Rritet ekonomia globale dhe ajo e Bashkimit Europian
Sipas marrëveshjes së arritur në Washington, vendet e G-20 angazhohen për rritjen me 430 miliardë dollarë të burimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Madje vendet e G-20 në një komunikatë të tyre finale kërkojnë: “një angazhim konkret për të rritur burimet e disponueshme për Fondin Monetar Ndërkombëtar me më shumë se 430 miliardë dollarë. Këto burime do të jenë të disponueshme për të gjithë anëtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe jo për ndonjë rajon në veçanti”. “Ky sforcim bashkë me ndërhyrjet strukturore, ato fiskale dhe monetare në nivele kombëtare dhe rajonale që janë bërë në muajt e fundit, dëshmon angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për të shpëtuar stabilietetitn global dhe për të vënë në baza të forta rritjen ekonomike globale” . Vlen të përmendet ndërkaq se vende si Rusia, Kina por edhe vende të tjera do të garantojnë burimet me rreth 72 miliardë dollarë. Sidoqoftë objektivi i Drejtoreshës Lagarde ishte të arrihej shifra e 600 miliardëve, të paktën po t’i referohemi deklaratës të janarit të këtij viti, por gjithsesi vetë Drejtoresha është shprehur se edhe me 400 miliardë dollarë “sot rreziku është më i vogël’. Në këtë takim ka marrë pjesë padyshim edhe presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi, i cili në përfundim të këtij takimi ka theksuar se: “Italia dhe Spanja janë duke bërë progres ajo që kanë bërë është dukshme, edhe pse duhet të punojnë ende”. Nga ana tjetër edhe liderët e tjerë të politikës dhe financës botërore kanë vënë re, se do të arrihen marrëveshje për forcimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Rritja ekonomike globale është modeste” – lexohet në komunikatën finale të G-20, sakaq G-20 “do të vigjëlojë” mbi çmimet e larta të naftës dhe është i gatshëm të ndërmarrë aksione të nevojshme për të siguruar furnizimet. Sidoqoftë - sipas Kristine Lagarde - këto 430 miliardë dollarë flasin për një dyfishim të burimeve që egzistonin më parë. “Kjo lëvizje - sipas Drejtoreshës të Fondit Monetar Ndërkombëtar - tregon vullnetin e bashkësisë ndërkombëtare për të siguruar stabilitetin global dhe për një ecje më të sigurtë të ekonomisë globale. Për vendin fqinj të Italisë duket se ka ardhur edhe një fitore tjetër sepse që këtej e tutje ekonomia e këtij vendi jnuk do të jetë më e monitoruar. Flitet për reformat që po bën vendi fqinj për daljen nga kriza. Edhe zv/ministri i ekonomisë, Vitorio Grilli, në përfundim të mbledhjes të G-20 ka nënvizuar se: “të gjithë po vëzhgojnë të gjithë sepse ndodhemi në një fazë delikate por Italia ka hyrë në një fazë të kontrolleve rutinë”. Edhe partnerët e Italisë kanë shprehur konsideratat e tyre. Italia është duke ecur në rrugën e duhur por ka ende për të bërë. Një një vend tjetër të Bashkimit Europian si Gjermania ka sinjale positive. Sipas sondazheve është rritur besimi në firmat, po ulet papunësia dhe në të njëjtën kohë po rritet edhe kërkesa e brendshme. Situate makroekonomike e Gjermanisë, e cila është ndërkaq ekonomia e parë e Bashkimit Europian dhe e katra në botë, po shkëputet çdo ditë dhe më shumë nga kriza. Madje të dhënat për këtë janë me të vërtetë marramendëse. Një eksport të madh në sektorë të ndryshëm të manifakturës dhe në teknologji por më së shumti vihet re një progres në firmat e mesme. Madje dhe Dax 30, (firmat e mëdha gjermane të kuotuar në Bursën e Frankfurtit) vazhdojnë të realizojnë rekorde të cilat hera –herës arrijnë dyfishimin e tyre ose diçka më poshtë si në rastet e Volkswagen apo të Bmv – së. Sipas të dhënave mbi ekonominë gjermane të hartuar nga ekonomistët më prestigjozë të financave federale, këtë vit megjithë situatën e rëndë të Eurozonës ekonomia gjermane do të ketë veçse rritje. Madje do të ketë një rritje, edhe pse të pakët, të Gdp, me 0,9%, që sidoqoftë konsiderohet ndër më të mirat e Eurozonës ndërsa në vitin e ardhshëm do të ketë një rritje mesatare prej 2%. Rritja e qëndrueshme e kërkesës së brendshme, - sipas raportit të ekonomistëve federalë – do të kompensojë uljen e pjesës tjetër të vendeve të Eurozonës. Ekspertët shohin si një rrezik të mundshëm rritjen e inflacionit.
...