Rritet kredia në lekë
Rritet kreditimi në monedhën vendase. Ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit bankat kanë dhënë më shumë kredi në monedhën vendase sesa në valutë. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë “Ecuria e kredisë sipas monedhave shpreh tendencën e bankave për të zhvendosur aktivitetin kreditues nga kreditimi në monedhë të huaj, në lekë”. Në fund të muajit shkurt kredia në lekë përbën 29 për qind të portofolit të kredisë, duke u rritur me 2 pikë përqindje krahasuar me peshën mesatare që përbënte gjatë vitit 2008. “Kjo zhvendosje vlerësohet si një zhvillim pozitiv në sistemin tonë bankar. Një vëmendje më e madhe e bankave për kreditimin në lekë krijon më shumë hapësira për rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe ndikimin e saj në sjelljen e agjentëve ekonomikë. Gjithashtu, zhvendosja e portofolit të kredisë në monedhën vendase do të ulte ekspozimin e zhvillimeve të sistemit bankar nga lëvizjet e kursit të këmbimit dhe do të kontribuonte në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend”, thuhet në raportin e bankës. Normat e interesit të kredisë kanë mbetur pothuajse të pandryshuara gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar politikat më të kujdesshme të bankave në kredidhënie.