E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia po vepron kundër ligjit me sheshin

08/04/2010 Ministria e Kulturës

Ministria e Kulturës ka denoncuar dje nisjen e punimeve në sheshin "Skënderbej", me pretendimin se po shkelet haptas ligji. Në një dalje të posaçme, drejtori i Trashëgimisë Kulturore tha se nisja e punimeve nuk është bërë konform vendimeve të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Këtë fakt e pohoi dhe kreu i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Valter Shtylla, i cili pohoi se vendimet e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve sanksionuan disa detyrime, të cilat nuk u zbatuan nga pushteti vendor.

Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, sheshi "Skënderbej" është shpallur Ansambël Kulturor dhe ndërhyrjet në të kërkojnë aprovimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Bashkia e kryeqytetit prej disa ditësh ka nisur zbatimin e projektit belg për rehabilitimin e këtij sheshi, duke shmangur jo vetëm marrjen e lejes mjedisore, por edhe lejen e Ministrisë së Kulturës. Ndërkohë, Ministria e Kulturës ka paraqitur dhe disa propozime që i ka dërguar Bashkisë së Tiranës, ku i kërkohej të hiqej dorë nga ndërtimi i kullave mes godinës së hotel “Tiranës”, dhe Muzeut Kombëtar, dhe të një kulle tjetër në afërsi të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, pjerrësia e piramidës në qendër të mos jetë më shumë se 1 për qind.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›