E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesë publike drejtuar gazetares Rudina Xhunga

Nga Niko Nesturi*

Më datën 23 mars 2009, gazetarja Rudina Xhunga organizoi në “Top Channel” një emision që dallonte shumë nga fryma e emisioneve të mëparshme dhe për këtë e falënderojmë, por ne, pronarët e zonës turistike Vlorë-Sarandë, mbetëm të pakënaqur, sepse nuk u trajtua specifika e zonës turistike të Bregdetit. Nga të gjithë diskutantët u pranua se në këto 18 vjet toka dhe prona private që diktatura i pati grabitur qytetarëve, pas vitit 1991, u trajtua në mënyrën më barbare. Në shkrime të shumta është paralajmëruar se kriza e pronave do pasqyrohet me krizat e territoreve me krizën sociale me konfliktet sociale dhe pamundësinë e përballimit të kostos financiare të kompensimit.

Në këtë emision, deputeti socialist, Erion Braçe, tha se është vonë t’i kthehemi mbrapsht ligjit 7501, …. se 170.000 ha që janë parashikuar nga qeveria për të mbjellë ullinj duhet të shkojnë për kompensim të pronarëve etj. (Zoti Erion duhet të dijë se ne duam ullinjtë tanë dhe jo ullinjtë e Kavajës).

Zoti Braçe tha se interesat nuk janë për elektorat, se ato zgjasin vetëm dy muaj. Në Bregdet, pronarët pengohen nga Komisioni i Kthimit të Pronave, pengohen nga Agjencia, pengohen nga gjyqtarët, por dhe nga prokuroria dhe grabitësit favorizohen nga të gjitha drejtimet që quhen mungesë e shtetit ligjor dhe korrupsion. Praktikisht dhe efektivisht në Bregdetin turistik komandon mafia e trojeve turistike.

Zoti Vorpsi foli për “normat e tokës për frymë” dhe kërkoi abrogimin e ligjit 7501. Zoti Vorpsi, ju e dini se Bregdeti është grabitur, jo vetëm me ligjin 7501, por e gjithë paketa ligjore për kthimin e pronës që ka pasur synim grabitjen e zonës turistike duke ia lënë stafetën kompensimit. Ne nuk na intereson, nëse një fermeri i qenka dhënë një apo dy hektarë me ligjin 7501, kur pronarët, Kushtetuta dhe ndërkombëtarët flasin për kthim fizik të pronës së shtetëzuar, duke respektuar kufijtë e paragrabitjes.

Deputeti dhe avokati Spartak Ngjela u shpreh për rentabilitetin e një ha tokë bujqësore në shtete të ndryshme, ku respektohen titujt e pronësisë mbi pronën, por nuk ishte shumë i qartë për domosdoshmërinë e kthimit të pronës tek i zoti dhe as për abrogimin e ligjit 7501 dhe u çuditëm kur ai përdori për ne, pronarët, termin ish-pronarët (!)

Znj. Adriana Berberi u shpreh për mbrojtjen e ligjit 7501 dhe kërkoi që ai ligj të shoqërohet me politikë fiskale.

Zonja Qyku, megjithëse specialiste, u shpreh se dëmi ka ndodhur, por duhen ulur kostot. Dhe për këtë propozoi që tokat duhet të taksohen … duke shtuar se për këtë duhet të ulen të gjithë ekspertët dhe të vendosin pse dhe sa duhen taksuar dhe konkludoi se shumë fermerë nuk do jenë në gjendje ta mbajnë tokën. Ju, o zonja të nderuara, shikoni përsëri nenin 41 të Kushtetutës dhe mendoni se çfarë lidhje apo të drejtë keni, kur shpreheni kështu për pronat tona. Arsyetoni dhe korrigjohuni, se propaganda 18-vjeçare e pluralizmit dhe e vjedhjes me ligje të pronave tona ka ngulitur në mendjet e njerëzve dhe edhe te, ju, pjesëmarrës në emision, termin ish-pronarët, term i shpikur nga Ramiz Alia dhe fryma e Katovicës.

Në përfundim synimi i znj. Qyku ishte që t’i kthehet morali ish-pronarëve. Jo, znj. Qyku dhe ju pjesëmarrës të tjerë të emisionit! Ju lutemi: Ju duhet të diskutoni, nëse paketa ligjore në fuqi e zbaton apo jo frymën dhe germën e Kushtetutës lidhur me të drejtën e pronës, të paktën referuar nenit 41 dhe 181 të saj. Dhe nëse nuk jeni në gjendje të arsyetoni lirisht dhe profesionalisht se ligji 7501 apo çdo ligj apo akt tjetër cilido qoftë ai, por që bie ndesh me të drejtën tonë për pronën e trashëguar, atëherë ju lutemi mos veproni më kështu. Nuk ju lejojmë të na mohoni pronën, se kështu na keni mohuar gjithçka, ne kot që quhemi Bregdetas.

Ne, Bregdetasit, zonja Rudina Xhunga, do të kërkonim që në emisione të tilla të thirremi edhe ne, kryesia e shoqatës “Bregdeti”, që përfaqësojmë interesat, kërkesat dhe mundësitë e zgjidhjes së problemeve të pronarëve të zonës turistike Vlorë- Sarandë, që në fakt është zona më e masakruar nga politikanët. Në shumë artikuj të botuar në shtyp ne kemi bërë të qartë kushtet dhe kërkesat tona të ligjshme. Ne përsërisim me ngulm se nuk duam ta shesim dhe nuk duam askënd që t’i vërë çmim atdheut tonë. Është dëshira e fuqishme e shprehur nga politikanët që duan të përvetësojnë pronat tona dhe na propozojnë kompensime në Alpe ose në Malin me Gropa. Të paktën ju, të ftuarit në emision, mos u hiqni parimorë e as përfaqësues të së ardhmes e aq më pak t’i jepni vetes të drejtë mbi pronat tona. Në emër të Bregdetasve autoktonë falënderojmë, por edhe kritikojmë diskutimet e pjesëmarrësve për atë pjesë që bie ndesh me të drejtën tonë të pamohueshme për pronën. Ne jemi unikë në kërkesën që çdo trung familjar dhe çdo fshat të rimarrë me dokument ligjor dhe jo me kallash pronën e tij në ato kufij që ka pasur para grabitjes komuniste. Për Bregdetin kemi kërkuar dhe kërkojmë vetëm pronën tonë të trashëguar në kufijtë e vjetër dhe pas përfundimit të plotë të kthimit do presim kompensim, ashtu si do ta ketë mundësinë qeveria, por vetëm për atë pjesë të pronave tona që deri në vitin 1991 janë zënë dhe tjetërsuar për godina banimi dhe ato sipërfaqe toke që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike (rrugë shkolla, spitale etj.). Nëse qeveria ka pará dhe prona të lira, le të kompensojë kështu siç u diskutua në emision të tretët dhe ne të na kthejë menjëherë pronat. Ne kurrë nuk do pranojmë kompensim për ato prona që me një formë apo me një tjetër qeveritë e pas 1991 ia kanë dhënë personave të tretë, cilido qoftë ai. Shteti nuk ka asnjë të drejtë të tjetërsojë pronat tona. Çdo tentativë justifikuese si ato që u shfaqën nga të ftuarit në emisionin e “Top Channel” më 23 mars 2009 dhe në atë të “Ora News” pak ditë më parë do të jetë pa rezultat. Fatkeqësisht, këto nxitin shpresa të gabuara te përfituesit e paligjshëm të pronave tona. Deri sot në zonën turistike është zbatuar kërkesa politike që... “prona t’i jepet atij që nuk i takon”, se, siç e ka thënë Ramiz Alia, në 1989 në zbatim të porosive të Katovicës “prona është e jona, se ne e bëmë”. Kjo frymë antidemokratike e futur në Shqipëri duhet të marrë fund duke kthyer pronën te të zotët. Pengesë është vetëm mungesa e vullnetit politik. Media, si pushtet i katërt, i ka të gjitha mundësitë ta gjunjëzojë këtë politikë anti-ekonomike antisociale, krim-nxitëse dhe antinjerëzore, tashmë të dështuar dhe të papranueshme edhe nga ndërkombëtarët, që me kohë kanë dhënë porosi të përsëritura. Në mungesë të vullnetit politik, vuajtjet e popullit do të shkurtoheshin në kohë, nëse BE dhe SHBA do të përcaktojnë afate kohore për përfundimin e kthimit duke e ndarë atë prej kompensimit. Vetëm kështu i pritet rruga hajdutëve që maskohen me letrat e politikës. Po të veprohet kështu, problemi i pronave në bregdet zgjidhet brenda muajit pa trauma dhe pa faturë financiare. Ne kemi të përgatitur edhe projektligjin përkatës.

Kryetar i AK Bregdeti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›