E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet fluksi i daljes së emigrantëve shqiptarë

27/08/2010 Kakavijë, pala shqiptare punon me 6 sportele

KAKAVIJE - Nga dita në ditë, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, 30 km larg Gjirokastrës që lidh Shqipërinë me Greqinë, po regjistrohet rritje e numrit të emigrantëve shqiptarë që pas pushimeve verore pranë të afërmeve, u drejtohen vendeve të punës në shtetin fqinj.

Drejtoria rajonale e Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës bëri të ditur se, "përmes Kakavijës kanë dalë nga Shqipëria gjatë 16 orëve të fundit mbi 7 mijë emigrantë, 2100 automjete, si dhe 50 autobusë të linjës ndërkombëtare Athinë -Tiranë". Të njëjtat burime thanë se aktualisht pala shqiptare punon me 6 sportele në dalje, ndërsa ajo greke me 3 sportele në hyrje.

Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika kufitare, ajo e Kakavijës dhe "Tre Urat", që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut, rreth 50 kilometra larg Gjirokastrës, në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›