Rritet cmimi i sigurimit te automjeteve shkak aksidentet

Çmimet e sigurimit të automjeteve kanë shënuar një rritje të ndjeshme duke filluar që nga e hëna e kësaj jave. Nëpër sportelet e agjencive të sigurimeve policat një vjeçare tashmë shiten me 156 mijë lekë nga 146 mijë që shiteshin deri javës së shkuar, ose përafërsisht 7 % më të shtrenjta. Sipas kompanive rritja është aplikuar vetëm për mjetet e klasit “B”, pra të autoveturave. Bëhet fjalë për rritjen e dytë të tarifave të sigurimit për vitin 2012. Në 1 shkurt të këtij viti, kompanitë i dyfishuan çmimet e policave të sigurimit të automjeteve, rritje që sipas tyre erdhi si rezultat i një vendimi të Autoritetit të Mbikëqyrjes financiare i cili i detyronte shoqëritë të mos shisnin polica sigurimi në kuotën e riskut. Sipas kompanive të sigurimit rritja ka ardhur për shtimin e numrit të aksidenteve me vdekje, të cilat, sipas kompanive, peshojnë më rëndë në bilancet e tyre. Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes financiare, dëmet e paguara bruto si dhe pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-korrik 2012 u rritën me rreth 35.28 % krahasuar me janar-korrik të vitit 2011. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,219 milion lekë, apo 71.37 % të totalit të dëmeve të paguara bruto. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik arritën rreth 2,315 milionë lekë, ose rreth 0.33 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sigurimi i automjeteve, gjatë periudhës janar-korrik 2012 pati rritje prej 27.43 % për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një rritje prej 1.91 % krahasuar me janar-korrik të vitit 2011.