Ndërtuesit: Këshilli Bashkiak të miratojë Planin Rregullues të Tiranës
Ndërtuesit kanë kërkuar me ngulm miratimin e planit rregullues të kryeqytetit nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Më parë se të niste mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Shoqata e Ndërtuesve ka shprehur interesin e saj për miratimin e këtij plani. Sipas tyre, mungesa e miratimit të këtij plani për Tiranën ka penguar zhvillimet e tejshme të këtij sektori në zonën e kryeqytetit. Në emër të ndërtuesve, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, tha se kjo shoqatë shpreh edhe një herë interesimin për planin rregullues lidhur me problematikën e aktivitetit të ndërtimit. “Me këtë rast ne përsërisim edhe një herë kërkesën tonë të vazhdueshme, të bërë publike dhe zyrtarisht, që Plani Rregullues i Tiranës, si nevojë e domosdoshme e ndërtimit, të ndjekë procedurat deri ne miratimin sa më të shpejtë në KRRTRSH dhe fillimin e funksionimit të tij”. Ai bëri të ditur se aktualisht ndërtimi i banesave në Tiranë është në nivele të ulëta, në rreth 25%, po kështu edhe shitjet. Sipas z. Muçi, një faktor është kriza ekonomike, ndërsa faktori tjetër është mungesa e planit rregullues dhe si rrjedhojë mosdhënia e lejeve të ndërtimit në Tiranë. Ai nënvizoi faktin se pasja e një Plani Rregullues për Tiranën që është dhe tregu më i madh i banesave në Shqipëri, presupozon krijimin e shumë kushteve pozitive për këtë aktivitet. Më pas, z. Muçi renditi efektet pozitive që vijnë nga miratimi i këtij plani. Sipas tij, së pari kështu krijohet një kuadër i qartë i zhvillimit në të ardhmen të tregut të banesave në Tiranë, si për shoqëritë e ndërtimit, për pronarët e truallit dhe për administratën lokale për zhvillimin e planifikimin e investimeve private e publike.
Së dyti, eliminon mundësinë e abuzimit me ndërtimet si në shfrytëzimin e truallit, konkurrencën e pandershme midis firmave dhe mundësinë e ndërhyrjeve dhe korrupsionit. Miratimi i këtij plani, sipas ndërtuesve, eliminon mundësinë e ndërtimeve dhe shtesave pa leje, i cili që prej 20 vjetësh nuk po mundet të stabilizohet. Kjo do të ndikojë shumë pozitivisht në uljen e çmimit të shitjes së apartamenteve të banimit në Tiranë. Do të rrisë kontributin e aktivitetit të ndërtimit në buxhetin e shtetit. Mjafton të kujtohet se ndërtimi, në vitet e kaluara, ka paguar rreth 31% të TVSH-së së mbledhur dhe rreth 29% të tatimfitimit të totalit në buxhet.