Rritja e nivelit profesinal dhe kulturor, në fokus të aktiviteteve në muajin e infermierit

Rritja e nivelit profesional dhe kulturor, komunikimit, sigurisë dhe saktësisë në veprime, do të jenë në fokus të aktiviteve të organizuara nga Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë Muajit të Infermierit (12 prill-12 maj). Muaji i Infermierisë organizohet për herë të parë në vendin tonë. Qëllimi kryesor i organizimit të këtij muaji në Shqipëri është t’i japë shtytje të mëtejshme profesionit të infermierit dhe të kujdesjeve infermierore në vend. Nëpërmjet një konference, të mbajtur sot në mjediset e Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Urdhri i Infermierëve çeli sot Muajin e Infermierisë, me pjesëmarrjen e profesionistëve të kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin, si infermierët, mamitë, fizioterapistët, etj. Drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, Mhill Gecaj, në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, shprehu kënaqësinë që Urdhri i Infermierëve tashmë po merr rolin e duhur që duhet të luajë në sistemin tonë shëndetësor. Ai vlerësoi se "stafi infermieristik është një ndër shtyllat bazë të sistemit tonë shëndetësor, duke bërë të mundur marrjen e një shërbimi cilësor nga ana e qytetarëve. Respektoni këtë profesion të nderuar tuajin, që është një profesion shumë i rëndësishëm, respektoni bluzën e bardhë", iu drejtua të pranishmëve z. Gecaj, duke shtuar se ky profesion është shumë i rëndësishëm, madje në disa momente të caktuara, sipas tij, më i rëndësishëm se ai i mjekut. "MSH, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ka marrë nismën tjetër që në të gjithë sistemin tonë shëndetësor në vitet që vijnë personeli të jetë me arsim të lartë", theksoi më tej ai, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësime për punën dhe eksperiencën e brezave të kaluar. Gjatë këtij muaji, sipas organizatorëve, do të ketë një seri aktivitetesh, duke filluar nga tavolinat e rrumbullakëta, seminare, takime në nivel institucionesh dhe rajonal, etj. Këto aktivitete do të përmbyllen në me një konferencë kombëtarë në Ditën Ndërkombëtare të Infermierit, në 12 maj. Vend kryesor në aktivitete do t’i kushtohet gjithashtu zbatimit të ligjit dhe kodit Etik Deontologjik të infermierëve, vlerësimit dhe përfaqësimit të këtyre profesionistëve në të gjitha nivelet e shëndetësisë shqiptare, bën të ditur Urdhri i Infermierëve. Në aktivitetet, që do të ndërmerren në kuadër të këtij muaji, do të vlerësohen arritjet, që nga dyfishimi i pagave për personelin e kujdeseve, Ligji për UISH, Kodi Etik-Deontologjik i Infermierëve, krijimi i Qendrës Kombëtare për Edukim të Vazhdueshëm, fillimi i studimeve për masterin në infermieri, etj.
...