Tatimet dhe doganat, 44 milionë USD më pak
Tatimet dhe doganat nuk e kanë arritur planin e vendosur nga Ministria e Financave, falë performancës së dobët në menaxhimin e vjeljes së taksave. Tjetër shkak i rënies së arkëtimeve ka të bëjë me krizës ekonomike në tregjet e huaja, e cila po ndikon edhe në Shqipëri. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, për periudhën janar-mars 2009 flasin për rënie të shpenzimeve dhe të ardhurave, thellim të deficitit tregtar, si dhe ulje nën kufi të inflacionit. Kështu, në fund të muajit mars 2009, të ardhurat buxhetore gjithsej arritën në 724 milionë USD ose rreth 3.2% më pak se parashikimi. Konkretisht, të ardhurat tatimore po në fund të këtij muaji arritën në 640 milionë USD, 6.3% më pak se parashikimi ose minus 44 milionë USD për buxhetin e shtetit. Situata ekonomike nuk paraqet shenja pozitive, e si rrjedhojë, qeveria është duke u përpjekur të marrë masa, që lehtësojnë aktivitetin privat të biznesit. Nga rënia e të ardhurave, pak ditë më parë, u bë "viktimë" kreu i doganave, i cili u shkarkua për performancë të dobët në menaxhimin e situatës. Për 3 muajt e parë të vitit 2009, doganat sollën në arkën e shtetit rreth 10 milionë USD më pak se parashikimi. Nuk duket dhe aq optimiste gjendja te shpenzimet e përgjithshme, ku për tremujorin e parë, rezultatet flasin për realizim në rreth 759 milionë USD ose 4.2% më pak se parashikimi. Shpenzimet korrente rezultuan me 7.2% më pak se parashikimi, ndërsa shpenzimet kapitale rezultuan 10.3% më shumë se parashikimi. Investimet në objekte publike rezultojnë me rritje falë punës voluminoze që po kryhet në rrugën Rrëshen-Kalimash, pjesë e aksit Durrës-Kukës. Në total, bilanci fiskal, pra deficiti buxhetor arriti në rreth 37 milionë USD, vetëm si tremujor. Shenja aspak të mira nuk duken as nga tregtia me jashtë, Ministria e Financave raporton për një deficit që kap shifrën e rreth 470 milionë USD, para e dalë jashtë tregut shqiptar në formë valute. Treguesit i referohen periudhës si dymujor, dhe thonë se janë kryer 141 milionë USD eksporte dhe rreth 611 milionë dollarë importe.