E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekreton Maksim Malajn, PS: Zaimi ka gradë më të lartë

Presidenti Bamir Topi ka dekretuar dje Maksim Malajn, në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. 

Pas gati dy javësh nga propozimi i kryeministrit Berisha, kreu i shtetit hedh më në fund firmën, duke zyrtarizuar plotësimin e vendit të mbetur vakant pas shkarkimit të Luan Hoxhës. "Në mbështetje të nenit 169, pika 3 të Kushtetutës, të nenit 7, pika 5, si dhe të nenit 30, pika 1, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 "Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, me propozim të kryeministrit, dekretoj:
Gjeneral-Brigade, Maksim Malaj, emërohet shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", thuhet në dekretin nr. 5815 të dalë dje nga zyra e presidentit. Maksim Malaj do të zërë në këtë mënyrë vendin e lënë bosh nga Luan Hoxha, i cili u shkarkua pas tragjedisë së Gërdecit. Kryeministri Berisha i kishte kërkuar presidentit Topi të shkarkonte Luan Hoxhën, si një ndër përgjegjësit kryesorë të shpërthimit të 15 marsit në Gërdec dhe kreu i shtetit e ka firmosur propozimin e kryeministrit pas gati dy muajsh që nga dita e propozimit. Ndërkohë, pas dekretimit të Maksim Malajt në postin e shefit të shtabit ka reaguar Partia Socialiste. Deputeti i PS-së, Pirro Lutaj, shprehet se, si pasojë e moszbatimit të ligjit në gradimin e gjeneralëve, përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë në NATO, Arjan Zaimi, ka gradë më të lartë se shefi i ri i shtabit. "Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i dekretuar sot nga Presidenti i Republikës, për të cilin nuk kemi asnjë paragjykim apo rezervë lidhur me aftësinë dhe kualifikimin e tij profesional, madje i urojmë detyrën e re, do të gjendet në këtë funksion të lartë qysh në ditën e parë të detyrës së tij, në kundërshtim me ligjin nr. 8771, datë 26.10.2000, i ndryshuar me ligjin nr. 9194, datë 19.02.2004, pasi në linjën e vartësisë së tij, do të jetë përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë në NATO, i cili është me gradë më të lartë se ai. Nuk e di nëse e ka pasur parasysh Presidenti i Republikës këtë fakt në momentin e dekretimit", u shpreh dje deputeti i PS-së. Sipas Lutajt, është i papranueshëm fakti që Forcat e Armatosura qëndruan për gati 3 muaj pa shefin e Shtabit të Përgjithshëm. "Është një rast unikal, që ndodh vetëm në Shqipëri dhe askund tjetër. Në çdo organizëm shtetëror, por sidomos në ushtri, hierarkia luan rol parësor. Precedentë të tillë, ku FA-ja, nuk kanë drejtuesit e tyre kryesorë, ndodhin vetëm në Shqipëri dhe nën drejtimin e kryeministrit të sotëm, ashtu siç ndodhi në vitin 1997, kur ushtrinë e drejtonte SHIK-u", u shpreh më tej Tavo, duke shtuar se, Forcave të Armatosura po u tjetërsohet e ngushtohet misioni i tyre kushtetues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›