E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektbuxheti i vitit 2009 - një dokument që garanton ritmin e lartë të rritjes ekonomike

Projekt Buxheti 2009, përbën një moment tepër të rëndësishëm në përgatitjen dhe mbështetjen e zhvillimeve ekonomike e shoqërore të vendit në një periudhë afatmesme. Ai është buxheti i parë i përgatitur si pjesë e një procesi gjithë vjetor e programit trevjeçar buxhetor afatmesëm, ku përgatitja e programeve dhe politikave të përdoruesve të fondeve publike kanë kostuar dhe ofruar produkte të matshme që do të rezultojnë në procesin e zbatimit të buxhetit. Si i tillë buxheti 2009 mundëson një efikasitet, eficensë dhe transparencë më të mirë se më parë në përdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë. Rëndësia e përgatitjes dhe miratimit të një buxheti proaktiv për ekonominë e vendit ridimensionohet për vitin 2009 nisur nga dy faktorë specifikë; së pari faktin se kriza e tregjeve financiare botërore ka impaktuar një recesion ekonomik të disa ekonomive të rëndësishme botërore; dhe se viti 2009 është një vit elektoral.

Arritjet dhe rezultatet
Projektbuxheti 2009 bazohet në arritjet më pozitive dhe me rezultatet shumë të mira që janë arritur në tre vitet e fundit në financat e shtetit dhe impaktet tepër pozitive të politikave fiskale të zbatuara në progresin ekonomik e atë shoqëror të vendit.
Nëse në periudhën trevjeçare 2002-2004 ritmi i rritjes ekonomike ishte mesatarisht 5.2% në terma realë, rritja ekonomike për periudhën 2006-2008 është të paktën mesatarisht 5.9% në vit. Mbi këtë bazë qeveria ofron skenarin që mbështet një rritje ekonomike rreth 6%. Duhet të theksoj këtu se konsideratat për rritjen e pritshme të ekonomisë së vendit për vitin 2009 nuk konvergojnë në të njëjtin objektiv nga qendra të ndryshme vlerësuese (qeveria rreth 6%, FMN rreth 4% dhe BSH rreth 4,5%). Kjo është e kuptueshme kur skenarët tentojnë të marrin në konsideratë variantet më pesimiste që mund të vijnë në ekonominë shqiptare nga impakti i krizës financiare dhe recesionit të disa ekonomive. Edhe varianti më pesimist i FMN konfirmon faktin se ekonomia shqiptare do të ketë rritjen më të lartë mes ekonomive të rajonit dhe më gjerë.
Nga ana tjetër buxheti merr në konsideratë çdo impaktim të ekonomisë sonë nga kriza përmes: mbajtjes në një nivel të lartë të investimeve publike për të mbështetur rritjen e ekonomisë; rritjes së fuqisë blerëse në vend nga rritja e forte e pagave dhe pensioneve pa asnjë efekt inflacionist; programimi konservativ i rritjes së të ardhurave në buxhet (rreth 10% nga 17% që ka qenë mesatarisht në tre vitet e fundit); mbajtja e kontigjencave të larta në 2% e PBB (rreth 20miliard lekë); mospërfshirjes së të ardhurave nga privatizimi (mbi 150 milion euro) dhe përdorimi i këtyre të ardhurave, me miratimin tuaj sot, nga qeveria për financimin e investimeve publike dhe uljes së kërkesës së qeverisë për para nga sistemi bankar gjatë ekzekutimit të buxhetit.
Ekonomia e vendit ka manifestuar nivelin më të ulët të inflacionit në rajon dhe për më tepër niveli i tij ka qenë i qëndrueshëm duke shprehur vitalitetin e ekonomisë së vendit përballë presionit të madh inflacionist të viteve 2007 e 2008 që pati tregu botëror në produktet bazë ushqime dhe karburante. Niveli mesatar i inflacionit vjetor për periudhën 2002-2004 ka qenë 3,5% dhe për periudhën 2006-2008 ka qenë 2.7% ose sa 1/3 e inflacionit mesatar të rajonit për vitin e fundit. Edhe në buxhetin 2009 objektivat e inflacionit janë në të njëjtën linjë mepoliytikën e BSH rreth 3%.
Përmirësime të ndjeshme ka pasur edhe tregu i punës e manifestuar si në rritjen e numrit të të punësuarve ashtu edhe të pagës mesatare. Niveli zyrtar i papunësisë në tri vitet e fundit ka rënë nga 14,4% në 12,9% ndërsa paga mesatare e tregut të punës është rritur me 47%. Për vitin 2009 objektivi është për uljen në 12,5% të papunësisë dhe për rritjn edhe me 15% të nivelit të pagave dhe pensioneve.
Monedha vendase, Leku do të vijojë qëndrueshmërinë e këmbimit që ka patur prej vitesh në raport me valutat e huaja.
Të gjitha taksat dhe tatimet kanë pësuar një ulje të qenësishme duke u mundësuar kështu përdorimi i këtij instrumenti fiskal si nxitës dhe stimulues për rritjen e investimeve direkte në ekonomi dhe zgjerimin e bazës së tatueshme përmes minimizimit të informalitetit ekonomik, evazionit fiskal dhe luftës ndaj korrupsionit. Në harkun e tre viteve u ul me 2,5 herë tatimi mbi fitimin (nga 25% në 10 %); u ulën me dy herë tatimet mbi biznesin e vogël (nga 3% e xhiros në 1,5%), u ul taksa mbi punën e paguar nga punëmarrësit (bizneset) me 1/3 në 2006 dhe nga maji i vitit të ardhshëm kemi propozuar që kjo taksë të ulet me dy herë krahasuar me nivelin e vitit 2005; u ulën me 2,5 herë taksimi mbi dividendin e aksioneve dhe norma maksimale e taksimit të të ardhurave personale u ul me 2,3 herë; taksa doganore është ulur me 3 herë (nga 6% në 2%); janë hequr mbi 20 taksa nacionale dhe janë hequr ose ulur thelbësisht një numër i madh tarifash shërbimesh, përfshi dhe çmimin e energjisë elektrike. Të gjitha këto reforma bënë që vendi ynë të ketë barrën më të ulët fiskale për biznesin dhe në vitin 2008 u klasifikua si vendi me liritë fiskale më të mëdha në kontinentin tonë duke u vlerësuar si vend me 95/100 liri fiskale. Reformat e ndërmarra në fushën fiskale ishin njëri prej katër elementëve që në klasifikimin e Bankës Botërore dhe Doing Business Shqipëria u klasifikua si vendi i dytë më reformator në Botë në fushën e ekonomisë.

Ritmi i të ardhurave
Për të ballafaquar disa akuza që janë bërë nga opozita lidhur me rënien e ritmit të të ardhurave në buxhet dhe për të bërë më të prekshëm rritjen impresionuese të të ardhurave fiskale më lejoni të ballafaqoj disa tregues të përgjithshëm të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit.
Në tre vitet e qeverisjes aktuale janë arkëtuar në Buxhet 785 miliard lekë nga 506 miliard të arkëtuar në periudhën 2002-2004 kur taksat ishin dy herë më të larta. Vetëm në vitin e fundit 2008 arkëtohen 1,5 miliard USD më shumë se në vitin 2004. Të ardhurat e programuara për vitin 2009 janë plot dy herë më të mëdha se mesatarja 4 vjeçare e qeverisë së mëparshme (333/163 miliard leke);
Në raport me PBB në periudhën 2002-2004 të ardhurat u ulën me 0,3% të PBB ( nga 24,8% e PBB në 24,5% e PBB) edhe pse niveli i taksave ishte i pandryshuar, ndërsa në tre vitet e fundit ato janë rritur me 3,7% e PBB edhe pse në shumicën e tyre ato janë më shumë se përgjysmuar si nivel taksimi.
Të ardhurat nga doganat dhe tatimet, që është burimi kryesor i buxhetit dhe të cilat administrohen nga qeveria qendrore në periudhën 2002-2004 janë rritur me vetëm 0,6% e PBB (nga 15,8% e PBB në 16,4) edhe pse niveli i taksave ishte i pandryshuar, në tre vite e fundit ato janë rritur me 3,1% e PBB ose me një rritëm 6 herë më të lartë se qeveria paraardhëse edhe pse niveli i taksimit është përgjysmuar në tërësinë e tyre veç TVSH e cila përbën 1/3 e të ardhurave në buxhet;
Të ardhurat në buxhetin 2009 nga Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), e vetmja taksë që ka të njëjtin nivel si në 2005, janë rritur me 2 herë në krahasim me vitin 2004, duke arritur në 10% të PBB edhe pse inflacioni mesatar trevjeçar ka qenë më i ulët se në tre vitet 2002-2004. Të ardhurat në vitet e qeverisjes aktuale janë rritur me 2,3% e PBB, ndërkohë që në mandatin e fundit të qeverisjes së mëparshme u rritën me vetëm 0,3% e PBB;
Në buxhetin e këtij viti arkëtohen 2,5 miliard lekë më shumë tatim fitimi në krahasim me vitin 2004 kur norma e taksimit ishte 2,5 herë më e madhe. Për vitin 2009 të ardhurat nga Tatim Fitimi,me norme 10% taksimi do të arkëtohen në buxhet sa në dy vite bashkë të qeverisë së mëparshme kur norma e taksimit ka qenë 25%;
Të ardhurat në Buxhet nga akcizat në Buxhetin 2009 do të jenë plot 3 herë më të mëdha se sa në vitin e fundit të qeverisë së mëparshme. Vetëm në vitin në vijim janë arkëtuar nga detaksimi i kafes, cigareve, karburanteve dhe pijeve alkoolike një shumë prej 37,5 miliard lekësh ose një shumë më e madhe nga tre vitet së bashku 2002 2004 (37,3 miliard për tre vitet së bashku). Kjo rritje i dedikohet bllokimit të kontrabandës dhe korrupsionit në dogana e tatime, pasi akcizat paguhen jo mbi çmimin por si kuotë fikse mbi sasitë e ç’doganuara e të taksuara. Mallrat e akcizës tashmë janë pjesë e garës në tregun e lirë dhe jo e konkurrencës së pushtetarëve për treg. Kjo është dëshmi e matshme e rezultateve antikorrupsion të qeverisë.
Kontributi i sigurimeve shoqërore (taksa e punës) edhe pse është ulur me 1/3 si nivel taksimi ka rritur të ardhurat në buxhet 2009 do të jenë 70% më të mëdha në krahasim me vitin e fundit të qeverisë së mëparshme. Vetëm nga kjo taksë, e cila vijon të mbetet ende problematike, të ardhurat në buxhet janë rritur me 0.3% të PBB. Në skemën e sigurimeve shoqërore të pensioneve dhe të kontribuuesve për këtë fond janë përfshirë mbi 120 mijë persona në tre vjet dhe synohet që ky treg të formalizohet tërësisht me masën e re të propozuar për të përgjysmuar nivelin e kësaj takes nga maji i vitit të ardhshëm.
Efekti pozitiv i këtyre politikave mbi rritjen e formalitetit te sektorit privat ne termat e deklarimit te bizneseve si dhe të forcimit të konkurueshmërisë së tregut dëshmohet jo vetëm nga rezultatet e raportit të Dooing Busines 2008, por edhe nga statistikat e regjistrave zyrtarë. Kështu, ne periudhën shtatëmujore te vitit 2008 rezultojnë 8031 biznese aktive me shume se shtatëmujori i një viti me pare¸ ose 13 për qind me shume. Nga këto¸ 1750 janë subjekte me xhiro vjetore me te larte se 8 milionë lek¸ ose 12.8 për qind me shume krahasuar me vitin 2007. Krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2006¸ numri i bizneseve këtë vit është rreth 25% me i larte; krahasuar me shtatëmujorin e vitit 2005 këtë vit ka rreth 60 për qind me shume subjekte qe i nënshtrohen tatim fitimit.

Konsideratat dhe prioritetet
Buxheti i shtetit që u propozojmë për vitin 2009 bazohet në rritjen e madhe të të ardhurave në buxhet në tre vitet e mëparshme dhe merr në konsideratë disa prioritete:
Së pari, përshpejton prioritetet e shpallura nga qeveria për mbështetjen e shërbimeve publike të tilla si infrastruktura kombëtare e lokale, shëndeti dhe arsimi publik, rritja e qenësishme e pagave dhe pensioneve të ulëta për të plotësuar objektivat e programit 4 vjeçar, si dhe plotësimi i angazhimeve në kuadrin e proceseve integruese në NATO dhe BE;
Së dyti, mbështet gjeneratën e dytë të një sërë reformash strukturore, sidomos në sektorin e arsimit, shëndetësisë, decentralizimit lokal dhe bujqësisë. Disa prej tyre implementohen për herë të parë në buxhetin 2009;
Së treti, programon fonde të mjaftueshme për të mënjanuar apo minimizuar çdo implikim të mundshëm të ekonomisë sonë nga ndikimet e krizës së ekonomisë ndërkombëtare, duke mbështetur kështu ritmet e larta të ritjes së ekonomisë shqiptare përmes një strukture buxhetore nxitëse dhe aktive për kërkesën në treg dhe rezervave të mëdha të lëna si kontigjencë e të paalokuar në buxhet.
Rritja e eficiensës, efikasitetit dhe përdorimi me ekonomi i fondeve publike përbën karakteristikën kryesore cilësore të buxhetit të vitit 2009, rezultat ky i një reformimi të thellë që iu nënshtrua procesi i buxhetimit në vitet e fundit.
Për vitin 2009 bëhet hapi i parë drejt përmirësimit thelbësor të shërbimeve në spitale dhe universitete duke kostuar fondet publike mbi njësi të matshme, respektivisht studenti dhe pacienti. Përmirësime thelbësore janë bërë në menaxhimin e investimeve publike ku reflektohet një këndvështrim i qarte dhe i integruar i buxhetimit dhe planifikimit të përgjithshëm, i cili ka munguar për shumë vite me radhë. Tashmë ka marrë fund praktika e avullimit të fundeve në një numër të madh projektesh të vogla dhe jo eficiente. Nga rreth 4500 projekte që financoheshin në vitin 2005 me një fond sa gjysma e atij aktual, për vitin 2009 numri i tyre ka zbritur nën 1000 objekte.
Rritja e qenësishme e fondeve, e bazuar në arritjet shumë të mira në arkëtimin e tatimeve e taksave, përbën karakteristikën më të prekshme të buxhetit 2009. Kjo rritje e fondeve buxhetore, krahas politikave të taksave të ulëta nxitëse për ekonominë private, ka qenë në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike dhe rritjes së mirëqenies materiale të shqiptarëve.
• Buxheti i vitit 2009 është 72% më i madh se viti i fundit i qeverisë së mëparshme ose është rritur në 4 vjet me 161 miliard lekë (rreth 2 miliard USD) nga 36 miliard që u rrit ky buxhet në mandatin e qeverisjes 2001-2005;
• Në raport me PBB në periudhën 2001-2005 buxheti u zvogëlua me 2,3% e PBB, në 4 vitet e fundit është rritur me 4,1% të PBB;
Mbështetja e prioriteteve të programit të qeverisë në përmirësimin e shërbimeve publike është një karakteristikë tjetër e buxhetit 2009.
• Investimet publike në katër vitet e fundit janë rritur mesatarisht me 2,3 herë. Në periudhën 2001-2004 janë investuar gjithsej 140 miliard lekë ndërsa në 4 vitet e fundit janë investuar në rrugë, arsim, shëndetësi dhe modernizimin e administratës publike 315 miliard lekë;
• Investimet në rrjetin rrugor në buxhetin 2009 janë rreth 8 herë më të larta se në vitin 2005. në periudhën 2001-2005 rrjeti i rrugëve nacionale e lokale ka qenë financuar me 24 miliard lekë, në 4 vitet e fundit janë mbi 180 miliard lekë (mbi 2 miliard USD) të financuar për ndërtimin e infrastrukturës rrugore;
Buxheti për pushtetin vendor për vitin 2009 është rritur me 2,3 herë krahasuar me vitin 2004. Në periudhën 2001-2004 pushtetit lokal i është alokuar një buxhet i barabartë me 50 miliard lekë nga i cili kontributi i qeverisë qendrore ka qenë vetëm 23 miliard lekë. Në 4 vitet e fundit buxheti lokal është 113 miliard lekë dhe kontributi i qeverisë në formë të grandeve është 59 miliard lekë, duke mbështetur në to investimet e infrastrukturës lokale, rrugë e ujësjellës. Rritjes me rreth 3 herë e fondeve të buxhetit qendror nuk përfshin shumat e përfituara nga komunitetet lokale përmes FSHZH dhe agjencive të tjera të zhvillimit;
Fondet për shëndetin publik në Buxhetin 2009 kapin shumën e mbi 33 miliard lekëve nga 19 miliard lekë në vitin 2004. Në periudhën 2001-2004 shërbimi shëndetësor është financuar për 62 miliard lekë, ndërsa në katër vitet e fundit është financuar me 107 miliard lekë ose rritur me mbi 1,7 herë ose në raport me PBB me 0,6 pikë përqindje;
Arsimi publik që është një tjetër prioritet i qeverisë, në vitin 2009 me 50 miliard lekë, nga 24 miliard që ishin shpenzimet e buxhetit në vitin 2004. Rritja me mbi dy herë e fondeve për shkollimin është shoqëruar me një sërë instrumentesh e politikash buxhetore për zgjerimin e autonomisë në arsimin e lartë;
Shpenzimet e qeverisë qendrore janë sa 9% e PBB ose rreth 35% më të ulëta nga mesatarja e vendeve me qeverisje të vogël dhe rritje të lartë ekonomike. Shpenzimet operative të qeverisë (pa vlerën e mirëmbajtjes së rrugëve, dhe funksionimin e shkollave e spitaleve) në tre vite kanë rënë nga 1.5% e PBB në vitin 2004 në më pak se 1% për vitin 2009.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›