. Sa i kisha vënë në vijë nja do gjana me këta prokurorët dhe tani kam hall mos nuk m’i mbarojnë prej inatit.
- Po pse, ç’punë ke pasur me ta, mor mixhë?
- Dëgjo, mixhë, se ty të kam si timin, të dua fort dhe nga t’i s’më del llafi. Është kjo puna e listës së kandidaturave për deputetë që po bën ky burri…
- Po ç’lidhje kanë listat me prokurorinë, s’e marr dot vesh.
- Nuk kanë lidhje, po i lidh unë e i bëj nyje që ta dish. Janë këta dy deputetët e Kukësit, Jemini me Fatos Hoxhën. Duhet t’ia fus njërit prej tyre që të hapet vendi për mua, e more vesh?
- Po si ke menduar ta eliminosh njërin…?
- Po ja, i kam kurdisur një histori korrupsioni dhe thashë të përdorja këta prokurorët, po tani s’e di si do i vejë filli. Po edhe ti do më ndihmosh me ata shokët e tu që ke nëpër media. Porositi të shkruajnë që Jemini dhe Fatosi janë të korruptuar, bëjnë ndere me pará e gjëra të tilla, se ai burri s’e duron dot, kur të denoncojnë mediet për të korruptuar. Ideale do qe t’i bëja një kasetë si ajo e Ylli Pangos ndonjërit se te kasetat ai burri nuk duron fare, të shkarkon për 4 minuta.
- Mirë të ka vajtur në mendje, me kasetë më duket më pjekur, i heq qafe njëherë e mirë dhe hap vendin për vete. Por mos e përgënjeshtrojnë?
- Ohu, është si puna e lepurit që vraponte t’i shpëtonte darës duke thënë ‘sa ta marrin vesh që jam lepur, vajtën hallatet e mia.’ Mor po s’e kam caktuar akoma kujt t’ia fus Fatosit apo Jeminit, pa do më shohësh. Qielli me tokën të puqet dhe s’rri pa vënë emrin në listë andej nga fillimi, se në fund të fundit Kukësi me mua mburret, se jam dyshi në PD pas atij burrit dhe jo me Jeminin e Fatosin. Pak me prokurorët, pak me ju të medieve, do ia bëj se s’bën gropën njërit prej të dyve. Ah, i kam do Gjana pa rregulluar, or mixhë, i kam pa denoncuar ca histori me korrupsion, që më duket se po iu vjen sahati, - tha, - dhe çau tutje andej nga ajo godina me qefin në kokë, ku kish fshehur ca dokumente për ditë të vështira.