E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjencat, Tavo: Më shumë etikë me pacientët

Ministri i Shëndetësisë, Tavo

Për Urgjencën e Tiranës shumë shpejt do të merren masa për shkak të shkeljes së etikës nga personeli. Ka mjaftuar ankimi i një qytetari, që ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, të kërkojë më shumë përgjegjshmëri nga bluzat e bardha, aq më shumë gjatë sezonit turistik. Sjellja e punonjësve të Shëndetësisë në çdo rast duhet të justifikojë bluzën e bardhë që mbajnë. Nuk do të doja që raste të veçuara, si Urgjenca e Tiranës, të përsëriten, u shpreh dje Tavo, gjatë takimit me drejtuesit e institucioneve shëndetësore të kryeqytetit. Duke marrë shembull shqetësimin e një qytetari të kryeqytetit, Tavo theksoi se rasti në fjalë po analizohet në strukturat e Tiranës dhe do të shoqërohet me masat përkatëse, duke mos mbetur thjesht në kuadër të konstatimit. Kërkoj nga ju respektim të orarit të shërbimit, sidomos turnit të dytë, në orët e vona të pasdites. Në çdo rast popullata duhet të marrë shërbimin shëndetësor dhe të ketë informimin e duhur, ku të adresohet në rast nevoje. Ministri, gjatë takimit, u fokusua në rritjen e gatishmërisë gjatë sezonit të verës, sidomos ndaj shtresave më të prekura nga temperaturat. Doja të tërhiqja dhe një herë vëmendjen ndaj sistemit shëndetësor për të qenë në gatishmëri të plotë dhe për të organizuar punën me të gjithë stafin mjekësor gjatë muajit gusht. Duhet tu referoheni me kujdes, në çdo rast, protokolleve mjekësore për moshën e tretë, tashmë të disponueshme nga të gjithë, u shpreh Tavo.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›