E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike, FMN rrëzon dy herë qeverinë

Fondi Monetar Ndërkombëtar rrëzoi edhe një herë dje pretendimet e qeverisë shqiptare për "rritje spektakolare ekonomike" të realizuar gjatë vitit 2008. FMN, e cila deri së fundmi ka qenë institucioni i vetëm që vlerësonte Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë, njoftoi se për vitin e kaluar, ekonomia shqiptare është rritur me 6.7%, rritje kjo që i detyrohet në masë të konsiderueshme borxheve të marra për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Vlerësimi i FMN-së është dukshëm më i ulët sesa ëndrra e qeverisë për "rritje ekonomike dyshifrore" të deklaruar në më shumë se një rast nga Kryeministri dhe ministri i Financave, ndërsa është edhe më e ulët se vlerësimi zyrtar paraprak prej 8%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi dje parashikimin botëror për ekonominë, dhe vlerësoi se dy vite të vështira i presin shqiptarët, ashtu si pjesën tjetër të botës. Në një intervistë të dhënë për një blog të revistës amerikane "BusinessWeek", Kryeministri Berisha deklaroi se FMN po përhap panik dhe se përdorimi i skemave të saj më shumë krijon probleme sesa i zgjidh ato. "Unë kam vlerësimin më të lartë për FMN-në. Por ajo nuk duhet të (nxisë) panikun. Nuk është ndihmuese, sipas mendimit tim. Unë i thashë atyre, ‘dëgjo, ju jeni një institucion shumë- shumë i rëndësishëm. Unë jam i lumtur që G20 ju dha një rol të ri‘ Por shumë qeveri hezitojnë të punojnë me to për shkak se skemat e tyre, në kohë pakënaqësish sociale më shumë krijojnë probleme sesa i zgjidhin ato", tha Berisha.

Qeveria "Berisha" nuk pranoi të firmosë një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar në janar, ndërsa gjatë muajve të fundit, ka dhënë shenja të qarta se nuk ka ndër mend të dëgjojë këshillat e Fondit për uljen e shpenzimeve buxhetore. Sipas Kryeministrit, Shqipëria do të zëvendësojë këtë vit të ardhurat e munguara nga emigrantët me më shumë turistë. FMN pati sugjeruar që misioni i saj të vijonte në Shqipëri deri pas zgjedhjeve të këtij viti, gjë që mbështetet nga shumica dërrmuese e ekspertëve, përfshirë edhe ekonomistë pranë vetë qeverisë.

Vite të vështira na presin

FMN vlerëson se shqiptarët do të vuajnë po aq shumë sa pjesa tjetër e botës nga kriza, ku rritja ekonomike këtë vit do të jetë vetëm 0.4%, ndërsa vitin e ardhshëm, vetëm 2%. Në total, shqiptarët do ta mbyllin vitin 2009 më të varfër sesa vitin 2008, për shkak se rritja ekonomike është e pamjaftueshme për të mbuluar ritmin e rritjes së popullatës. Kriza botërore pritet të godasë veçanërisht më të varfrit e Shqipërisë, familjet që gjatë viteve të fundit kanë qenë nën varësi të remitancave si i vetmi burim paraje. Në parashikimin për Shqipërinë, FMN shpreson gjithashtu që deficiti i llogarisë korrente të zvogëlohet disi gjatë këtij viti në 11.3 për qind të PBB-së (viti 2008, 13.5 për qind). Por një parashikim optimist për deficitin, FMN dha edhe vitin e kaluar, parashikim që rezultoi i gabuar.

Analiza

FMN-ja e zymtë

Çfarë po ndodh me Fondin Monetar Ndërkombëtar? Ylli i tij është në ngjitje që kur grupi i 20 vendeve të zhvilluara ia trefishoi burimet këtë muaj. Megjithatë, FMN refuzon të japë shpresë për botën. Sa më shumë shtohen politikanët që flasin për fundin e krizës, aq më e zymtë bëhet FMN. Të hënën, ai vlerësoi se kreditë e këqija në rang botëror do të arrijnë në 4.1 triliardë dollarë, në të njëjtën kohë kur sekretari amerikan i Thesarit jepte shpresa duke thënë se bankat janë të mirëkapitalizuara. Tani FMN hodhi një parashikim për ecurinë ekonomike që mund të bëjë të frikësohen edhe më spekulantët mes investitorëve të bursave.

Fondi beson që prodhimi amerikan të ulet me 2.8 për qind këtë vit. Pavarësisht se shumica e ekonomistëve parashikon rigjallërimin në gjysmën e II të vitit, FMN nuk sheh përmirësim deri në mes të vitit 2010. Por edhe në këtë rast, parashikimi është për rritje anemike prej vetëm 1.5 për qind. Zyra e Kongresit për Buxhetin, nga ana tjetër ka parashikuar rritje ekonomike 4 për qind për vitin e ardhshëm, një hendek i dukshëm ky. Pesimizmi i FMN-së nuk është i kufizuar vetëm në SHBA. Banka Qendrore Evropiane ka parashikuar rënie 1.7 për qind për këtë vit, por fondi thotë se rënia do të jetë 4.2 për qind ku Gjermania do të tkurret me 5.6 për qind. Japonia që vuan prej kohësh, do të ulet edhe më shumë. Në tërësi, FMN parashikon se bota e zhvilluar do të bjerë me 3.8 për qind dhe do të ketë rritje zero vitin e ardhshëm.

Situata ekonomike

GDP nominale 2009 - 12 milionë USD

Rritja reale e GDP 2009 - 6%

Inflacioni në mars - +1.6%

Niveli i papunësisë 12.3%

Eksportet - 141 milionë USD

Importet - 611 milionë USD

Bilanci tregtar - 470 milionë USD

Të ardhurat - 722 milionë USD

Shpenzimet - 759 milionë USD

Bilanci - minus 37 milionë USD


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›