E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet deri në 8 lekë çmimi i karburanteve në kryeqytet

19/05/2009  Prej një muaji nafta stabël në 110 lekë për litër dhe benzina në 108 lekë

Rritet deri në 8 lekë çmimi i një litri nafte në pikat e shitjes së karburanteve në kryeqytet. Edhe pse ky çmim mbeti i pandryshuar prej më shumë se një muaji, gjatë fundjavës së kaluar në disa pika çmimi arriti në 113 lekë dhe 1 litër eurodiezel me 119 lekë. Ndërsa një muaj më parë këto çmime ishin përkatësisht 110 lekë për litër për naftën e cilësisë së dytë dhe 115 lekë për naftën eurodiezel. Ndërsa 1 litër benzinë është shitur me 116 lekë, kur më parë ishte me 108 lekë. Në këtë ndryshim të çmimit, sipas tregtarëve në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve në kryeqytet ka ndikuar jo vetëm rritja e çmimit të karburanteve në tregun e huaj, por edhe vendosja e akzicës fikse. Në tregun ndërkombëtar parashikohet sërish një rritje gjatë këtij viti, deri në 60 dollarë për fuçi.

Rritja dhe tregu

Kjo rritje e çmimeve të karburanteve pason rritjen e fundit të bërë me 10 lekë për litër më 19 mars. Në këtë kohë, kompania ARMO e privatizuar hodhi në treg për herë të parë, naftën e cilësisë së mirë ose ndryshe eurodizelin, me përqindje shumë të vogël squfuri, çka e bën me cilësi më të mirë se ai i importit. Drejtuesit e kompanisë ARMO bënë të ditur se hedhja në qarkullimin e eurodizelit vendas do të ndikonte në uljen e çmimeve, por kjo gjë nuk ndodhi, duke mos sjellë asnjë përfitim për konsumatorët. Dy rritjet e fundit të çmimeve të karburanteve pasuan uljen e fundit të çmimeve me 5 lekë për litër këtë vit më 12 janar, ashtu si dhe në fundin e vitit të kaluar po me 5 lekë për litër.

Nafta e zhdoganuar

Edhe pse me çmim më të shtrenjtë, shqiptarët kanë vijuar të konsumojnë të njëjtën sasi karburantesh. Nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Doganave rezulton se gjatë dy muajve të parë të këtij viti, janë zhdoganuar mbi 58 mijë ton karburante, duke shënuar një rritje prej 27 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Importuesit e karburanteve ia faturuan rritjen e akcizës, çmimit për konsumatorët. Këta të fundit gjithsesi nuk hoqën dorë nga konsumi. Në periudhën kur nafta në tregun ndërkombëtar kapi shifrën prej 160 dollarë për fuçi, sërish konsumi në Shqipëri nuk pësoi ulje. Krahas kësaj, në vend u vu re edhe një rritje e shitjeve të makinave.

Hetimi

Autoriteti i Konkurrencës duhet të bënte publike të dhënat e hetimit në tregun e karburanteve që në muajin mars. Në fazën e parë kompanitë importuese që u përfshinë në hetim u njohën me rezultatet paraprake, të cilat u kundërshtuan prej tyre. “Për ti ballafaquar më me detaje faktet, ne u lamë kohë kompanive të gjithë muajin shkurt, që ata të sjellin prova, nëse kanë, në mënyrë që të justifikojnë pretendimin kundër raportit tonë,” - janë shprehur drejtues të Autoritetit të Konkurrencës. Por sërish asnjë rezultat përfundimtar nuk është bërë publik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›