Biznesi: Gjykata Administrative jep zgjidhje për referencat dhe taksat e larta
Konfindustria, duke marrë shkak nga mundësia e rritjes së paarsyetuar të detyrimeve fiskale të biznesit, si pasojë e rivlerësimit të bilanceve, duke zbatuar sistemin e shumëpërfolur të referencave nga administrata fiskale, shqetësim i paraqitur së fundmi edhe nga përfaqësues të opozitës, kërkon edhe njëherë krijimin sa më të shpejtë të Gjykatave Administrative si institucionin e vetëm, që do të mund të japë zgjidhje të drejta edhe të çështjeve në fjalë. Konfindustria, nisur dhe nga rasti i mësipërm, i kërkon përfaqësuesve të opozitës, që të mos mjaftohen duke dhënë si zgjidhje të problemit shqetësues të rritjes së paarsyetuar të detyrimeve të biznesit vetëm duke u bërë thirrje publike nëpunësve tatimore në interpretimin e ligjit, por të tregojnë me vepra se janë për zgjidhje të qëndrueshme, institucionale dhe afatgjatë, duke dhënë votat e tyre për të miratuar projektligjin përkatës, për të ndërtuar Gjykatën Administrative brenda legjislaturës në vazhdim deri në 28 maj 2009. Zgjidhja e përplasjes ndërmjet biznesit dhe institucioneve fiskale nuk mund të lihet vetëm në ndërgjegjen dhe dëshirën e këtyre të fundit/autorë të keqinterpretimit të ligjit, sikundër ndodh deri më tash, por duhet të ketë një palë të tretë të pavarur, të shpejtë dhe profesionale për të dhënë vendimin përfundimtar, sikurse është parashikuar të jetë Gjykata Administrative. Gjykata Administrative profesionale, me procedura të përshpejtuara dhe e pavarur nga ekzekutivi, sikurse edhe është parashikuar në projektligjin që ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë për miratim, ndërtuar sipas standardeve të vendeve të zhvilluara të botës demokratike, është zgjidhja e duhur në afatgjatë edhe e shqetësimit të drejtë të paraqitur se fundmi edhe nga përfaqësuesit e opozitës. Përndryshe, gjetja e zgjidhjes së keqinterpretimit të ligjit vetëm duke e lënë zgjidhjen në dorë të nëpunësve shtetërorë, njëkohësisht shkelës të ligjit, është në rastin më të mirë e gabuar profesionalisht. Në rastin më të keq dhënia e një zgjidhjeje të tillë tregon mungesën e dëshirës dhe të vullnetit politik për të ndryshuar gjendjen e tashme krejtësisht të pafavorshme për biznesin dhe vazhdimësinë e lënies së tij në subjektivizmin e ekzekutivit.