E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akciza te Doganat, PS: Do dështojë

Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ekonomisë

Komisioni i Ekonomisë, Ahmetaj: Ska eksperiencë dhe strukturë të mjaftueshme.

Zbatimi nga 1 korriku,  Rushaj: Administratat, një vit që bashkëpunojnë.

Kalimi i administrimit të akcizës për mallrat brenda vendit nga Tatimet te Doganat shihet me skepticizëm nga opozita, duke e gjykuar këtë si një lëvizje të gabuar dhe të papërgjegjshme. Në Komisionin e Ekonomisë, ku dje u diskutua projektligji për akcizat, deputetët e Partisë Socialiste sollën argumentet e qëndrimit të tyre. Për deputetin Arben Ahmetaj, problematika më e madhe që shfaqet është ajo e mungesës së eksperiencës së administratës doganore për mbledhjen e akcizës dhe po kështu edhe mungesa e stafit dhe e strukturave brenda vendit. Kjo ka kosto reale shtesë, sepse në finale Drejtoria e Doganave do të marrë brenda gjenit operues një përgjegjësi të re për të cilën nuk ka as eksperiencë, as punonjës të mjaftueshëm, as strukturë të shtrirë siç duhet brenda vendit. Argumenti bazë qëndron te shqetësimi bazë nëse do të arrijmë ta bëjmë, tha Ahmetaj. Ky argument është hedhur poshtë nga zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, i cili ishte dje para Komisionit për mbrojtjen e ndryshmeve në ligj. Sipas Rushajt, administrata doganore dhe ajo tatimore kanë mbi një vit që punojnë për këto ndryshime dhe se tashmë gjithçka është gati që nga korriku, mbledhja e akcizës të bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Faktori kohë ka qenë një tjetër shqetësim i ngritur nga opozita, duke vlerësuar se afati 1 korrik për fillimin e zbatimit është shumë i afërt dhe nuk garantohet koha e duhur për të implementuar një proces të tillë. Po kështu u kërkua të dihej nëse do të ketë kalim stafi nga administrata tatimore tek ajo doganore. Zëvendësministri Rushaj shpjegoi se punonjësit që kanë eksperiencën e administrimit të akcizës te Tatimet do të kalojnë pranë Doganave, por në thelb do të ruhet numri i punonjësve i miratuar në buxhet. Në fund projektligji u miratua vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa katër deputetë të opozitës vendosën të abstenonin. I vetmi që votoi kundër projektligjit ishte deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Bejtja. Sot pritet që Komisioni i Ekonomisë të vijojë me diskutimin e pjesës tjetër të ligjit për akcizat.

Arsyet
Administrimi i akcizës plotësisht nga Doganat nga ana e Ministrisë së Financave vlerësohet me argumentin e rritjes së eficiencës dhe performancës në mbledhjen e saj. Sipas kësaj ministrie, mallrat e akcizës kanë ardhur gjithnjë në rritje. Një tjetër arsye e ndryshimeve në ligjin për akcizat është ajo e përafrimit me legjislacionin europian sipas direktivave përkatëse.

Procedura sot
Aktualisht administrimi i akcizës në vend bëhet pjesërisht nga Tatimet për mallrat e akcizës që prodhohen brenda vendit dhe pjesërisht nga administrata doganore për ato që importohen. Sipas Financave, një pjesë e mirë e lëndëve të para me të cilat prodhohen mallrat e akcizës, importohen, dhe kjo pjesë kontrollohet nga Doganat, fakt që pritet të ndikojë në rritjen e eficiencës.

Debati në Komisionin e Ekonomisë
Alfred Rushaj:
Projektligji i ri Për akcizën është një nga iniciativat që Ministria e Financave ka ndërmarrë për dy qëllime. E para, për të përmirësuar ndjeshëm administrimin si në fazën e prodhimit, importit, por edhe të pagesës së akcizës për mallrat e akcizës. Së dyti, ky projektligj është edhe në kuadër të përafrimit me legjislacionin europian. Është lënë një kohë e konsiderueshme për futjen në fuqi të këtij projektligji. Ky ligj do të jetë efektiv duke filluar nga data 1 korrik.
Ilir Bejtja: Nuk del e qartë pse pikërisht Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka më tepër kompetencë se ajo e Tatimeve për mbulimin e këtij shërbimi. Si mendohet të mbulohet territori, pasi ska dogana kudo? Ju thatë për lëndët e para. Me sa di unë, ato nuk paguajnë aktualisht akcizë. Ma sqaroni nëse bëhet fjalë për kompetencën e administratave. Në administratën tatimore është maturuar tashmë kjo eksperiencë. Nuk do të ishte më e lehtë që administrimi të bëhej te Tatimet sesa te Doganat, që ka problemet e mbulimit të territorit?
Alfred Rushaj: Kur fola për lëndë të para, nuk kisha parasysh lëndë që paguajnë akcizë në import, por prodhues të mallrave të akcizës që importojnë lëndë të para për të prodhuar këto mallra të akcizës. Atëherë përqendrimi në një dorë të vetme si i hyrjes së lëndës së parë dhe i produkteve të gatshme që nxirren duke administruar lëndë të para është shumë më efikas dhe më i kontrollueshëm nëse bëhet përmes një administrate të vetme.
Ervin Koçi: Si ka qenë përformanca e administratës doganore dhe tatimore në mbledhjen e akcizës për mallrat që administrohen aktualisht dhe a mendoni që ka kapacitetet e nevojshme duke pasur këtë eksperiencë të administruar me akcizën në prodhim? A do të ketë rritje të punonjësve në administratën doganore nga marrja e këtyre kompetencave? Deri në datën 1 korrik, që mendohet që ligji do të hyjë në fuqi, mendoni që do të jetë krijuar infrastruktura e nevojshme?
Alfred Rushaj: Mallrat kryesore të akcizës kanë ardhur vazhdimisht në rritje. Mesatarja nga viti në vit është në rritje. Ka një pjesë të administratës tatimore që merren me akcizën. Nga kjo kategori ata që kanë eksperiencë do të mund të kalojnë te administrata doganore, pra do të jenë pjesë e strukturave të saj.
Arben Ahmetaj: Ajo që është shqetësim për ne është  transferimi i një përgjegjësie nga një administratë në një tjetër. Nuk po e gjykojmë të drejtë apo të gabuar, por nuk ka argumente bindëse pse transferohet një përgjegjësi, siç është mbledhja e akcizës nga Tatimet te Doganat. Kjo ka kosto reale shtesë dhe teknologjike, sepse në finale, Drejtoria e Doganave do marrë brenda gjenit operues një përgjegjësi të re për të cilën nuk ka as eksperiencën, as punonjës të mjaftueshëm dhe as strukturë të shtrirë siç duhet brenda vendit. Argumenti bazë qëndron te shqetësimi bazë nëse do të arrijmë ta bëjmë.
Alfred Rushaj: Shqetësimi për territorin për Doganat është një shqetësim që nuk qëndron. Në çdo rreth të vendit ka degë doganore, dhe ato janë pranë thuajse çdo qyteti apo vendi ku ka prodhues akcize. Administrata doganore do ta monitorojë online këtë proces, por edhe kontrollet fizike do të jenë të pranishme.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›