E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Itali, kapet gomonia me 431 kg drogë

TIRANE – Një gomone me 431 kilogramë drogë në bord është bllokuar nga një aksion i përbashkët i Policisë shqiptare dhe italiane. Lajmi është bërë i ditur dje nga Policia shqiptare, e cila tha se droga është bllokuar në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj Italiane gjatë natës së premte. Policia deklaroi se finalizimi i këtij operacioni ishte rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit në kohë të informacionit ndërmjet strukturave policore të të dy vendeve, duke rikonfirmuar dhe një herë bashkëpunimin e vendosur mes policive të dy vendeve. Sipas të dhënave të Policisë, mjeti lundrues është konstatuar nga Qendra Ndërinstitucionele Operacionale Detare Durrës, rreth orës 20:30 të ditës së djeshme, teksa lëvizte me një shpejtësi të madhe. Menjëherë nga Policia u morën masa dhe u përforcuan shërbimet në det dhe në tokë gjatë gjithë vijës bregdetare, duke vënë në lëvizje efektivat e drejtorive rajonale të Policisë Kufitare Durrës dhe Vlorë. Policia tregoi se në ndjekje të këtij mjeti janë vënë shërbimet e Delta Forcës, si dhe mjetet e Guardia di Finanzia në Vlorë dhe në Durrës. Në bordin e këtyre mjeteve mësohet se janë të dislokuar dhe punonjës të Policisë Kufitare Shqiptare, 24 orë pa ndërprerje. Gjatë kësaj kohe, policia tha se u shkëmbye informacion me autoritetet policore Italiane dhe Greke, të cilat organizuan forca dhe mjete për kontrollin e territorit dhe bllokimin e mjetit lundrues. Pas marrjes së këtyre masave, mësohet se nga Policia italiane u bë e mundur që rreth orës 00:45 në Bari, të bllokohej mjeti lundrues varkë me gjatësi 5 metra me motor 80 kuaj fuqi, në bordin e së cilës u gjendën 431 kg kannabis sattiva. Pas bllokimit të këtij mjeti dhe ngarkesës në bord, Policia shqiptare tha se po bashkëpunon me autoritetet policore italiane, për hetimin e plotë të ngjarjes. Ky është rasti i tretë brenda pak javësh kur në drejtim të brigjeve italiane nisen sasi lënde narkotike nga Shqipëria. Në tri raste të mëparshme, droga është kapur e bllokuar nga Policia italiane në mbërritje, falë zbulimit nga shërbimet e mbikëqyrjes së vijës kufitare bregdetare atje. Në rastin e mesnatës së të premtes, ka qenë Policia shqiptare ajo që ka sinjalizuar palën italiane për lëvizjen e mjetit dhe më pas ka organizuar edhe kapjen e gomones me lëndë narkotike. Dyshimet e policisë janë se gomonia mund të jetë nisur nga zona bregdetare e Durrësit.

Skafi nga Greqia, me klandestinë

Gjatë aksionit për kapjen e gomones së identifikuar nga Policia shqiptare, autoritetet policore italiane, gjatë natës së mbrëmshme në vijim të kontrolleve të kryera, bllokuan në zonën Marina di Novalie në afërsi të ishujve jonianë një mjet lundrues gomone me gjatësi 12 metra me dy motorë me nga 250 kuaj fuqi, e cila kishte realizuar transport klandestinësh nga Greqia, si dhe kapën një skafist grek. Kanë qenë pikërisht patrullimet dhe rritja e kontrollit nga Policia italiane pas të dhënave të servirura nga pala shqiptare, ato që kanë shërbyer për identifikimin e gomones në anën tjetër. Sipas Policisë italiane gomonia e cila kishte transportuar klandestinë, ishte nisur nga Greqia në drejtim të vendit fqinj, por ndalimi i saj u bë pasi klandestinët kishin zbarkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›