E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike, përplasje FMN-qeveri

Shefi i FMN-së për Shqipërinë Gervin Bell tha se për vitin 2009, ekonomia shqiptare do të rritet me 2%, por nuk ishte në të njëjtën linjë ministri i Financave Ridvan Bode, sipas të cilit vendi për gjatë këtij viti do të ketë një rritje ekonomike prej 6%.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar është konservatore me shifrat. Në fillim FMN deklaroi se rritja ekonomike do të jetë vetëm 0.1% për vitin 2009”, theksoi Bode. Ndërkohë, Bell nga ana tjetër tha se për vitin 2010 Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike prej 3%.

Megjithatë, shefi i FMN-së tha se Shqipëria e menaxhoi shumë mirë krizën ekonomike globale. “Shqipëria e menaxhoi shumë mirë krizën financiare. Qeveria shqiptare ndërmori stimuj për ekonominë, të cilat sipas mendimit tonë ato duhet të ndërpriten për vitin 2010”, theksoi Bell gjatë një konference për shtyp me ministrin Bode.  

Ai theksoi se është e rëndësishme që Shqipëria të kthehet në rrugën e saj të konsolidimit fiskal, që ka ndjekur në të shkuarën dhe që i ka shërbyer kaq mirë dhe të ndërpresë stimulin fiskal.
    
Në këtë kontekst, shtoi z.Bell, buxheti i vitit 2010 bëhet i rëndësishëm. "Një buxhet i fortë dhe pozicion fiskal i fortë, do të ndihmojë ekonomine të përmirësojë qëndrimin në sektorin e jashtëm dhe mundësitë e sistemit bankar për t'i kanalizur burimet financiare në përdorime më produktive", vuri në dukje shefi i misionit të FMN-së, në Tiranë.
    
Sipas tij, një pozicion fiskal i fortë, një borxh publik në rënie dhe një pozicion i jashtëm i qëndrueshëm, do të jenë tregues të rëndësishëm që duhen kur aksesohen tregjet ndërkombëtare, kur kërkohen investime. Për këtë arsye, shtoi Bell është e rëndësishme të vendosen objektiva realiste për buxhetin në vitin 2010, si nga ana e të ardhurave, por edhe përsa i takon shpenzimeve.

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›