Përfundoi sot në Tiranë hetimi ndaj një grupi që shiste lëndë narkotike

Çështja në Gjykatën e Tiranës me pesë të pandehur
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet ndaj një grupi që merrej me shpërndarjen e narkotikëve në Tiranë, duke e çuar dosjen për shqyrtim gjyqësor me pesë të pandehur. Lajmi është bërë i ditur sot nga burime zyrtare pranë kësaj prokurorie, të cilat konfirmuan regjistrimin në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë të çështjes penale në ngarkim të shtetasve Fatmir Mezini, 19 vjeç, Denis Çaveli, 20 vjeç nga Tirana, Ibrahim Cani, 34 vjeç, nga Peqini, Ardit Bakalli, 29-vjeç, nga Elbasani dhe Nikolin Merko, 37 vjeç, nga Përmeti. Personat e lartëpërmendur u arrestuan në dhjetor të 2008 në Tiranë, në operacionin policor të koduar "Trekëndëshi" me afro 2 kilogram lëndë narkotike e llojit heroinë, e destinuar për t'u tregtuar në Tiranë. Hetimet e mëpasme u realizuan nga prokuroria e Tiranës, e cila për më tepër se tre muaj siguroi prova dhe materiale hetimore, që sipas saj, tregojnë për përfshirjen e anëtarëve të këtij grupi në veprimtarinë e paligjshme të shpërndarjes së narkotikëve. Procesi gjyqësor ndaj këtyre personave, të akuzuar për shitje të narkotikëve në bashkëpunim pritet të nisë këto ditë.
...