E Diel, 1 Nëntor 2026

E rreh gruaja, Gjykata: Burri të ruhet me policë

TIRANE – Një 40-vjeçar, baba i 5 fëmijëve, banor në periferi të kryeqytetit, ka kërkuar ndihmë në Gjykatën e Tiranës për nxjerrje urdhri mbrojtje me policë, pasi rrihej nga gruaja e tij. Historia, jo fort e zakonshme për mjedisin shqiptar, ka pasur për protagonistë 40-vjeçarin Y.Sh. dhe bashkëshorten e tij L.Sh., 36 vjeçe. Dhuna kishte shkuar edhe në ekstreme, kur 36-vjeçarja i kishte vënë flakën orendive të banesës. Ndonëse prej 2 vjetësh ajo nuk jetonte me në shtëpi me të, ajo ka vazhduar tia nxijë jetën. Kur nuk ka mundur më të durojë dhunën fizike dhe kërcënimet e bashkëshortes Y.Sh., ka parë si shpëtim të vetmin, gjykatën. Gjykata e Tiranës miratoi pak ditë më parë një urdhër mbrojtje për 40-vjeçarin, me një kohëzgjatje 6-mujore. Sipas këtij vendimi, bashkëshortja e tij nuk duhet të kryejë asnjë vepër dhunë ndaj paditësit Y.Sh. Njëkohësisht, Gjykata urdhëron që ajo as nuk duhet ta kërcënojë, ngacmojë, cënojë apo kontaktojë bashkëshortin e saj. Në shqyrtimin e kërkesës në Gjykatë, e paditura L.Sh. mohoi dhunën. Për zjarrin ajo është shprehur se thjesht kishte djegur dyshekun e krevatit të dhomës së gjumit, si pasojë e zemërimit për shkak të një tradhtie bashkëshortore nga ana e 40-vjeçarit. Para Gjykatës, Y.Sh ka rrëfyer: E paditura L.Sh., ka ushtruar dhunë ndaj meje dhe fëmijëve të mi. Prej më shumë se dy vitesh, ne jetojmë të ndarë faktikisht, pasi e paditura ka ikur nga banesa dhe banon tek vëllai i saj. E paditura është shumë e dhunshme. Në një nga episodet e dhunës ajo i ka vënë zjarrin edhe banesës së përbashkët bashkëshortore dhe është rrezik real për mua dhe fëmijët e mi. E paditura është e çekuilibruar mendërisht, fakt të cilin e provojmë me raportet e Kempit të marra nga ana e të paditurës, si pasojë e sëmundjes së saj mendore. Nga ana e saj, e paditura L.Sh. ka pohuar se nuk e kishte dhunuar asnjëherë fizikisht apo psikologjikisht bashkëshortin e saj dhe as fëmijët. Sipas saj, ishte Y.Sh. ai që e kishte nxjerrë nga shtëpia dhe se nuk e lejonte të takonte fëmijët. Ndezjen e zjarrit në banesë ajo e ka pranuar para gjykatës. E paditura deklaroi se ishte e vërtetë se ajo kishte vënë zjarr në banesën bashkëshortore, por thjesht kishte djegur dyshekun e krevatit të dhomës së gjumit. Kjo për shkak të faktit se ajo ndihej e depresuar dhe e indinjuar, si pasojë e tradhtisë bashkëshortore nga ana e paditësit Y.Sh, thuhet në vendimin e gjykatës, që i dha mbrojtje 40-vjeçarit Y.SH.                      ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›