E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e pagave dhe pensioneve, prova e mbajtjes së premtimeve të Berishës

Në buxhetin më të madh të historisë së shtetit shqiptar, Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një rritje tjetër masive të pagave dhe pensioneve, si një provë e mirëfilltë e përmbushjes së premtimeve elektorale për një rritje të shpejtë ekonomike, përmirësim të mirëqenies dhe rritjes së lartë ekonomike, e cila do të shkurtojë stacionet e integrimit përfundimtar në BE
Investime masive në rrjetin rrugor, me synim shndërrimin e Shqipërisë në vendin me rrjetin më të ri e modern rrugor në vend

Ky buxhet i hap rrugën një fillimi të ri të madh në katër vitet e ardhshme që vijnë. Përfaqëson buxhetin më të madh në historinë e vendit, buxhetin prej 413 miliard lekë apo rreth 5 miliard USD, ky buxhet është jo vetëm dy herë më i madh se sa buxheti i vitit 2004, por realisht është 50% më i madh se buxheti i vitit 2006. Të matesh me ju është njëlloj si të matesh me humbëtirën. Harresa është çmimi më i merituar për ju. Ky buxhet nuk zbret nga qielli, por është rezultati i bumit ekonomik në këto vite, i luftës efiçente kundër korrupsionit, qeverisjes me duar të pastra, i revolucionit fiskal dhe konsolidimit të disiplinës fiskale.
Shqipëria në katër vjet si në asnjë vend tjetër të Evropës ia doli të rrisë të ardhurat në buxhet pothuaj mbi 80% në tre vjet që shkuan, ne mblodhëm 729 miliard lekë kundrejt 439 miliard lekë që kishit ju në tre vite. Ndërsa ne, në katër vite nga taksat dhe doganat do të bëhen rreth 1.2 trilion lekë kundrejt 533 miliard lekë që keni mbledhur ju në vitet 2001-2004. Pra, në katër vjet kemi mbledhur siç e shihni 100% më shumë se ju. Kurse për sa i përket destinacionit, buxheti i vitit 2009 është para së gjithash buxheti i rritjes së shpejtë ekonomike, i stabilitetit makroekonomik të vendit, i përfundimit të projekteve të mëdha të infrastrukturës, i ecjes me shpejtësi drejt standardeve euroatlantike.
Buxheti i vitit 2009 është buxheti i zemrës së dhimbsur, imazhi social i qeverisë time, ngushtimit të deficit buxhetor, uljes së borxhit të vendit, dhe mbi të gjitha është buxheti i mbajtjes së premtimeve të mbajtura, i shndërrimit në realitet të një programi superambicioz, shndërrimit në realitet të kontratës sime me shqiptarët për ndryshimin e Shqipërisë, që tre vjet më parë ju e cilësuat si fantazi madje me votëbesim e shpallët atë mashtrim elektoral.
Me këtë paraqitje, që bëj sot për buxhetin e vitit 2009 prej 5 miliard dollarë, unë do ndalem për t’u raportuar qytetarëve shqiptarë dhe Parlamentit se ku do të shkojnë këto para, për çfarë do të përdoren ato. Sot, me të drejtën legjitime dhe interesin e çdo shqiptari, çdo qytetari të shtrojmë pyetjen, si do të ndikojë përdorimi i këtij buxheti në jetën e tij për mirë, familjes së tij, në zhvillimin e shoqërisë dhe vendit në tërësi.
Çfarë përfaqëson ky buxhet për qytetarët shqiptarë, çfarë bëhet me 5 miliard dollarë të këtij buxheti.
Gjatë tetë viteve në opozitë me dhjetëra e dhjetëra herë u kam bërë thirrje qytetarëve, të shtrojnë pa u lodhur qeveritarëve një pyetje. Sot në pushtet u bëj thirrje të shtrojnë këtë pyetje ndaj meje, sepse unë si në opozitë edhe në pushtet kam qenë dhe do të mbetem Sali Berisha, njeriu i betuar, për të mbrojtur taksat e qytetarëve shqiptarë.
Ky buxhet sikundër çdo buxhet që kam paraqitur e do të paraqes në këtë sallë, është para së gjithash buxheti i lehtësirave, halleve dhe derteve të qytetarëve, buxheti që me fondet e tij do të rrisë ndjeshëm të ardhurat.

Rritja e pagave
Në buxhetin familjar të rreth 800 mijë familjeve shqiptare, sepse në këtë buxhet shuma e parave që vendoset për rritjen e rrogave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike, shpërblimit të fundvitit dhe ilaçeve do të rrisë në mënyrën më ndjeshme rrogat, pensionet ndihmën ekonomike. Në këtë buxhet, ne vendosim gjatë këtij mandati 10.3 miliard lekë në vit për rritjen e rrogave dhe pensioneve, kundrejt vetëm 4.1 miliard që keni vendosur ju në vit gjatë 8 viteve të qeverisjes suaj. Pra, ne vendosim në një vit tre herë më shumë se sa keni vendosur ju për rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Me këtë buxhet, ne ia dalim t’i rrisim. Ne rrisim rrogën mesatare të 104 mijë punonjësve të administratës, në vitin e fundit të mandatit tonë nga 271 në 460 mijë lekë apo 74% krahasuar me 2005.
Edhe ju keni pasur politikë për rritjen e rrogave, por ajo ishte politika e cinizmit, e babëzisë së shfrenuar çnjerëzore, sepse ju atë fond prej 4.1 miliard lekë që e ndanit për rritje rrogash dhe pensionesh e përdorët në mënyrë konstante për të gjashtëfishuar rrogat e nomenklaturës. Kështu ky kryeministër që flet sot në Parlament, kur dorëzoi detyrën e presidentit, kishte një rrogë gjithsej prej 460 mijë lekësh, pastruesi i një institucioni qendror merrte në atë kohë një rrogë prej 80 mijë lekësh kur se tetë vjet më vonë si kryeministër gjeta një rrogë prej 2.3 milion lekë, ndërsa pastruesen e një institucioni e gjeta me rrogën 110 mijë lekë. Pashpirtësi, emër tjetër nuk mund të ketë përveç këtij.
Me këtë buxhet ne përmbushim një nga premtimet më të rëndësishme elektorale, zbatimin e rritjes së rrogave dhe pensioneve, të rrogave të arsimtarëve, infermierëve, mjekëve dhe pensioneve të fshatit në veçanti. Buxheti i vitit 2009 është buxheti i 44 mijë arsimtarëve dhe fëmijëve, sepse me këtë buxhet ne realizojmë dyfishimin e rrogave të atyre misionarëve që u kanë dhënë mësime fëmijëve tanë. Duke filluar nga maji i vitit 2009, 44 mijë mësuesit e vendit që vetëm tre vjet më parë merrnin një rrogë me 230 mijë lekë, do të marrin një pagë mesatare prej 460 mijë lekë, pa llogaritur shpërblimin e fundvitit me të cilën ne zerojmë rritjen e inflacionit.
Pak ditë më parë, mora pjesë në aktivitetin e trajnimit të arsimtarëve nga një iniciativë private dhe ajo që vura re ishte, se të gjithë ata ishin pranuar me kënaqësi të trajnoheshin, kishin ndjerë nevojën e një kualifikimi dhe unë i garantoj mësuesit se mbështetja e tyre, rritja e rrogave, krijimi i kushteve do të mbeten përparësi madhore të qeverisë sime edhe të mandatit që vjen në rast se do ta votojnë dhe me sa duket po.
Buxheti i vitit 2009 është buxheti i dyfishimit të rrogave të 12 mijë infermierëve, rreth 4 mijë mjekëve të vendit, duke filluar nga data 1 maj do të rriten rrogat e tyre që kanë dhe punën më të rëndë që luftojnë së bashku çdo minutë sëmundjet për rrezikun e jetës. Do të kenë një rrogë mesatare nga 150 mijë lekë që kishin në vitin 2004 në 306 mijë lekë në vitin 2009, pra, dy herë më të madhe. Pa llogaritur edhe shpërblimin e fundvitin.
Në këtë buxhet do të marrim shpërblimin që meritojnë 4 mijë mjekë humanistë nga 237 mijë lekë në 1 maj do të marrim 480 mijë lekë apo 100% më shumë. Me këtë ndërhyrje të fuqishme në pagat e mjekëve dhe infermierëve, ne kemi filluar një reformë të thellë në sistemin shëndetësor, kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor.
Buxheti i vitit 2009 është buxheti i të gjithë punonjësve me paga të ulëta në sektorin publik, që në vitin 2005 merrnin një rrogë prej 110 mijë lekë, ndërsa në 1 maj të vitit 2009 nuk do të ketë rrogë në administratën e tij nën 210 mijë lekë. Do të arrijmë në rrogë minimale atë që ju keni pasur rrogë maksimale për administratën, kjo është detyra më njerëzore në historinë e vendit, sepse ky buxhet dyfishon rrogat e ulëta.
Me këtë buxhet rrogat e ulëta në Shqipëri bëhen më të mëdha se sa në Bullgari, Maqedoni, Serbi, Rumani, Rusi, Moldavi dhe bëhen pothuajse të njëjta me ato të Letonisë dhe Lituanisë. Buxheti rrit me 68% rrogat e mesme, por nga ana tjetër pakësojmë nga 11 në 6 herë diferencat çnjerëzore për pagat në sektorin publik, që ju kishit vendosur. Duke shumëfishuar në mënyrë gjeometrike rrogat tuaja dhe të njerëzve përreth jush, unë nga kjo platformë dua të shtoj vetëm një pyetje, a ka ndonjë qeveri tjetër që në katër vjet të ketë rritur pagën mesatare të punonjësve me rreth 70%? Të ketë dyfishuar rrogat e mësuesve apo punonjësve të shëndetësisë.
Si përfundim duhet të deklaroj se me buxhetin e vitit 2009 unë realizoj jo vetëm premtimin e bërë, por arkivoj një politikë çnjerëzore, cinike e absurde të diferencave të rrogave në arkivat e makutërisë së qeverisjes së social-kleptokracisë suaj.
Më thoni, cila qeveri në katër vjet ka bërë një ngushtim të tillë diferencash siç ka bërë qeveria ime, asnjë e vetme.
Po kështu, u garantoj punonjësve të administratës se, në 1 maj të vitit 2009 do të marrin një rrogë 69% më të lartë se sa në vitin 2005, pa llogaritur këtu shpërblimet e fundvitit. Me këtë nivel ne vendosim një rrogë mesatare qartësisht më të lartë se sa Rumania dhe Bullgaria, që janë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Me këtë nivel, ne afrohemi me 70% me rrogat mesatare të Polonisë, Çekisë dhe Hungarisë, ku paga mesatare e këtyre vendeve është 600 euro. Këto të dhëna dëshmojnë pra, se buxheti i 2009 ndryshon për mirë jetën e 800 mijë familjeve shqiptare. Këto të dhëna dëshmojnë një politikë të qëndrueshme, konsistente në rritjen e pagave. Ky buxhet është buxheti i 120 mijë pensionistëve shqiptarë, të cilët në datën 1 maj të vitit 2009 do të marrin 50-110% më shumë se në vitin e fundit të social-kleptokracisë suaj në vitin 2005. Sot, ju jeni këtu jo për të kritikuar buxhetin, por për ta zhurmuar atë dhe kjo është e drejta juaj.
Por, unë sërish kam të drejtën t’iu drejtoj pyetjen, a ekziston ndonjë vend tjetër që në katër vjet të ketë rritur pensionet nga 50-110%, në rast se po cili? Ju mund të mashtroni 24 orë në 24 orë, por nuk gjeni dot një vend tjetër që të ketë marrë një rritje të tillë dhe të ketë rritur mbi 50% pensionet e qytetit dhe mbi 100% pensionet e fshatit.
Gjatë fushatës elektorale në vitin 2005, në qytetin e Elbasanit do të premtoja solemnisht qytetarëve shqiptarë se, në fund të mandatit tim të parë nuk do të ketë në Shqipëri pension nën 100 dollarë.
Kjo deklaratë është bërë kur pjesa më e madhe e arsimtarëve shqiptarë kishin një pension 80 mijë lekë të reja, ndërkohë që dhjetëra mijëra shqiptarë merrnin një pension prej 70-80 mijë lekë.

Rritja e pensioneve
Me buxhetin e vitit 2009 ne ia dalim që në të gjitha qytetet e vendit të mos ketë të ardhura të pensionit të plotë nën 130 dollarë me kursin e atëhershëm të këmbimit pa llogaritur këtu shpërblimin e fundvitit me të cilin zerohet rritja e inflacionit. Unë e di se sërish pensionet janë të ulëta por shtoj se ne sot kemi pension minimal më të lartë se Rumania, Bullgaria, Kroacia, Rusia dhe vende të tjera të Evropës. Të ardhurat e pensionet për pensionistët në qytet do të rriten nga 112 mijë lekë në vitin 2008 në 123 mijë lekë në vitin 2009. Të ardhurat e pensionit të pleqërisë në qytet do të rriten nga 100 në 122 mijë lekë, të ardhurat e pensionit për invalidët do të rritet nga 80 në 110 mijë lekë. Sërish është e drejta juaj të dhunoni buxhetin prapë kam të drejtën t’ju shtroj pyetjen, sa i rritët ju pensionet në qytet dhe në fshat gjatë tetë viteve të kleptokracisë suaj?
Nuk e thoni dot shifrën se është shifër demaskuese.
Në vitin 1997, ju erdhën në pushtet nëpërmjet rebelimit dhe e keni gjetur pensionin minimal në fshat 27 dollarë. Pas tetë vitesh qeverisje u larguat me votën e qytetarëve duke e lënë atë gjithsej në 41 dollarë. Cinik dhe çnjerëzor ka qenë qëndrimi juaj me pensionet në qytet, rritja mesatare e tyre ka qenë 3.4 dollarë në vit dhe këto të shpërndara alla ju. Në tetë vjet, pensionistët ju i trajtuat si asnjë vend tjetër në Evropë, pensionet ia u rrisnit me thërrime. Në këto kushte ne do të merrnim të gjitha përgjegjësitë tona para gjysmë milioni pensionistësh shqiptarë dhe kështu vepruam.
Me politikën tonë të ardhurat e pensionit në qytet u rritën në 50 deri 80 %, të ardhurat e pensionit në qytet u rritën me 80 deri në 110 %, kështu mesatarja e të ardhurave për 170 mijë pensionistë në fshat kaloi nga 36 mijë në 72 mijë lekë apo me 80 dollarë e duke u krahasuar me vitin 2005 ka një rritje 100 %. Po kështu pensionet e pleqërisë në fshat rriten prej 110 %. Jam i bindur sot se pensionistët shqiptarë meritojnë shuma shumë më të mëdha por dua ti siguroj se kjo qeveri ka dëshmuar ndjeshmëri të madhe ndaj pensionistëve të vendit dhe këtë e dëshmon fakti se nuk ka ndonjë vend tjetër në botë që qeveria në botë të ketë rritur në katër vjet në 110 % pensionet. Dua t’i garantoj pensionistët se rritja e madhe e pensioneve në qytet, barazimi i pensioneve të qytetit me ato të fshatit janë zotimet e mia para mbarë zgjedhësve shqiptarë.

Investimet në arsim
Unë jam Sali Berisha, unë mbaj premtimet e mia dhe jap fjalën popullit për këtë. Ky buxhet është buxheti i arsimit. Janë përfunduar dhe do të përfundojnë 16 shkolla të reja nga të cilat në bashkinë e Korçës 5 shkolla. Në bashkinë Pogradec një shkollë, shkolla të reja janë bërë në fshatrat. Në qarkun e Korçës janë rikonstruktuar 54 shkolla dhe konvikte në qytetin e Korçës. Atëherë u ndala vetëm në shkollat e një qarku, po të isha ndalur në shkollat e Shqipërisë do të rrija dhe një orë tjetër. Është ulur në të gjitha shkollat e republikës numri i nxënësve për klasë nga 45 që ka qenë në 28 për klasë.
Kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur në shkollat e kryeqytetit dhe kjo vetëm se kryetari me korrespondencë i Bashkisë Tiranë me paaftësinë e tij jep leje ndërtimi për kazinonë por 2 miliard lek për ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e shkollave ekzistuese.
Brenda qytetit të Tiranës Rama i deklaron qytetarëve në konceptin e hurit të kuq se kam ndërtuar 60 shkolla të dashur qytetarë dhe qytetare ka ndërtuar dy shkolla dhe ato në periferi të Tiranës, në komunat për rreth saj, sepse në truallin e shkollave nuk ka 15%. Buxheti i vitit 2009 është buxheti i 60 mijë fëmijëve shqiptarë duke filluar nga marsi i ardhshëm fëmijët6 shqiptarë do mund të lundrojnë në internet.
Kur tre vite më parë shpalla nismën “Shqipëria në moshën e internetit” jo të paktë ishin ata që përqeshën dhe në mediat e kontrolluara nga ju (socialistët - shën i red) u hapën me tituj ironikë për këtë nismë. Por Shqipëria në moshën dixhitale është një nga nismat më madhore të marra tre vite më parë, kur vendit kishte shkallën më të ulët të përdoruesve të internetit në Evropë.
Sot pas tre viteve nuk mund të pohoj se jemi në moshën dixhitale, por mund të pohoj plotësisht se po hyjmë në moshën dixhitale. Unë jam optimist dhe i sigurt se me shpejtësi do ta arrijmë atë moshë.
Në vitin 2007 Shqipëria ka pasur shpejtësinë më të madhe të rritjes në Evropë të përdoruesve të internetit. Do bëjmë çdo përpjekje që tre vitet e ardhshme të arrijmë mesataren evropiane të përdoruesve të internetit.
Por sot pas tre vitesh me ndihmën e JURITIPI-s, ne do realizojmë projektin e vendosjes së internetit në çdo shkollë të vendit. Në 100% e shkollave të Shqipërisë do të ketë kabinete informatike me të cilën do të lundrojnë 600 mijë fëmijë shqiptarë që ndjekin sot arsimin para universitarë.
Në funksion të shtrirjes së internetit në komunitet telekomi shqiptarë po zbaton kontratën me qeverinë për 240 mijë ADSL me të cilët çdo abonent i tij mund të marrë internet në përputhje të plotë me premtimin e mëparshëm, ne premtuam se çdo abonent i Telekomit do të ketë modulin falas që të ketë internetin në shtëpi. Kompania i qëndron plotësisht këtij qëndrimi dhe ofron instalimin e internetit falas.
Ftoj qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga kjo dhe ta marrin internetin në shtëpitë e tyre.
Ju e kishit internetin mollë të ndaluar për shqiptarët, ju krijuat një çarje të tmerrshme kombëtare, kur vetëm një grup i ngushtë e përdorte internetin dhe të tjerët i linin njëlloj si në Afrikën Qendrore a diku tjetër. Lajtmotivi im është çdo shqiptar akses në internet. Ky është buxheti i reformës së thellë të arsimit parauniversitar dhe i përpjekjes së thellë për të ndërtuar konvikte për nxënës që duan të vazhdojnë shkollën e mesme. Kështu është rritur me 20 mijë numri i atyre që vazhdojnë shkollën e mesme po kështu është rritur me 15% numri i nxënësve që ndjekin shkolla profesionale. Buxheti i vitit 2009 për arsimin e lartë është në një shifër rekord për Shqipërinë.
Rreth 100 milionë dollarë, për arsimin e lartë, ky është buxheti i reformës së thellë, i liberalizimit ët universiteteve, numri i studentëve në Shqipëri nga 53 mijë arriti në 110 mijë student. Pra rritje me 110%, duke ecur drejt një standardi të rëndësishëm evropian. Tre vite më parë numri i studentëve për 1 mijë banorë ishte vetëm 12 kurse kundrejt 40 që ishte në mesataren që ishte në BE këtë vit është 30 student për 100 banorë. Duke ecur me hapa të shpejta drejt mesatares së BE-së dhe duke u barazuar me disa shtete të BE-së.
Për të përballuar me sukses politikën e liberalizimeve në universitete qeveria ime dyfishoj buxhetin për arsimin e lartë në tre viteve përveç universitetit të Durrësit me dy fakultete 6 departamente dhe rreth 4 mijë student. Janë hapur pra universitetit të Durrësit akademia profesionale dhe shkolla e lartë profesionale e para me tre dege e dyta me 8 drejtime profesionale.
Qendra Albanogjike në Tiranë ka statusin e një universiteti plus 4 institute kërkimore. Janë hapur tre degë në filialin e Sarandës Turizëm, Anglishte, Lushnjë degët ekonomi agrare, horti kulturë, në Kukës degët Turizëm Anglisht dhe infiermeri. Universitete ekzistues janë hapur 4 fakultete të reja, teknologjia e informacionit, teknologjia e ushqimit. Janë hapur 36 degë she profile të reja në universitete publike u krijuan 7 institute qendra kërkimore shkencore.
Po politika e qeverisë tonë ndaj biznesit ka bërë që në tre vite të trefishohet kontributi i sektorit privat në arsimin parauniversitar dhe universitar. Qeveria që unë drejtoj konsideron arritjet në reformën e arsimit si një bazë të fuqishme për të zhvilluar reformën e arsimit të lartë duke zhvilluar krijimin e hapësirave të universiteteve private. Ne synojmë që gjatë viteve të ardhshme të dyfishojmë buxhetin për sistemin arsimor. Ne do dyfishojmë nëpërmjet nxitjes stimulimit të kontributit të sektorit privat për arsimimin e fëmijëve shqiptarë.
Cila është alternativa juaj që universitetet t’i shpallë qendra të përqendrimit të të papunëve dhe i kërcënon kryetari i PS-së, i cili mezi ka marrë një diplomë në 8 vjet - edhe atë përgjysmë - i kërcënon këto universitete me mosnjohje diplomash. Unë i them Ramës se me diplomat nuk ka punë fare. Pavarësisht nga defektet që ke pasur dhe atë çështje personale të kimizimit tënd psikik nuk mund ti pasqyrosh asnjëherë në arsimin e lartë të Shqipërisë. Qeveria do të bëj çdo përpjekje për rritjen e cilësisë në të gjitha universitet, publike apo private qofshin ato.

Investimet në shëndetësi
Ky buxhet është buxheti i shëndetësisë ky buxhet shënon një rritje prej 36% krahasuar me vitin e kaluar për sistemin e shëndetësisë. Në vitet 2001-2004 katër vjet financuat sistemin e shëndetësisë me një shumë totale prej 62 miliard lekësh. Në 4 vite ne kemi financuar sistemin e shëndetësisë me një shumë prej 108 miliard lekë. Në fondet e këtyre viteve janë bërë përmirësime në infrastrukturën spitalore në qendrën Nënë Tereza, në spitalin e psikiatrisë në Lushnjë në Krujë, në Fier në Gjirokastër, Sarandë, Laç, Librazhd, Peqin, Pogradec. Janë pajisur me teknologji të reja dhe me aparatura një seri poliklinikash, të shërbimit shëndetësor parësor, Tirana, Korça, Kruja, Mirdita, Elbasani Shkodra, Pogradeci, Dibra, janë pajisur me aparatura spitalet e QSUT-së, Durrësit, Gramshit, Sarandë, Devollit. Maternitetet e Tiranës.

Pjesë nga fjala e mbrëmshme e kryeministrit në seancën plenare për miratimin e projektbuxhetit të 2009-s
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›