E Diel, 1 Nëntor 2026

Një sportel për investimet e huaja

Agjencia Shqiptare për investime dhe Zhvillim nisi dje nga puna dhe shërben si një sportel i vetëm për të gjithë veprimtarinë e investitorëve të huaj në vendin tonë. Kryeministri Sali Berisha, prezantoi gjatë një konference për mediat, Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Shqiptare për investime dhe Zhvillim (AIDA), Eneida Guria. Sipas tij, kjo agjenci synon të zbatojë dhe shndërrojë në realitet një vizion më të qartë për zhvillimin ekonomik të vendit. Kryeministri u shpreh, se agjencia do të funksionojë si një strukturë me katër drejtori kryesore. Kryeministri Berisha e quajti lajmin më të mirë për biznesmenët, themelimin e AIDA-s, si një agjenci e investimeve dhe zhvillimit, e ndërtuar mbi bazën e një modeli më të suksesshëm, që është njohur në Europë dhe botë. Agjencia Shqiptare për investime dhe Zhvillim AIDA do të shërbejë si katalizator për tërheqjen e investitorëve të huaj në vendin tonë. Sipas këshilltares së kryeministrit për ekonominë, Suzana Guxholli, kjo agjenci do të ofrojë për biznesin e huaj të gjitha shërbimet që i nevojiten në formën One Stop Shop. Gjithashtu sipas Guxhollit kjo agjenci është ngritur në formë të tillë që eliminon burokracitë. Nëpërmjet saj do të promovohen potencialet për investim që ofron Shqipëria në evenimentet me prestigjoze ndërkombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›