E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet shuma e kompensimit të energjisë

08/04/2010 Të gjithë qytetarët, të cilët janë përfitues të skemës së ndihmës sociale, si pjesë e shtresave në nevojë, do të përfitojnë një rritje të shumës së parave të kompensimit për energjinë elektrike. Qeveria ka vendosur dje që të rrisë me 140 lekë të reja në muaj shumën për çdo përfitues, duke e çuar në total masën e kompensimit të energjisë në shumën 640 lekë/muaj për çdo përfitues. Ky ndryshim është bërë duke marrë në konsideratë rritjen e çmimit të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë. Disa nga kategoritë që përfitojnë nga ky vendim janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjarët që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të punësuar në sektorin publik apo privat. Përfitues të shumës së re janë edhe kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, pa të ardhura. Gjithashtu, rritje të kompensimit nga ana e buxhetit të shtetit përfitojnë edhe familjet e punonjësve buxhetorë me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë, në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të vetëpunësuar në sektorin privat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›