E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet akcizat për alkoolin dhe cigaren

Komisioni i Ekonomisë miratoi sot ndryshimet në ligjin për “Akcizat”, i cili parashikon gjithashtu, që duke nisur nga data 1 Korrik e këtij viti, akcizat për alkoolin, cigaren, kafenë dhe karburantet pritet të aplikohet në një formë të ndryshme.

Zëvendësministri i Financave Alfred Rushaj, i pranishëm në komision, sqaroi se ndryshimet e propozuara parashikojnë vjeljen e akcizës për mallrat e listës duke u bazuar mbi përbërjen neto të produktit. "Nga ndryshimet e propozuara pritet të preket vetëm pijet me përqindje të lartë alkooli, vendim ky që nuk prek konsumatorin", deklaroi Rushaj. Sipas p/ligjit, akciza e cigareve do të mblidhet jo më sipas paketës por mbi 1 000 cigare. Për çdo 1 000 cigare, shteti do të vjelë 3 500 lekë akcizë.

Edhe në rastin e cigareve nuk kemi të bëjmë me rritje të akcizës pasi 3 500 lekë do të mblidheshin edhe nëse 1 000 cigaret do të ndaheshin në 50 paketa me nga 20 cigare. Ndryshimi bëhet me qëllim shmangien e devijimeve nga detyrimi apo taksimin pa të drejtë i duhanpirësve. Aktualisht, në treg qarkullojnë paketa me numër të ndryshëm cigaresh, siç janë për shembull paketat me 10 cigare apo me 25 krahas atyre standarde me nga 20 të tilla.

Aktualisht akciza për çdo litër naftë apo benzinë që hyn në vend llogaritet 37 lekë, akciza për cigaret është 70 lekë për paketë, kurse për verën varion nga 20 deri në 35 lekë për litër në varësi të sasisë së prodhimi. Për sa i përket birrës, ajo është ndarë në katër shkallë për të favorizuar prodhuesit vendas.

Minimumi i akcizës për birrën është 10 lekë për litër për ata që prodhojnë pak dhe 30 lekë për litër për ata që prodhojnë më shumë. Mallra të akcizës, të cilat sjellin të ardhura të konsiderueshme në buxhetin e shtetit, pas Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, janë cigaret, karburantet dhe pijet alkoolike. Këto janë mallra tradicionalë, ndërkohë, qeveria futi në listë gomat, ambalazhet plastike dhe ato të qelqit./Start/    

                                                                                             2012-04-10 15:17
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›