E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode mbështet bllokimin e ARMO-s, kompania vazhdon punën

Bode theksoi se ligji duhet të zbatohet njëlloj për të gjitha bizneset pavarësisht emrit që ato mbajnë. “Administrata fiskale nuk njeh emra kompanish, njeh biznese të cilat janë ose jo korrekt me ligjin. Të gjitha kompanitë janë në një situate investigimi të thelluar nga administrata për të evidentuar shmangiet fiskale nga mosrespektimi i ligjit”, deklaroi z. Bode në një konferencë shtypi.

Katër ditë më parë, me urdhër të Drejtorisë së Tatimpaguesve të mëdhenj të Fierit, policia tatimore e këtij qarku bllokoi punën në rafineritë e përpunimit të naftës të kompanisë ARMO. Pas ketij veprimi, administratorët e kompanisë theksuan se që në momentet e para të privatizimit kompania ARMO nuk ka qenë e pajisur me një sërë lejesh të ushtrimit të aktivitetit, ndërkohë që bllokimi është i pabazuar në ligj dhe i shkakton kompanisë një dëm financiar që shkon në afro 5 milionë euro në ditë.

Ndërkohë, megjithë urdhrin e lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të mëdhenj të Fierit për bllokimin e aktivitetit në rafineritë e naftës të kompanisë ARMO, prej dy ditësh punonjësit vazhdojnë punën normalisht.

Furnizimi i autoboteve me bitum në të dy uzinat e shoqërisë, si në Uzinën e Përpunimit të naftës në Fier ashtu edhe në Kombinatin e përpunimit të Thellë në Ballsh ka vazhduar pa asnjë problem. Të dyja këto uzina kanë katër ditë që janë bllokuar nga dega e tatimeve Fier. Por, ky vendim i tatimorëve nuk është respektuar nga përfaqësuesit aktual të ARMO-s.

Në kushtet e krijuara kur autobotet e ngarkuara nuk kanë përfillur edhe ndalimet që u janë bërë, tatimoret i janë drejtuar për ndihmë Prokurorisë së Rrethit Fier. Drejtori i drejtorisë rajonale të tatim-taksave në këtë qark, Halil Lamaj shprehet se për këtë rast juristët janë duke përgatitur një padi penale ndaj kompanisë ARMO. Ai është shprehur se do ketë kallëzim për të gjithë ata individë që kanë cenuar shenjat e bllokimit të tatimeve. Sipas Lamajt padi do të këtë edhe për drejtuesit e kompanisë si dhe për drejtuesit e autoboteve të cilët kanë dalë nga rafineria me bitum.

Pritet që padia të dërgohet sot në Prokurori, e cila sipas drejtorit Lamaj pritet të jetë institucioni që do të zgjidhë përfundimisht këtë problem ligjor.

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›