Rritet numri i kërkesave për asistencë sociale
Numri i familjeve që kërkojnë asistencë sociale në Qendrën Rajonale për punë Sociale në Pejë është çdo ditë në rritje, pohojnë drejtuesit e kësaj qendre.
Drita Kelmendi Kuka, drejtoreshë e kësaj Qendre, thotë se numri i familjeve që kërkojnë asistencë sociale këtë vit është më i madh
krahasuar me vitet e kaluara.
“Në janar kemi pasur 1540 familje, në shkurt kemi prapë rritje nga 1540 në 1584 familje, të cilat kanë paraqitur kërkesën për asistencë sociale”, ka thënë Kuka, sipas së cilës gjatë stinës së dimrit zakonisht rritet numri i familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar.
Ajo thotë se Qendra për punë sociale për shkak të limiteve buxhetore dhe kritereve të ashpra që duhet të përmbushen për t’u bërë përfitues i asistencës sociale, nuk ka mundësi t’iu dalë në ndihmë të gjitha familjeve të
varfra që paraqesin kërkesë për asistencë.
Për më tepër, Kuka shpreson se së shpejti do të ndryshohet ligji për të ndryshuar kriteret, të cilat sipas saj janë mjaft të rënda duke marrë parasysh gjendjen e vështirë të popullatës.
“Shpresojmë që së shpejti të ndryshojë ky ligj dhe të zbuten kriteret e përfituesve të asistencës sociale, pasi që ky numër kaq i madh i kërkesave tregon për shkallën shumë të lartë të papunësisë në komunën tonë, si dhe mbylljen e shumë ndërmarrjeve dhe fabrikave që dikur kanë funksionuar”, ka thënë Kuka. /kosovapress/