E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos në Parlament, PD-ja voton komisionin, PS-ja tërhiqet



Pas dy ditë debatesh në Kuvend për hapjen ose jo të kutive të votimit, seanca maratonë ka përfunduar mbrëmë me votimin nga maxhoranca të nismës së PS-së për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar që nuk do të hapë kutitë e votimit. Me gjithë apelin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, për miratimin e dy nismave të PS-së pa amendamentet e PD-së, maxhoranca nuk pranoi që të bëhej transparencë e plotë e procesit zgjedhor, duke e cilësuar kërkesën e PS-së një pretekst për të rrëzuar qeverinë nëpërmjet rrugëve ekstraparlamentare. Këtë qëndrim të maxhorancës Ruçi e cilësoi si mungesë të vullnetit politik për të bashkëpunuar dhe frikë nga zbardhja e skemës së manipulimit të zgjedhjeve. Për këtë qëllim, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së kërkoi tërheqjen e dy nismave të PS-së, si atë për ndryshimet në ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare, ashtu dhe atë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Por kjo kërkesë e Ruçit u rrëzua nga PD-ja.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se nismën e PS-së, Partia Demokratike do ta votojë për t’u treguar shqiptarëve se di të mbajë premtimet për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Por kjo u cilësua shkelje e hapur e Rregullores së Kuvendit dhe përkatësisht nenit 72 që parashikon se nismëtarët kanë të drejtë të tërheqin nismën e tyre. Madje Ruçi kërkoi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, por kjo kërkesë u rrëzua nga Topalli, e cila tha se në momentin e votimit nuk ndërpritet seanca. Më pas, në sallën e Kuvendit u krijua kaos për shkak se Topalli nisi të thërrasë një për një emrat e deputetëve firmëtarë të nismave të PS-së, të cilëve u kërkonte të deklaronin se tërhiqnin nga votimi nismat e tyre. Më pas ajo hapi procesin e votimit dhe me 73 votat pro të maxhorancës u miratua ngritja e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, në të cilin opozita ka të drejtën e shumicës dhe postin e kryetarit. Sipas vendimit të miratuar, ky komision ka të drejtën e hetimit të procesit zgjedhor, përveç atyre rasteve për të cilat ekziston një vendim gjykate. Ndërkaq, Kuvendi nuk miratoi kërkesën e PS-së për ndryshimin e ligjit ekzistues për funksionimin e komisioneve hetimore.
Debati
Para miratimit të nismës, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Ruçi, u shpreh se opozita i ka dhënë një shans maxhorancës për të zgjidhur krizën politikë në vend, por ajo po tregon se nuk ka vullnetin për ta zgjidhur këtë krizë. “Diskutimet tona nuk synojnë të gjejnë një shteg në rrugët e pafundme të së drejtës. Kriza është politike dhe ka vetëm një mënyrë për ta zgjidhur: vullnet politik. Këtë nuk duan ta kuptojnë kolegët e PD-së që po sfidojnë demokracinë dhe fatet e vendit. Juridikisht nuk ka asnjë pengesë që të hetohet në mënyrë të menjëhershme nga Kuvendi se çfarë ndodhi më 28 qershor nuk e pengon as Kushtetuta dhe as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, as këshillat e Komisionit të Venecias dhe as precedenti i zgjedhjeve të 2005-s, por e pengon vetëm qëndrimi refraktar i Sali Berishës, sepse ka frikë dhe se i trembet të vërtetës. Rruga që kemi zgjedhur ka vetëm një faturë të padëshirueshme. Këtë faturë do ta paguani ju, zoti Berisha”, - është shprehur Ruçi. Ai i kujtoi PD-së sfidën që i bëri Berishës në seancën e betimit të deputetëve të PS-së se ai do të hiqte dorë nga mandati në rast se hapet vetëm kutia e Ruzhdies. Ruçi tha se kutia e Ruzhdies u hap dhe shqiptarët u njohën me manipulimin e zgjedhjeve, por Ruzhdie, sipas Ruçit, gjenden në të gjithë Shqipërinë. “Kutia e Ruzhdies u hap dhe atje u derdh lumi i manipulimit të zgjedhjeve dhe ne mësuam se kemi pasur të drejtë për kërcënimin dhe dhunimin e komisionerëve, për votimin e paqenë të emigrantëve, për kartat e falsifikuara të identitetit, si dhe për votimin familjar. Por ka dhe më shumë Ruzhdie, pasi ky është një fenomen që e gjen në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Berat, Vlorë, Durrës, Lezhë”, - është shprehur Ruçi, ndërsa deklaroi se do të sfidojë për herë të tretë kryeministrin Berisha. Duke iu referuar padisë që Ministria e Brendshme ka bërë kundër Ruçit për publikimin e kartave të falsifikuara të identitetit, Ruçi sfidoi Berishën që të përballet me drejtësinë edhe ai. “Hajde dhe ti vetë përpara drejtësisë në të njëjtën kohë me mua. Akuzën zgjidhe vetë, në daç piramidat, ose naftën që ia dhe Millosheviçit, tragjedinë e 97-s, grushtin e shtetit në ’98-n, vrasjet e shumta, deri tek i ndjeri Xhindi, në daç vrasjet e Gërdecit, korrupsionin e rrugës Durrës-Kukës, korrupsionin e energjisë që përmbyti Shkodrën, koncesionet e panumërta apo krimin elektoral të 2009-s. Në emër të PS-së ju bëj apel të gjeni forcë dhe kurajë, të gjeni mirëkuptimin të miratoni dy nismat tona. Nëse ky vullnet do të mungojë sot në votimin në parim, ne do të tërheqim dy nismat tona. Populli do t’u dalë për zot fateve të tij, ne do të jemi bashkë me të”, - ka përfunduar fjalën e tij kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi.
Pas tij ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ai e ka cilësuar kërkesën e PS-së si një përpjekje për të rrëzuar qeverinë me rrugë ekstraparlamentare. Sipas Patozit, nuk mund të pranohen ultimatumet e PS-së për të shkelur Kushtetutën ndaj dhe maxhoranca nuk mund të pranojë nismat e PS-së pa i amenduar ato. “Nuk mund të ketë asnjë rast tjetër në botë që të miratohet një ligj që kapërcen mbi Kushtetutën. Po kërkohet një ligj që t’u bëhet proces 20 mijë numëruesve dhe komisionerëve të PS-së. Ju keni një problem të brendshëm. Jeni kthyer në një repart të hallakatur në mbrojtje të kryetarit. Ai thjesht nuk po kapërdin dot trishtimin e humbjes. Midis jush ka politikanë me eksperiencë, por në këtë seancë keni bërë prezantimin më të keq, dhe kjo vjen sepse nuk ka kauzë. Shumica prej jush nuk e besojnë legjendën e transparencës që fshihet në kutitë. Për fat të keq ju thoni transparencë vetëm se nuk pranoni se keni humbur zgjedhjet. Ju po kërkoni rrëzimin e qeverisë jo me votë, por me rrugë ekstraparlamentare. Edi Rama, nëpërmjet këtyre nismave, kërkon të jetë edhe prokuror i Përgjithshëm, edhe kryegjykatës. Ju po kërkoni që me ligj ta shndërroni pakicën në shumicë. Por kjo është e pamundur. Ndonjë ditë kryetarit tuaj i shkrepet në mend të thotë se nuk vijmë në Parlament nëse nuk na jepni postin e kryeministrit”, - është shprehur Patozi. Pas këtij reagimi Ruçi kërkoi tërheqjen e nismave të PS-së, por kjo kërkesë e tij u rrëzua nga kryetarja e kuvendit, e cila e hodhi për miratim kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar, vendim që u miratua nga 73 deputetët e PD-së, duke shënuar përfundimin e seancës maratonë.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›