Rritja e çmimit të dritave, ERE refuzon raportin e OSSH
Fabiola Çela
Nisin përplasjet mes ERE-s dhe OSSH-ë mbi rritjen e çmimit të energjisë. Në një prononcim për mediat, Enti Rregullator i Energjisë ka deklaruar se humbjet e energjisë nuk janë aq të larta sa i ka paraqitur OSSH-ë në raportin e saj. Niveli i humbjeve të energjisë ndikon direkt në rritjen e tarifës së energjisë. Çekët kanë kërkuar që çmimi i energjisë për 2010-ën të rritet me 23 për qind, por duke qenë se niveli i humbjeve ndikon në çmimin e energjisë, atëherë ka mundësi që rritja për vitin e ardhshëm të mos jetë në nivelin e kërkuar nga OSSH-ë.
Debati
Enti Rregullator i Energjisë ka hedhur poshtë shifrat e prezantuara nga OSSH, në lidhje me nivelin e humbjeve, duke i konsideruar ato si të ekzagjeruara dhe të paevidentuara. Konkretisht pas analizës që Enti i ka bërë raportit të paraqitur nga OSSH-ë mbi nivelin e humbjeve, doli në përfundimin se ky nivel është 3,7 për qind më i ulët nga sa pretendon OSSH. Humbjet më të mëdha në rrjet konstatohen te konsumatorët familjarë, të cilët përbëjnë më se 60 për qind të konsumit të energjisë elektrike. Por ky vendim i bordit të Entit Rregullator të Energjisë është apeluar nga OSSH. Ndërkohë që fjala e fundit për rritjen e çmimit të energjisë i mbetet ERE-s, e cila do ta marrë vendimin më 15 dhjetor.
Çmimi
Humbjet në rrjet ndikojnë në përcaktimin e çmimit të energjisë, pra sa më të larta të jenë ato, aq më shumë duhet të rriten tarifat. Por duke qenë se studimi i ERE-s konstatoi se niveli i humbjeve në sistemin e shpërndarjes është më i ulët se shifra e publikuar nga OSSH-ë, atëherë ka shumë mundësi që rritja e çmimit të energjisë të mos jetë në nivelin e kërkuar nga çekët. Sipas propozimit të çekëve për vitin 2010, energjia duhet të rritet me 23 për qind, si dhe duhet të hiqet tarifimi i energjisë në bazë të dy bandave, nën 300 dhe mbi 300 kilovat. Propozimi i bërë publik parashikon që energjia të ketë një çmim të njëjtë për çdo kilovat të konsumuar prej 9.15 lekësh. Aktualisht për bandën deri në 300 kilovat, familjarët paguajnë 7 lekë kilovatit, ndërsa për çdo kilovat mbi këtë konsum, çmimi bëhet 12 lekë. Pra OSSH e ka rritur çmimin me 2.15 lekë për familjet që konsumojnë deri në 300 kilovat energji dhe e ka ulur atë me 2.85 lekë për familjet që konsumojnë më shumë se 300 kilovat. Ndërkohë, përveç OSSH-ë edhe KESH dhe OST kanë aplikuar pranë ERE-s për rritje tarifash. Sipas burimeve, KESH do të kërkojë rritjen e çmimit të energjisë që i shet OSSH-së nga 1.6 lekë kilovat/orë, që është aktualisht, në 2.5 lekë kilovat/orë. Por kjo rritje çmimi do të ndikojë edhe te vetë çmimi i energjisë për konsumatorët. Edhe OST ka kërkuar rritjen e tarifës së transmetimit të energjisë elektrike. Operatori ka aplikuar pranë ERE-s për rritjen e tarifës së energjisë, që i transmeton OSSH-së nga 0.5 lekë/kwh, që është aktualisht në 0.9 lekë/kwh.