Topi: Bashkëpunimi ndërinstitucional i domosdoshëm për reformën në drejtësi
Presidenti Bamir Topi, flet në një takim me anëtarët e KLD-së dhe Gjykatës së Lartë. Ai vlerëson se, ka “Progres në sistemin e drejtësisë, por ende ka shumë për t’u bërë”. Për Presidentin, problem mbetet ekzekutimi I vendimeve të gjykatave Një takim konsultativ me anëtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokuroren e Përgjithshme, i zhvilluar dje nën kujdesin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, ka pasur në qendër ët diskutimeve të tij, çështjet e ngritura për drejtësinë në Progres Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2008. Në këtë frymë, gjatë takimit u diskutua e u shkëmbyen idetë dhe vizionet lidhur me hapësirat e bashkëpunimit më të mirë midis këtyre institucioneve. Në fjalën e tij në fillim të takimit, Presidenti Topi vërejti se pavarësisht vlerësimit kryesisht pozitiv të punës së drejtësisë në Progres Raportin për vitin 2008, mbetet ende shumë për të bërë. Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit e vuri theksin te domosdoshmëria e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe i nxiti anëtarët e këtyre institucioneve mjaft të rëndësishme të drejtësisë që të jenë aktivë në debatin që bëhet për reformimin e këtij sistemi. Reforma “Në raport, në mënyrë eksplicite thuhet që është bërë progres në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, por natyrisht, sikurse për të gjitha institucionet është e natyrshme, ka ende shumë për të bërë. Ky është një vlerësim shumë realist, është një vlerësim profesional dhe është e kuptueshme që Shqipëria është çdo ditë në një proces, hap pas hapi; kuptohet nuk është proces revolucionar që, brenda një jave, ne përfundojmë në Bashkimin Evropian, është një proces gradual, por që duhet të jetë me hapa të shpejtë, një proces bashkëpunimi nga të gjitha institucionet për të demonstruar tek bota ku ne dëshirojmë dhe tentojmë të integrohemi, jemi një shtet demokratik, me një ndarje të qartë të pushteteve, me pushtete të balancuara, me pushtete që funksionojnë mbi bazën e dokumentit bazë themeltar, që është Kushtetuta për institucionet që garantojnë pikërisht të drejtat e individit. Kuptohet që, kur thuhet që ka dhe shumë për të bërë Raport-Progresi presupozon edhe në mënyrë të detajuar që ka ende defekte”, u shpreh Presidenti Topi në këtë takim. Duke vlerësuar dëshirën e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, për reformë në drejtësi, Presidenti i Republikës Bamir Topi, u shpreh se, “ajo që vihet re dhe nënvizohet në Raport-Progresin është që reforma në sistemin e drejtësisë ka nevojë të jetë vizionare, të jetë një reformë komplekse e konsultuar, të mos jetë sporadike, të mos jetë e kushtëzuar nga koniukturat e çastit, të cilat mund të jenë dhe politike, të mos e jetë e kushtëzuar as nga interesat lobiste apo individuale, por të jetë një reformë integrale”. Për presidentin Topi, që reforma në drejtësi të jetë sa më integrale dhe në harmoi, duhet që “Të gjitha institucionet i ngjajnë strukturave të një piramide, e cila kurrsesi nuk mund të qëndrojë në këmbë në rast se hallkat nuk janë lidhura me njëra-tjetrën. Absolutisht do të ishte e papranueshme që struktura të veçanta, qofshin këto edhe në sistemin e drejtësisë, të tentojnë të operojnë në klimë të mbyllur, në korniza të mbyllura, duke parë vetëm atributet dhe të drejtat që i jep ligji dhe Kushtetuta për pjesën e tyre të aktivitetit. Unë mendoj që është koha që të shtojmë bashkëpunimin, të rrisim seriozitetin, të vlerësojmë njëri-tjetrin”, vijoi Presidenti. Problemet Duke evidentuar progresin në sistemin e drejtësisë, Presidenti Bamir Topi, bëri të ditur më tej se, “ka ende shumë për të bërë”. “Është shumë e rëndësishme, se drejtësia nuk mund të jetë një segment që funksionon në ajër. Drejtësi jepet për qytetarin ku drejtësia punon në të gjithë netuorkun. Punon me legjislativin, punon me ekzekutivin, punon me Institucionin e Presidentit, punon me të gjitha linjat: Këshilli i Lartë të Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Shkallës së Parë, e Apelit; të gjitha me radhë janë pjesë e një sistemi ku qytetari duhet të shikojë seriozitetin e funksionimit të strukturave shtetërore, që shteti të jetë serioz; shteti të ketë një performancë harmonike kudo në të gjitha qelizat e tij dhe, tek e fundit, ju keni detyrime specifike”, u shpreh Presidenti Topi më tej. Në fjalën e tij, Presidenti Bamir Topi, renditi si më problematik, mosekzekutimin e vendimeve të gjykatave. “Ka shumë vendime të formës së prerë, vendime të Gjykatës së Lartë, të cilat nuk po ekzekutohen. Duket sikur me drejtësi qytetari apo subjekti mund të kalojë dhe vite me radhë në procese të stërmundimshme, që është pjesë e natyrës së drejtësisë, në fund merr një vendim dhe ai vendim rezulton thjesht në letër, sepse është i pa ekzekutuar. Këto janë të gjitha statistikat e azhurnuara të ditëve të fundit ku, vetëm dy të pestat e vendimeve për ekzekutim, janë realizuar. Pjesa tjetër, tri të pestat, janë ekzaktësisht 8868 çështje. Skandaloze! 8868 çështje, çka do të thotë që moszbatimi i tyre, rrëzon autoritetin e shtetit, autoritetin e drejtësisë”, foli Topi me gjuhën e shifrave. Duke mbyllur fjalën e tij, Presidenti Topi, u shpreh para anëtarëve të KLD-së dhe Gjykatës së Lartë se “Ky është apel, për të gjithë, është apel për juve që jeni këtu, është apel për Prokurorinë e Përgjithshme. Është shumë e rëndësishme që performanca e sistemit të drejtësisë të arrijë deri aty, sa të japë drejtësi, por është akoma më e rëndësishme për ata që janë të detyruar për ta zbatuar; ndryshe ne futemi në një marrëdhënie shumë fiktive, futemi në një marrëdhënie virtuale, mendojmë se e kemi zgjidhur, por s’e kemi zgjidhur”. ...