Debat për zgjedhjen e kreut të biznesit
Vazhdon debati mbi zgjedhjen e kreut të ri të Dhomës së Tregtisë. Kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Dritan Prifti, i ka dërguar dje një letër Asamblesë së Dhomës së Tregtisë, përmes së cilës deklarohet se zgjedhja e kryetarit të ri Nikolin Jaka është e pavlefshme. Sipas kësaj letre, vendimi për zgjedhjen e Jakës si kryetar është shqyrtuar nga organi mbikëqyrës, i cili ka konstatuar se ky vendim bie ndesh me ligjin. Konkretisht, sipas letrës së ministrisë, mbledhja e asamblesë nuk është zhvilluar në përputhje me rregullat e procedurat e parashikuara në ligjin ‘Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë’, kjo për vetë mënyrën e njoftimit dhe zhvillimit të mbledhjes. Në rendin e ditës së mbledhjes nuk ka qenë e përfshirë zgjedhja e kryetarit. Propozimi dhe vendimi për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e ri është marrë gjatë zhvillimit të mbledhjes së asamblesë, ndërkohë që kjo çështje duhet të ishte caktuar më parë në rendin e ditës, duke njoftuar të gjithë anëtarët para zhvillimit të mbledhjes. Në mbledhje kanë marrë pjesë 74 anëtarë, ndërsa pjesa tjetër e anëtarëve të cilët nuk kanë qenë prezent në këtë mbledhje, nuk janë njoftuar. Po sipas ligjit, ‘për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë’, asambleja zgjedh nga anëtarët e saj kryetarin. Nga verifikimi i listës së Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës rezulton që Nikolin Jaka nuk ka qenë anëtar i asamblesë, pra nuk plotëson një nga kriteret kryesorë për t’u zgjedhur Kryetar i Dhomës. Gjithashtu, ish-kryetari i Dhomës ka vendosur dhe organizuar zgjedhje të pjesshme të Asamblesë për grupin e Tregtisë, zgjedhje për të cilat organi mbikëqyrës nuk është vënë në dijeni dhe nga të cilat është zgjedhur anëtar asambleje edhe Jaka. Këto zgjedhje të pjesshme janë zhvilluar në kundërshtim të plotë me statusin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Çka i bën ato edhe të pavlefshme. Nuk rezulton i administruar gjatë procedurës së kandidimit dokumenti i gjendjes gjyqësore të kandidatit. Për sa më sipër, organi mbikëqyrës konstaton pavlefshmërinë e zgjedhjes së Jakës dhe kërkon kthimin dhe rishqyrtimin e vendimit të marrë për zgjedhjen e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe industrisë Tiranë.
Reagon Dhoma e Tregtisë
Po dje kryesia e dhomës së tregtisë ka reaguar mbi letrën e dërguar nga Ministri i METE-s, Dritan Prifi, mbi pavlefshmërinë e zgjedhjes së Nikolin Jakës si Kryetar i ri i kësaj Dhome. “Kryesia me unanimitet konkludoi që t’i kthehet përgjigje zyrtare Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke theksuar dhe argumentuar ligjshmërinë e procedurave dhe procesit zgjedhor të datës 24 Tetor 2009, për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë”, thuhet në deklaratën për media të Dhomës së Tregtisë. Zgjedhja e Jakës në krye të Dhomës së Tregtisë është kundërshtuar nga ministria, e cila përmes një letre ka paraqitur të gjitha arsyet se pse këto zgjedhje janë të pavlefshme.