Borchardt: “Të eliminohen presionet në administratë dhe biznes”
Me afrimin e zgjedhjeve lokale të vitit 2011, shoqëria civile dhe diplomatë të huaj ndjehen të shqetësuar për përdorimin e administratës në fushata zgjedhore dhe pas saj. Ky shqetësim vjen pas rezultateve të monitorimit të kryer nga Grupi shqiptar i të Drejtave të Njeriut, i cili ka nxjerrë disa konkluzione, ku thelbësore janë shkeljet e disa ligjeve dhe të drejtave të njeriut që ndodhin në çdo fushatë zgjedhore. Sipas kryetares së këtij grupimi, Elsa Ballauri, gjatë fushatës zgjedhore të vitit të shkuar nëpunësit e administratës u përdorën politikisht dhe disa rrezikuan deri dhe punën në rastet kur kundërshtuan presionin. Nga ana tjetër, gjatë prezantimit të raportit ambasadori gjerman, Bernard Borchardt, i bën apel qeverisë, por dhe Parlamentit, të marrë masa për të eliminuar praktikat e presionit mbi punonjësit e administratës dhe bizneseve para zgjedhjeve të ardhshme lokale 2011. Të tilla parregullsi janë vërejtur nga misioni i vëzhgues i OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe janë dënuar me forcë nga ndërkombëtarët. Ambasadori gjerman përshëndeti dje paradite fillimin e një projekti të financuar nga ambasada që ai drejtoj me temë, “Roli i politikës dhe administratës shtetërore ndaj punonjësve gjatë fushatës elektorale të 28 qershorit 2009”. Duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR, i cili vërejti parregullsi gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit, Borchardt tha se kritikat qëndrojnë në presionin mbi punonjësit e administratës publike, në udhëzimet e dhëna nëpunësve të shërbimit publik për pjesëmarrje në aktivitete partiake. “Presioni arriti deri në kërcënimin për pushim nga puna të atyre që refuzuan të merrnin pjesë në aktivitete politike”, - tha Borchardt, duke shtuar se i njëjti presion ishte vërejtur dhe ndaj bizneseve private në mënyrë që këto të financonin partitë politike, ku ato biznese që nuk pranuan të bëheshin palë dhe të financonin u bënë objekt i kontrollit të organeve tatimore. “Këto janë konkluzione tepër kritike dhe në këtë pikë do të doja t’i theksoja me forcë. Kritika nuk i drejtohet vetëm një partie të veçantë, por të gjithë pushtetarëve në nivel lokal e kombëtar. Ky fenomen tejet problematik nuk duhet të ketë vend në një shtet demokratik dhe anëtar të NATO-s. I bëj thirrje Parlamentit dhe qeverisë shqiptare që të marrë masa në mënyrë që të eliminojë praktika të tilla në kohën e duhur përpara zgjedhjeve", - theksoi Borchardt.
20 Mars 2010