E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita mbështet qëndrimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e misionin EULEX

Përfaqësues të PS dhe LSI deklaruan dje se çdo përpjekje për të imponuar struktura të tjera paralele në mënyrë të veçantë në zonat me shumicë serbe do të çonte në destabilizim të vendit e do të krijonte pengesa për zbatimin e ligjit në të gjithë territorin për një sistem drejtësie dhe policor të unifikuar.

Klasa politike shqiptare ka dale dje në mbështetje të Prishtinës zyrtare ndërsa plani i Sekretarit të Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun është shndërruar në një përplasje të re mes Kosovës dhe Serbisë. Partia Socialiste nëpërmjet Arta Dades ka nënvizuar se çdo përpjekje për të imponuar struktura të tjera paralele në zonat me shumicë serbe do të çonte në destabilizim të vendit, ndërsa nga ana tjetër ka inkurajuar bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me BE-në, NATO-n dhe OKB-në.
“PS mbështet Presidentin Sejdiu, Kuvendin e Kosovës, Kryeministrin Thaçi në të gjitha hapat e ndërmarra në respekt të Kushtetutës, Deklaratës së Pavarësisë, kuadrit ligjor në zbatim të planit Ahtisari. Çdo përpjekje për të imponuar struktura të tjera paralele në mënyrë të veçantë në zonat me shumicë serbe do të çonte në destabilizim të vendit e do të krijonte pengesa për zbatimin e ligjit në të gjithë territorin për një sistem drejtësie dhe policor të unifikuar. Inkurajojmë bashkëpunimin e mëtejshëm sikurse është shprehur edhe Presidenti Sejdiu të institucioneve të Kosovës me BE-në, NATO-n dhe OKB-në. Ne vlerësojmë angazhimin e SHBA-së përmes Nënsekretarit të Shtetit zotit Frid, i cili ka nisur konsultimet për këtë çështje me institucionet e Kosovës dhe ato të OKB-së. Ne shprehim bindjen se OKB sipas udhëzimit të Sekretarit të Përgjithshëm do
të përfundojë në kohë procesin e nisur për kompetencat e UNMIK-ut. Ne jemi të bindur se misioni EULEX do të funksionalizohet mbi bazën e Kushtetutës, Dokumentit të Pavarësisë dhe ligjeve në fuqi në zbatim të Planit Ahtisari brenda afateve kohore të përcaktuara në dokumentet e miratuara tashmë. Komuniteti serb si pjesë integrale e Kosovës duhet të shohë tek EULEX dhe institucionet e shtetit të tyre, pra të Kosovës, garancinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre”, tha Dade.
Deputetja socialste tha se shpreson se Beogradi do të ndërgjegjësohet që pavarësia e Kosovës dhe funksionimi i shtetit të ri të Kosovës është një proces pa kthim dhe se Kosova e stabilizuar dhe sovrane i shërben stabiliteti dhe sigurisë rajonale, si dhe integrimit rajonal në strukturat euro-atlantike.
Në të njëjtën linjë ka qenë dje edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kreu i
Këshillit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto, deklaroi se Kosova është një vend sovran dhe çdo veprim ndërkombëtar që lidhet me të, është e domosdoshme të marrë pranimin e popullit të Kososvës dhe të institucioneve të zgjedhura të tij, Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës.
“Ne vlerësojmë se shtrirja e funksionit të EULEX-it në të gjithë Kosovën është në përputhje të plotë me frymën e planit të Ahtisarit dhe me gjithë filozofinë, që ka shoqëruar procesin e pavarësimit të Kosovës, proces i cili është bërë me bekimin e faktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtar, të Kombeve të Bashkuara, të Bashkimit Evropian, por është sanksionuar si i tillë, duke bërë njohjet përkatëse. Ju kujtoj se sot ka 82 vende, që kanë njohur Kosovën, si vend sovran dhe i pavarur, dhe është një proces që po vazhdon edhe më tej. Ne vlerësojmë se këto devijime, nga kjo frymë dhe nga kjo filozofi e bashkëpunimit të Kosovës dhe me komunitetin ndërkombëtar, kryesisht me Bashkimin Evropian, sjellin vetëm humbje të theksuara, të panevojshme të energjive, energji të cilat mund të rialokoheshin në mënyrë më efiçente në drejtim të procesit të zhvillimit të Kosovës dhe të Rajonit, sidomos në drejtim të integrimit të saj në Bashkimin Evropian”, deklaroi Haxhinasto që kërkoi nga diplomacia shqiptare që të mbajë qëndrime të qarta dhe energjike në drejtim të rritjes së njohjes ndërkombëtare, të Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›