E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Partia Socialiste përgatitet për nisjen e protestave më 20 mars



Pasi u bë e qartë në epilog të punimeve të Kuvendit se nuk do të arrihej një kompromis midis PS-së dhe PD-së për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit, drejtuesit më të lartë socialistë mësohet se kanë filluar përgatitjet konkrete për organizimin e protestave në të gjithë vendin. Për këtë qëllim, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka zhvilluar dje në mesditë një takim me drejtuesit më të lartë socialistë në rrethe, me qëllim fillimin nga puna për organizimin e protestave. Siç është bërë e ditur jozyrtarisht, turi i ri i protestave do të fillojë më datë 20 mars. Opsioni i nisjes së protestave ishte artikuluar shumë qartë nga krerët e PS-së në rast se nuk do të arrihej një kompromis për hapjen e kutive. Teknikisht PS-ja u përqendrua në dy pista, në atë të dialogut politik e parlamentar për arritjen e një kompromisi dhe, në rast dështimi të kësaj alternative, pista tjetër e socialistëve do të ishin protestat, të cilat do të synojnë largimin e qeverisë dhe afrimin e zgjedhjeve të parakohshme. Nisur nga zhvillimet parlamentare, pasi maxhoranca nuk pranon hapjen e kutive, selisë rozë nuk i mbetet rrugë tjetër veç nisjes së serialit të tubimeve masive. Ky zhvillim pritet ta përshkallëzojë më keq situatën politike në vend duke shtuar më shumë enigmat lidhur me mundësinë e kapërcimit të krizës politike.
Takimi
Kryetari socialist, takimin me drejtuesit më të lartë socialistë në rrethe e ka bërë larg publicitetit në media, por gjithsesi, detaje të përgjithshme të qëllimit të këtij takimi kanë mundur të rrjedhin. Për të bërë një panoramë të këtij takimi ka folur kryetari i Partisë Socialiste në Berat, Selman Hodaj. "Bëmë një mbledhje me kryetarin dhe vendosëm në fund që të mbështesim kryetarin dhe strukturat drejtuese në kauzën tonë për të hapur kutitë dhe të bëjmë transparencën e zgjedhjeve. Do të vendosim për hapat e mëtejshëm për të arritur qëllimin e PS-së", - tha Selman Hodaj.
Qëndrimi
Kreu i PS-së, Rama, i kishte bërë të qartë maxhorancës se hetimi i këtyre zgjedhjeve nuk do të sillte ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve, gjë së cilës maxhoranca i trembej, por do t’i jepte fund një procesi të gjatë zgjedhor korruptiv dhe manipulues. Sipas kreut të selisë rozë, kutitë duhet të hapeshin jo për të rinumëruar votat, por për të hetuar numërimin në një proces ku sipas vetë OSBE/ODIHR-it, në një të tretën e tij numërimi ka qenë i keq dhe shumë i keq. Gjithashtu, edhe në dokumentacionin zgjedhor ku, ashtu si në Ruzhdie, siç ka bërë të ditur PS-ja, janë bërë në një numër shumë kritik rastesh manipulimi që nuk duhet të përsëriten kurrë më. Kërkesa e PS-së për hetimin e zgjedhjeve nuk kishte të bënte me vendimet e KQZ-së e të Kolegjit Zgjedhor. Sipas selisë rozë, hetimi do të bëhej për të verifikuar zbatimin e legjislacionit gjatë një procesi zgjedhor të dyshimtë e të kontestuar. Për të identifikuar problemet që duhen zgjidhur për të ardhmen duke propozuar ndryshimet përkatëse ligjore dhe për të hedhur dritë mbi përgjegjësitë eventuale për moszbatimin e ligjeve në fuqi, të cilat, ashtu siç e përcakton ligji për hetimin parlamentar, komisioni hetimor ua çon për ndjekje të mëtejshme organeve të Drejtësisë.

20 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›