E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, në prag deflacioni

Kreu i INSTAT, Ines Nurja

INSTAT për muajin mars: Inflacioni shënoi vlerën një për qind.

Vendimet e politikës monetare, efekt të kundërt.

Ky vit po shfaqet krejt e kundërta e vitit 2011, nëse i referohemi inflacionit. Në muajin mars ai shënoi vlerën një për qind, që pak apo shumë përbën sinjal për një deflacion të mundshëm. Duke përjashtuar notat e alarmit, pa dyshim që qëndrimi në nivele kaq të ulëta e inflacionit është tregues i një sërë efekteve që ka dhënë në treg sjellja konsumatore dhe politika monetare. Ulja e vazhdueshme e normës bazë të interesit të lekut duket se nuk është transmetuar siç duhet në treg dhe konsumatorët kanë vijuar me sjelljen e tyre konservatore për të mos shpenzuar. Një ulje e vazhdueshme e normës dhe një qëndrim statik nga ana e qytetarëve ka bërë që leku të zhvlerësohet, por kërkesa të mbetet relativisht e ulët, çka ka bërë që edhe çmimet të pësojnë rritje minimale. Nëse në janar inflacioni ishte 1.7 për qind, në shkurt ai u ul në 0.6 për qind dhe në mars 1 për qind. Ulja e radhës e normës bazë të interesit pritet që efektet ti ketë pak kohë më vonë, por nëse edhe kjo lëvizje tjetër e Bankës së Shqipërisë nuk jep efekt, atëherë do të duhet që të ketë një rishikim të kësaj strategjie për të nxitur konsumin, sepse kjo aktuale, edhe pse në linjë me lëvizjet e institucioneve të tjera bankare në botë, nuk po jep efektin që pritej.
INSTAT
INSTAT vlerëson se në muajin mars pësuan rritje çmimesh disa grupe e nëngrupe, si ushqimet dhe pijet joalkoolike, frutat, por edhe perimet.  Indeksi i grupit ushqime dhe pije joalkoolike shënoi një rritje prej 0.5 përqindësh krahasuar me muajin e mëparshëm. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 1.9 përqindësh, vërehet në nëngrupin fruta. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të mandarinave me 8.7 për qind, bananeve me 1.9 për qind, limonëve me 1.8 për qind, mollëve me 1.7 për qind, portokajve me 0.6 për qind etj. Nëngrupi  zarzavate përfshirë patatet shënoi një rritje prej 0.9 përqindësh, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të domateve me 18.1 për qind, specave me 7.3 për qind, ullinjve me 1.7 për qind etj., si dhe uljen e çmimeve të kastravecëve me 17.7 për qind, spinaqit me 15.2 për qind, preshit me 12.6 për qind, vlerëson INSTAT. Po kështu, rritje kanë pësuar edhe pijet alkoolike dhe duhani, grupi qira, ujë lëndë djegëse, apo edhe transporti. Ulje ka pasur në disa nëngrupe ushqimesh si dhe në grupin veshje dhe këpucë.

Mars 2012
Ushqime dhe pije joalkoolike +0.5%
Pije alkoolike dhe duhan +0.2%
Veshje dhe
këpucë -0.1%
Qira ujë lëndë djegëse dhe energji +0.2
Transporti +1.2
Nafta +2.9%
Benzina +3.6%

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›