Rritja e temperaturave, qytetarët drejt pishinave

Kompleksi i pishinave të kryeqytetit edhe këtë të diel vazhdon të jetë i frekuentuar nga kryeqytetasit. Edhe pse zyrtarisht ndodhemi në stinën e pranverës, siç duket ditët e nxehta të verës kanë nisur ende pa përfunduar muaji maj. Dhe ashtu siç do vit që në datë 1 maj, kompleksi akuadron në Tiranë, ka çelur dyert për ata që duan që ditet e nxehta t'i kalojnë në këto pishina. Ata të cilët kanë frekuentuar më shumë pishinat këtë fundjavë kanë qenë të vegjlit dhe të rinjtë. Disa nga pamundësia për të shkuar në plazh e disa të tjerë sepse preferojnë më shumë ujin e pishinave se sa atë të detit. Megjithatë, një nga gjërat për të cilat janë ankuar këta pushues ka qenë fakti se në këtë kompleks funksionin vetëm një pishinë, sepse pesë të tjera nuk janë furnizuar akoma me ujë.