Rritet niveli i ujit në HEC-e, hapen portat e Fierzës. Rrezik për përmbytje
Shkodër- Shirat e rënë gjatë këtyre ditëve kanë rritur ndjeshëm prurjet në lumin Drin dhe për pasojë kjo ka bërë që niveli i Fierzës të arrijë në pikën kritike duke bërë që të hapen portat e HEC-it.
Edhe pse u premtua që situata ishte në kontroll, shkarkimet filluan pak pas mesnate dhe mësohet se është hapur porta numër tre, e cila po nxjerr rreth 500 metër kub ujë në sekondë.
Pika kritike është 296 metra, ndërsa uji i kaloi 296.5 metrat, ndërkohë që sipas specilaistëve rregullorja parashikon hapjen e portave në nivelin e 290 metrave. Por ata thonë se kjo masë erdhi për të shmangur një përmbytje të ngjashme me ato të viteve më parë në Shkodër.
Rritja e nivelit të ujit ka bërë që të hapen portat edhe në hidrocentralin e Komanit, ku edhe aty është hapur porta numër tre, e cila po nxjerr 700 metër kub ujë në sekondë. Ndërkohë e njëjta situatë është edhe në Vun e Dejës, ku edhe aty nisën shkarkime.
Nëse vijohet me shkarkimet pritet që situata në ultësirën e Nënshkodrës të përkeqësohet, pasi aktualisht dhjetra hektarë tokë janë në ujë.