INSTAT dhe BB: Më pak të varfër në Shqipëri
Niveli i varfërisë në Shqipëri ka pësuar rënie në 12.4% nga viti 2005 deri në 2008-n, falë reformave të kryera nga qeveria, rritjes së pagave dhe pensioneve. Konkluzioni doli dje nga INSTAT dhe Banka Botërore (PNUD), në studimin e kryer bashkërisht, duke sjellë si rezultat faktin se Shqipëria vazhdon të provojë ulje të ndjeshme të varfërisë në periudhën 2005-2008. Megjithatë, sipas drejtoreshës së BB-së në Tiranë, Camille Nuamah, anketa duhet parë me kujdes për faktin se nuk i referohet periudhës kur Shqipëria ka ndikim të krizës ekonomike. Studimi bazohet në të dhënat e mbledhura nëpërmjet Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës nga një kampion familjesh përfaqësuese për të gjithë popullsinë. Në anketat e kryera në periudhat prill-qershor të vitit 2002, maj-qershor të vitit 2005 dhe qershor-gusht 2008, u intervistuan afërsisht 3600 familje. Gjithashtu, u kryen intervista pranë familjeve bujqësore të përftuara nga të njëjtët kampionë në tetor 2005 dhe nëntor 2008. Rezultatet për 2008 tregojnë se 12.4% e popullsisë është e varfër kundrejt 18.5 për qind në 2005, dhe 25.4% në 2002. Kjo tregon se rreth 200 mijë persona nga rreth 575000 që ishin të varfër në 2005 kanë dalë nga varfëria vetëm gjatë periudhës 2005 deri në 2008. Varfëria është përkufizuar si pamundësia e personave për të shpenzuar të paktën 5722 lekë/muaj për frymë në 2008 (ose 4891 lekë për frymë/muaj në 2002). Niveli i lartë i rritjes ekonomike që ka përjetuar Shqipëria në 11 vitet e fundit - mesatarisht 7.1% rritje në vit që nga 1998 - së bashku me një rritje mesatare të pagave (në terma reale) prej 36.5% në vitet 2005-2008, dhe të pensioneve në vitet 2005-2007 me 17.4%, ka kontribuar në këto rezultate. Si rezultat, konsumi mesatar për frymë në terma reale është rritur me 7% që nga 2005. Rezultatet e anketës tregojnë një ulje të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale në periudhën 2005-2008. Sidoqoftë, të dhënat tregojnë një ngadalësim të dukshëm të reduktimit të varfërisë në zonat malore, ku varfëria vazhdon të shfaqë nivelin më të lartë, si dhe ulje jo të rëndësishme që nga 2005.