E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn: Shqipëria të aplikojë për statusin kandidat në BE pas zgjedhjeve

Nga Ernest Bunguri, ALSAT

Shqipëria duhet të konsiderojë aplikimin për statusin kandidat në BE pas zgjedhjeve parlamentare, pasi ky proces është një test kritik i stabilitetit demokratik të vendit. Kjo është këshilla e Komisionerit Evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, ndërsa sqaroi qëndrimin ndaj vendeve si Shqipëria dhe Serbia, të cilave u thuhet që të konsiderojnë këtë hap, kur të jenë gati për të marrë përsipër detyrimet e procesit të anëtarësimit dhe të negociatave.

“Pra, aplikoni, kur të jeni me të vërtetë gati dhe mos e bëni vetëm për një veprim politik. Ja pse, për shembull, për Shqipërinë këshilla ime është: Ju lutem mos e konsideroni para zgjedhjeve parlamentare, pasi ky proces do të jetë një test kritik i stabilitetit tuaj demokratik”, - tha Olli Rehn, Komisioneri Evropian për Zgjerimin e BE.

Këshilla e qartë e komisionerit vjen në momentin kur presidencës çeke të unionit nuk i janë çarë vetëm tubat, për të përdorur shprehjen e ministrit të Jashtëm, Schwarzenberg, por lumi po i merr të gjithë shtëpinë, për shkak të rrëzimit të qeverisë çeke në seancën parlamentare të ditës së martë. Një tjetër temë e rëndësishme, për të cilën foli komisioneri, ishte ajo e liberalizimit të vizave, proces që pritet ta ndajë Ballkanin në dy grupe vendesh, e për ato që kanë përmbushur kushtet, liberalizimi mund të arrihet edhe në fund të vitit 2009.

“Mbi bazën e misioneve të ekspertëve ne do të përgatisim raportet tani shpejt gjatë pranverës. Mbi bazën e këtyre raporteve Këshilli mund të diskutojë, dhe unë shpresoj, dhe të marrë vendime mbi liberalizimin e vizave për vendet më të përparuara për sa i përket detyrimeve mbi çështjet e sigurisë, siç janë pasaportat biometrike dhe sistemi i kontrollit të integruar të kufijve”, - vijoi Rehn.

Rehn foli në një takim me gazetarët, në prag të takimit informal të ministrave të BE të Gymnich, ku në prani të ministrave të Jashtëm Ballkanit temë kryesore do të jetë pikërisht perspektiva evropiane e rajonit.

Shqipëria, pa shanse, Maqedonia me viza të liberalizuara brenda vitit 2009

Sipas Komisionerit Evropian, Olli Rehn, fundi i vitit 2009 mund të jetë një periudhë e mbarë për Maqedoninë, si për rekomandimin për çeljen e negociatave, njësoj edhe për liberalizimin e vizave. Për këtë të fundit dihet tashmë se Maqedonia është vendi më i përparuar në plotësimin e kushteve që kërkohen, krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

“Për liberalizimin e vizave është plotësisht realiste që vendet e para të rajonit mund ta arrijnë këtë nga fundi këtij viti, 2009”, - u shpreh Olli Rehn, Komisioneri Evropian për zgjerimin e BE. Për rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim, Komisioneri pranon se, nëse gjithçka shkon mirë në finalen e zgjedhjeve dhe nëse përmbushen pjesët e mbetura të tetë masave, Komisioni e di çfarë të bëjë.

“Ka disa masa të tjera të rëndësishme, siç janë reforma në drejtësi, ajo në administratën publike dhe sigurisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po të marrim me mend, duke menduar pozitivisht dhe me optimizëm se raundi i dytë i zgjedhjeve do t’i plotësojë standardet. Atëherë rekomandimi ynë i mundshëm do të varet nga përparimet e shënuara në plotësimin e tetë masave”, - vijoi Rehn. Lidhur me pengesat e çështjes së emrit për rekomandimin, Rehn tha se Maqedonia dhe Greqia më mirë ta zgjidhin kontestin herët sesa vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›